Ballina Jeta ARAFATI

ARAFATI

23
0
SHPËRNDAJE

Arafati është një kodër rreth 20 km larg në juglindje të Mekës së bekuar. Është jashtë zonës së Haremit dhe njëri ndër vendet më të rëndësishme për haxhin dhe për haxhiun, prandaj edhe Muhammedi a.s. thotë se “Haxhi përbëhet prej Arafatit.” [6] 
Emri Arafat shpjegohet llojllojshëm.
Vjen nga rrënja e foljes arefe = ai që di, që njeh dhe si shprehje më së shpeshti lidhet për Ademin dhe Havanë. Sipas tregimit të njohur, ata të dytë u ndanë në xhenet por u takuan, u njohën dhe u bashkuan në Arafat.[7]
Ditën e fundit para Bajramit, më 12 dhu’l-hixheh, haxhiu duhet pa tjetër ta kalojë në Arafat, së paku një pjesë të kohës. Pas faljes së përbashkët dhe bashkimit të namazit të drekës dhe ikindisë dhe fjalimit të imamit para hanxhinjve, fillon qëndrimi në Arafat.

image

Sipas dispozitave të haxhit, pas faljes së namazit të ikindisë, nuk është mirë të falen namaze nafile (fakultative) dhe kohën deri në aksham duhet kaluar në lexim Kur’ani dhe dua të shumta drejtuar Allahut të lartësuar. Në pajtim me thënie të shumta, haxhiut në Arafat i pranohet çdo lutje, prandaj rekomandohet që haxhiu në Arafat të lutet për të gjithë, për vete, për të afërmit, për të gjithë besimtarët, për të gjithë njerëzit.
Fjala Arafat përbëhet prej tri shkronjave ajn ( ع ), r ( ر ) dhe f ( ف ) dhe çdo shkronjë mund të shpjegohet në pajtim me nocionin që ndërtohet mbi këtë.
Për shembull, shkronja ع ( ajn ) njëkohësisht është edhe shkronja fillestare e fjalës ismet, që do të thotë pastërti, dëlirësi, i paprishur. Në këtë mënyrë gjendja e haxhiut na tregohet si gjendje e personit të pastër nga çdo mëkat, qoftë të trashëguar qoftë të fituar. Me fjalë të tjera, haxhi i kryer në mënyrë korrekte e sjellë shpirtin e njeriut nga gjendja “njeriu i paprishur” në gjendjen e njeriut të porsalindur, i cili vjen në këtë botë i pastër nga çfarëdo mëkati.
Shkronja ر ( r ) njëkohësisht është shkronja e parë e fjalës rahmet, që do të thotë mëshirë. Në këtë rast me rahmet nënkuptojmë njohjen e haxhiut dhe dëshmimi për mëshirën e Zotit e cila manifestohet në krijim, mbajtje (furnizim) dhe falje. Në të trija rastet, falja varet nga aktiviteti ynë në rrugën e Zotit, kurse mund të sendërtohen përjashtimisht me mëshirën e Zotit të lartësuar.
Shkronja ف ( f ) njëkohësisht është edhe shkronja e parë e fjalës fitret, që e nënkupton atë natyrën e lindur, primordiale të njeriut, me të cilën lind çdo fëmijë. Pas haxhit të pranuar haxhiu e ka të qartë se Zoti është një dhe se çdo gjë tjetër është vetëm gjurmë e ekzistimit të Tij të ngahershëm dhe përhershëm.
Si fjala arafat ashtu edhe fjala ismet dhe fitret përfundojnë me shkronjën t, kurse shkronja ت ( t ) është shkronja fillestare e fjalës tevbe, që do të thotë pendim. Kjo na shtynë të konkludojmë se jeta e besimtarit është tregimi për pendesë, pendim.
Kështu fjala tevbe, për cilësinë e dëlirësisë ka kuptimin “të pengohet nga” (mëkati, mosdëgjimi e të ngjashme); për cilësinë e mëshirës ka kuptimin e “pendesës” (për bërjen e mëkateve dhe rrëshqitjet e ardhme), kurse për cilësinë e natyrës së lindur, kuptimi i saj është “kthim”, kthim fesë së mirëfilltë, kthim Zotit të mirëfilltë, një dhe të lartësuar.[8]
E kemi një përshkrim të një kristiani nga shekulli XIX, John Fryer Keane (Haxhi Muhammed Amin): “Anët e Arafatit ishin dendur të mbuluara me njerëz, e nga këtu edhe një mile e gjysmë drejt jugut dhe një mile përtej shtrihej grumbulli i njerëzve. Ishte ky një det i turbulluar me koka të zeza dhe trupa të bardhë. Ishte i admiruar …”. [9]
Nga myslimanët, Arafati përshkruhet si “koha që kalohet atje ka një thellësi të tillë, saqë një shpirt që e ka arritur një herë fatbardhësinë e të gjendurit në atë kopsht, asnjëherë nuk i rrënohet krejtësisht qëndrueshmëria dhe kurrsesi nuk vdes në gjendjen e atyre që jetojnë të dhënë krejtësisht pas kësaj bote.” Madje disa Arafatin e kanë përshkruar metaforikisht: “Ata që kanë kaluar pak orë të jetës së tyre në Arafat, gjithë jetën çilen si trëndafilat dhe kurrë nuk thahen”.[10]

Nexhat Ibrahimi

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.