Cana në Galatasaray, hatri i babës
Afërsia me familjen nuk është arsyeja e vetme që Lorik Cana la Anglinë për futbollin turk. Mesfushori kosovar u transferua në Galatasaray, hatri i babait të tij, Agimit, i cili e kishte ëndërr të luajë në stadiumin Ali Sami Yen, sa ishte futbollist .
Pasi u transferua nga Sunderlandi në Galatasaray, Lorik Cana pati deklaruar se arsyeja kryesore që ka zgjedhur klubin nga Stambolli ka qenë dëshira e tij për të qenë sa më afër familjes. Mirëpo, ndërmjetësuesi i transferimit të Canës nga ekipi anglez në atë turk, Ceylan Cahskan, ka treguar se kjo nuk është arsyeja e vetme që reprezentuesi shqiptar ka vendosur t’i bashkohet gjigantit të futbollit turk. Sipas tij, Cana ka vendosur të kalojë në Galatasaray edhe për hatër të babait të tij, Agim Canës. Në fakt, ish-futbollisti i Prishtinës, Agim Cana dikur pati luajtur në dy skuadra turke, derisa kishte ëndërruar që një ditë të luante edhe për Galatasarayn. Por, Agim Cana e kishte përfunduar karrierën pa e realizuar këtë ëndërr të tij. Andaj, ai kishte shpresuar që i biri i tij, Loriku një ditë ta veshë fanellën e Galatasarayt. “Unë e kam bërë ofertën për Lorik Canën në emër të Galatasarayt. Trajneri i Sunderlandit, Steve Bruce më tha se nëse lejoj që Cana të ikë, mua do më varin pse e kam lejuar që ai të largohet. Ai më tha se duhet të bëj ofertën me një arsyetim të fortë”, ka thënë Cahskan gjatë një interviste për televizionin Lig TV. “Lorik Cana më tha se dua të jem më afër vendit tim. Ai po ashtu tha se në Stamboll kam shumë të afërm dhe ëndrra e babait ishte të luajë për Galatasarayn. Kështu më udhëzoi Loriku, i cili pohoi se dëshiron të luajë në një skuadër që lufton çdo vit për titull të kampionit dhe që merr pjesë në Ligën e Kampionëve”, ka theksuar Cahskan. Menaxheri turk ka treguar se qysh para shtatë viteve – atëherë kur Lorik Cana luante në ekipin francez PSGkishte biseduar me babanë e tij, Agimin, rreth mundësisë së transferimit të kosovarit në futbollin turk. “Para shtatë vitesh, unë kam ngrënë drekë me Lorikun dhe babanë e tij, Agimin. Gjatë asaj dreke e pata pyetur Lorikun nëse dëshiron të transferohet në Turqi. Babai i tij, Agimi më pati thënë se Loriku ende është i ri dhe nuk mendon të transferohet në Turqi”, ka pohuar Cahskan. “Agimi pati luajtur në Gençlerbirligi dhe në Samsunsport. Ai më pati thënë se ka qenë ëndërr e tij atëherë për të luajtur me Galatasarayn. Por, pasi një gjë të tillë nuk ka mundur ta bëjë vetë, ai lutej që një ditë i biri i tij të luajë për Galatasarayn. Kështu Agimi më luti që nëse një ditë Loriku transferohet në Turqi, klubi të jetë Galatasaray. Kjo tregon sa i sinqertë është Agimi dhe Loriku duke i shprehur haptas dëshirat”, ka rrëfyer ai. Edhe pse Cana ka marrë kritika për paraqitje jo të mirë në fushë, Cahskan është i bindur se 26-vjeçari do të bëjë ‘bum’ në futbollin turk. “Vetëm katër lojë. Dhe pas katër ndeshjeve, Loriku do të tregojë se çfarë lideri është”, ka përfunduar Cahskan. Cana gjatë kësaj vere nga klubi anglez Sunderland u transferua te Galatararay, me të cilën skuadër nënshkroi kontratë katërvjeçare./freskirinore/
Shortlink:






Pingback: Anonymous
Pingback: t(i)rajik » Anladıysak Arnavut Olalım