Murabaha- një organizim biznesi

Hamdi Nuhiju

Hamdi Nuhiju

Sot jetojmë pothuajse në një sistem të kompjuterizuar. Në çdo fushë të jetës shihet një kompjuterizim shumë i shpejtë. Njerëzit, në veprimtaritë e tyre ekonomike, janë të detyruar të punojnë çdo ditë e më tepër për të përballur nevojat e tyre jetike.[1]


Nevoja për një organizim biznesi

Sot jetojmë pothuajse në një sistem të kompjuterizuar. Në çdo fushë të jetës shihet një kompjuterizim shumë i shpejtë. Njerëzit, në veprimtaritë e tyre ekonomike, janë të detyruar të punojnë çdo ditë e më tepër për të përballur nevojat e tyre jetike.[1]

Në kushtet e tranzicionit, po edhe të krizës financiare botërore, nevoja për një organizim biznesi është dukshëm e madhe. Kjo nevojë reflekton në të gjitha sferat e jetës së njeriut, sidomos të qytetarit të thjeshtë të vendeve të Gadishullit Ballkanik. Në kushte të këtilla ku bëhet zhvlerësimi i parasë dhe rrezikohet mbajtja e parave në rezerva shtetërore, investimi është i domosdoshëm.

Lexojmë për çdo ditë nëpër gazeta të ndryshme se kemi grabitje të ndërmjetësuesi financiarve në mes të ditës, largim të punëtorëve nga puna, padrejtësi ndaj punëtoreve, abuzim me mjete financiare, rritje e çmimeve të ndryshme të rrymës elektrike dhe shpenzimeve tjera të jetës.

Islami urdhëron që çdo person në shoqërinë myslimane të punojë, kështu që të ketë mundësi të kujdeset për vete dhe për të varurit nga ai dhe të mos mbështetet në këtë sigurim shoqëror përveç kur nuk ka mundësi të punojë.[2]

Islami e njeh të drejtën e nevojës për ndihmë. Kur`ani e konfirmon të drejtën e çdo njeriu për të kërkuar ndihmë nga myslimanët, por ai gjithashtu thekson se, nëqoftëse myslimani merr vesh se ndonjë njeriu të caktuar i mungojnë nevojat elementare të jetës, atëherë, pa marrë parasysh se ai njeri a kërkon ndihmë apo jo, myslimani është i detyruar t`ia ofroj tërë ndihmën që mundet.[3]

Fillimisht duhet të qartësojmë se është koncept i gabuar mendimi që flet për një jetë shoqërore ku pjesëtarët e saj janë absolutisht të barabartë. Një gjë e tillë bie ndesh me realitetin jetësor. Njerëzit janë krijuar me dallime organike, psikike dhe me dallime diturie. Ky dallim reflektohet edhe në veprimtarinë e tyre ekonomike. Është shumë normale që të ketë njerëz të pasur. Është jonormale që dallimi në të ardhurat ekonomike të jetë shkak i privilegjeve politike dhe juridike.[4]

Por, individët përbëjnë shoqërinë, dhe kapitali është shtylla e drejtësisë midis individëve dhe shoqërisë moderne.

Njeriu ka një numër detyrash si anëtarë i një shoqërie, shteti anëtar i të cilit është ai.[5]

Islami nuk mohon jetën e kësaj bote duke sugjeruar njerëzit të jetojnë të varfër e të mos organizohen në përfitime materiale. Ai kujdeset edhe për anën shpirtërore të besimtarit, po edhe për anën materiale të tij. Përmes anës materiale d.m.th përmes dynjasë ai arrin që të realizoj urdhrat e Allahut xh.sh. për tu shpërblyer në ahiret.

Gjatë zhvillimit të vet, njerëzimi i ka ndarë këto dy rrugë nën pretekst se për shkak të ahiretit duhet përmbajtur nga dynjaja, ngase puna për dunja merr kohën e nevojshme për ahiret. Kjo ndarje është thellë e ngulitur te njerëzit, ashtu që nuk mbetet vetëm në këtë relacion, por shtrihet dhe përfshinë edhe të gjitha sferat tjera të ekzistencës së njeriut;

– kjo dhe bota tjetër janë dy realitete të ndara,

©2009 FRESKIRINORE | Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

– trupi dhe shpirti janë dy botëra të ndara,

– bota materiale është e ndarë nga ajo jomateriale,

– bota fizike është e ndarë nga ajo metafizike,

– jeta praktike është e ndarë nga ajo ideoro-etike.

Nuk ekziston ndonjë rrugë e ahiretit, e quajtur ibadet, e as që ekziston rrugë e dunjas, që do të quhej punë, veprim. Kjo është një rrugë e njëjtë e cila fillon në dunja e përfundon në ahiret, rrugë në të cilën puna nuk ndahet nga ibadeti, e as ibadeti nga puna.[6]

Islami e çmon rëndësinë e nevojave materiale, por nuk e thekson tepër rolin e tyre në mirëqenien e përgjithshme të njeriut, për këtë në islam njeriu është qenie fizike dhe shpirtërore.[7]

Koncepti islam mbi shoqërinë dhe individin, ndërtohet mbi parimet e qarta kur`anore të formimit të individit të shëndoshë e pas kësaj edhe shoqërisë së shëndoshë ku të gjitha elementet e saj do të jenë të barabartë dhe unike në të gjitha segmentet jetësore.[8]

Ne vetëm se kemi thënë se Islami tregohet si një udhëheqës efikas në planin material të jetës së njeriut njëjtë si në planin shpirtëror.[9]

Sistemi i ekonomisë islame është ngritur si alternativë ndaj kapitalizmit perëndimor, që adhuron gjoja autonominë e individit, dhe ekonominë e planifikuar të socializmit lindor, e cila përmes entuziazmit të verbër kolektivisht i përulet shtetit.[10]

Sistemi islam merr nën sqetull njeriun në të gjitha pikëpamjet dhe e rregullon jetën e bashkësisë tërësisht e jo pjesërisht.[11]

Po i analizuam sistemet ekonomike, atë socialist dhe këtë kapitalist shohim se ato dallojnë edhe në sferën e pronësisë. Sistemi socialist është kategorik për pronën shtetërore, ndërsa sistemi kapitalist i jep përmasa të tepërta pronës private.

Edhe pse Islami e pranon pronësinë private, shoqëria e re islame duhet të deklarohet qartë se të gjitha burimet e mëdha të pasurisë shoqërore, e sidomos burimet natyrore, do të duhet patjetër të jenë në pronësi të bashkësisë dhe t`ju shërbejnë të mirave të të gjithë anëtarëve të saj. Mbykqyrja shoqërore mbi burimet e pasurisë është e domosdoshme që nga njëra anë të pengojë pasurimin e pabazë dhe fuqinë e individëve, kurse nga ana tjetër që të sigurohet baza materiale për sendërtimin e programit të zhvillimit në sferat e ndryshme të jetës, të cilat do ti ndërmerr bashkësia në pajtim me rrolin gjithnjë e më të madh të shoqërisë së organizuar në jetën e popujve.[12]

Në pika të shkurtra do të mundohemi që të qartësojmë një model ose alternativ të një biznesi të mbështetur në pikëpamjet islame.

Hyrje

Kemi vendosur të shkruajmë për Murabahan një instrument financiar islam, po edhe një formë e organizimit të biznesit. Ekzistojnë definicione të shumta për të. Ne do të mundohemi që të përmbledhim vetëm disa prej tyre me qëllim që të qartësojmë qasjen tonë në këtë punim.

Në ekonominë islame, murabah nuk njihet si formë e organizimit të biznesit, por si një lloj tregtie.

Shitja murabaha është një nga format e shitjeve të lejuara sipas Islamit, ku klienti i kërkon bankës blerjen e një malli për interes të tij, në bazë të cilësimit që ai i bën mallit, e më pas bëhet marrja e premtimit nga ndërmjetësuesi financiar se ky mall do t`i shitet atij me një fitim të deklaruar me këste sipas mundësisë.[13]

Murabah definohet si shitje në bazë të urdhrit ku kemi të bëjmë me një transaksion financiar e cila bazohet në marrëdhëniet shitje-blerje ku blihet malli dhe shitet me një provizion të caktuar për profit të ndërmjetësit a në këtë rast bankës.[14]

Murabaha: është ajo formë e shitblerjes, ku klienti kërkon nga ndërmjetësuesi financiar për ta blerë një produkt të përshkruar, duke i premtuar ndërmjetësuesit financiar, se ai do ta blejë prej tij. Këtu ndërmjetësuesi financiar paguan çmimin në para të gatshme (e blen produktin në emër të vetin), pastaj ia shet klientit në një kontratë të re me një çmim më të lartë me këste, duke mos qenë premtimi detyrues nga dy anët.[15]

“Shitja “El Murabaha” ka qenë shembulli më i mirë i zgjedhur për shitjen e pjesëve aksionare, duke pasur parasysh se pas përmbushjes së kontratës në shitjen “murabaha”, është plotësisht e mundur njohja e fitimit dhe afati i meritimit të tij. Por, përderisa vetë borxhet nuk lejohet të shiten, veçse me të njëjtën vlerë, nëse këto borxhe janë pjesë të disponueshmeve të përziera me të hollat dhe objektet, atëherë ato bëhen të vlefshme për shitje, kështu që sipas këtij përfundimi, ato lejohen.”[16]

Murabaha është një financim kostoje plus fitim. Murabah është një teknik e përdorur përgjithësisht për të lehtësuar veprimtaritë financiare tregtare të institucioneve financiare islame. Institucioni financiar blen mallra të nevojshme nga një palë e tretë për klientin e tij. Pastaj ato mallra ia shet klientin në këste duke përfshirë edhe fitimin me cesion. Të gjitha kontratat e mësipërme janë ndërmarr me kërkesë të konsumatorit ku janë të vendosura të gjitha kushtet e nevojshme në kontratë. Marrëveshje të këtilla nuk konsiderohen në kundërshtim me sheriatin ku ndërmjetësuesi financiar merr përsipër të gjitha rreziqet e këtij transaksioni, çmimi caktohet në kontratë dhe klienti nuk rrezikohet nga luhatjet e kreditimit ngaqë çmimi është fiks.[17]

Murabaha është një strukturë islame e financimit kur një blerës blen një pronë përmes ndërmjetësimit me një çmim të caktuar në këste dhe me një fitim të përshkruar në marrëveshje.[18]

Marrëveshjet murabaha janë përdorur kryesisht për të blerë makina dhe shtëpi. Por, njëkohësisht ata janë përdorur edhe për të financuar bizneset e importit.

Murabaha është një marrëveshje kur një shitës blen mallra me kërkesën e një blerësi. Blerësi atë mund ta paguaj me këste nëse shuma është e madhe ose edhe kesh për mallra të cilat nuk ka mundësi t`i siguroj në rrugë tjetër.[19]

Murabaha në konotacionin e saj origjinal është vetëm një shitje. Vetëm se funksioni i saj dallon prej llojeve tjera të shitjes ngaqë këtu dihen edhe kostoja edhe fitimi nga shitja.[20]

Disa karakteristika të kësaj marrëveshje

Kjo formë e shitblerjes ose kjo marrëveshje bazohet mbi:

1. Premtimi i blerjes nga klienti ose garantimi i blerjes së saj me garanci.

2. Premtimi i bankës për shitje.

3. Lidhja e kontratës së shitblerjes Murabeha pasi ndërmjetësuesi financiar të ketë kaluar mallin në pronësinë e saj.

4. Në këtë rast vërejmë se ndërmjetësuesi financiar e kalon mallin e blerë në pronësi të saj dhe mban përgjegjësi të plotë për amortizimin e tije më pas ky mall i shitet klientit me një përqindje fitimi hallall dhe nuk përmban asnjë lloj dyshimi për kamatë.[21]

Tani të shohim veprimtarinë e realizimit të kësaj marrëveshjeje

– Klienti e informon ndërmjetësuesin financiar për kërkesat e dokumentit të tij të kredisë për blerje/importim të mallrave, që tregon në këtë mënyrë se ai duhet të ketë dëshirë të blejë mallrat nga ndërmjetësuesi financiar me arritjen e tyre sipas principit të el murabah ( kosto plus ose ngritje çmimi)

– Ndërmjetësuesi financiar krijon dokumentin e kredisë dhe paguan procedurat për negociatat me bankën duke shfrytëzuar fondet e saj

– Ndërmjetësuesi financiar i shet mallrat për klientin me një çmim që përfshin një tepricë të fitimit nën principin el murabah për pagesë me kesh ose në një afatizim me kusht.[22]

Disa nga specifikat e kësaj marrëveshjeje

1. Murabah është një lloj i veçantë i shitjes ku shitësi shprehimisht përmend koston e mallrave të shitura dhe e shet atë për klientin duke i shtuar pak në çmim

2. Fitimi i Murabah mund të përcaktohet nga pëlqimi i dy palëve për një çmim mbi koston

3. Të gjitha shpenzimet nga shitësi në blerjen e mallrave përfshihen në çmimin e kostos, ndërsa shpenzimet shtesë administrative ato nuk mund të përfshihen në çmimin e kostos ngaqë ato llogariten tek pjesa e fitimit mbi koston

4. Murabah është i vlefshëm vetëm nëse bëhet konstatimi i saktë i kostos. Përndryshe nuk mund të jetë i vlefshëm po nuk u bë një konstatim i këtillë i saktë.[23]

Përfundim

Në pika të shkurtra u munduam që të qartësojmë Murabahan si një formë mjaftë efektive të organizimit të biznesit. Në ditët e sotshme është mese e nevojshme që në transaksionet biznesore dhe financiare të ekzistojë një ujdi ose marrëveshje e cila nuk do të cenoj interesat e asnjërës palë. Murabaha i mundëson të rinjve që të lehtësojnë jetën e tyre, por edhe atyre që kanë ide biznesore që të gjejnë një mënyrë të përshtatshme për të financuar projekte të ndryshme por edhe për të arritur deri tek një fitim i caktuar. Shpresojmë se këto principe të financimit islam shumë shpejt do të shohin realizimin e tyre edhe në mesin e popullatës sonë.

[1] Universiteti i padukshëm, Prof.Dr.Ersin Nazif Gurdogan, Tiranë, 2004, f.62

[2] Shoqëria ideale, Dr.Muhammed Ali el Hashimi, Prishtinë, 2009, f.173

[3] Të drejtat e njeriut në Islam, Mevdudi, Shkup, 1992, f.44

[4] Koncepte dhe sisteme bashkëkohore- Ali Bullaç, Shkup 2005, f.305

[5] Hyrje në Islam, Dr.Muhammed Hamidullah, Shkup, 1985, f.158

[6] Sa jemi mysliman- Muhamed Kutub, Shkup 1999, f.37

[7] Islami dhe paqja universale, Prof.Sejjid Kutub, Tetove, 2005, f.145

[8] Solidariteti Islam, Bashkim Aliu, Shkup, 2003, f.3

[9] Uvod u Islam, Dr.Muhammed Hamidullah, Sarajevo, 1982, f.145

[10] Islami si alternativë, Dr.Murad Hofman, Shkup 2000, f.131

[11] Kamata në pikëvështrimin kur`anor, Sejjid Kutub, Shkup, 2002, f.64

[12] Deklarata islame, Alija Izetbegoviq, Prishtine, 1999, f.38

[13] Kamata, lufta me Allahun, Shejh Uthejmin, Tiranë, 2004, f.61

[14] http://sq.wikipedia.org/wiki/Ndërmjetësuesi financiar_islame

[15] http://albislam.org/meso/hulumtime_studime/fikh/3209.html

[16] http://www.rrugetepaqes.net/tematemeparshme/tema16.html

[17] http://www.encyclo.co.uk/define/Murabaha

[18] http://www.investopedia.com/terms/m/murabaha.asp

[19] http://www.mortgages.co.uk/islamic-mortgages/forms-of-islamic-finance.html

[20] http://www.kantakji.com/fiqh/Files/Finance/Murabaha.htm

[21] Kamata lufta me Allahun, Shejh Uthejmin, Tiranë, 2004, f.61-62

[22] Hyrje në ekonominë dhe financat islame, grup autorësh, Prishtinë, 2008, f.309

[23] http://www.kantakji.com/fiqh/Files/Finance/Murabaha.htm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>