Ahmed Januzi – Heroi i Vorsklës

jonuzi

Ahmed Januzi është bërë hero i klubit ukrainas, Vorskla Poltava, ku luan edhe mbrojtësi tjetër kosovar, Armend Dallku. 

Me golin e shënuar në minutën e 88-të si mysafir i Karpaty Lvivit (2:2) në xhiron e fundit të kampionatit ukrainas, sulmuesi kosovar ia siguroi Vorsklës pjesëmarrjen në Europa League për edicionin e ardhshëm.

Sulmuesi kosovar ndihet i lumtur për golin e shënuar, me të cilin klubi ukrainas e arriti objektivin; pjesëmarrjen në garat evropiane. Por ai mendon se për këtë sukses meritat i kanë edhe bashkëlojtarët.

“Nuk jam vetëm unë hero që e shënova atë gol. Të gjithë futbollistët e ekipit ishim heronj. Nga fillimi i kampionatit, çdo futbollist e ka dhënë maksimumin për ta arritur objektivin. Në ndeshjen e fundit ishim duke humbur 2:1. Por ne nuk u dorëzuam. Dhamë maksimumin të gjithë dhe e barazuam rezultatin në 2:2, me të cilin rezultat ne siguruam pjesëmarrjen në Europa League”, deklaroi Januzi për Express.

Reprezentuesi i Shqipërisë pati një edicion të mirë me Vorsklën. Disa herë gjatë kampionatit, Januzi ishte shpëtimtar i ekipit të tij duke shënuar dhe asistuar gola. Por, goli i shënuar të shtunën ishte i veçantë pasi i ka çmendur nga gëzimi bashkëlojtarët dhe tifozët.

“Vërtet u gëzova shumë që shënova. U gëzuam të gjithë, sepse jemi munduar shumë ta arrijmë këtë objektiv, të cilin e kishim prej fillimit të kampionatit. Kam marrë komplimente nga të gjithë. Por nuk e ndiej veten hero. Të tillë janë çdo anëtar i Vorsklës”, theksoi ai.

Goli i Januzit bëri që Vorskla kampionatin ta përmbyllë në vendin e gjashtë të tabelës, me 39 pikë të tubuara, duke siguruar pjesëmarrje në garat evropiane. Kjo do të jetë hera e dytë që ky ekip do të garojë në Europa League.

“Kemi bërë pak përvojë në këtë ligë, pasi aty patëm marrë pjesë një herë. Shpresoj që gabimet e atëhershme të mos i përsërisim kësaj radhe dhe të shkojmë sa më lart. Nuk do ta kemi lehtë, sepse aty garojnë skuadrat ndër më të mirat në Evropë. Por ne do ta japim maksimumin”, theksoi 22-vjeçari, i cili mbetet me shpresë që të vazhdojë me gola edhe në ndeshjet e ardhshme ndërkombëtare.

Paraqitjet e mira në këtë stinor kishin detyruar zyrtarët e Vorsklës t’i ofrojnë kontratë të re ish-futbollistit të Kosovës së Vushtrrisë. Januzi kishte vendosur ta nënshkruajë kontratën e re që vlen deri në vitin 2013, pasi te kjo skuadër ka gjetur qetësinë shpirtërore.

“Jam i kënaqur me Vorsklën. Ndihem shumë mirë këtu – si në shtëpinë time, sepse po bëhen pesë apo gjashtë vjet që jam këtu. Njerëzit janë shumë të mirë dhe më respektojnë shumë mua dhe Dallkun. Shpresoj të vazhdojmë me suksese”, u shpreh ai.

Januzi theksoi se tani për tani është i përqendruar vetëm te Vorskla Poltava dhe nuk është duke e menduar transferimin e mundshëm të tij gjatë verës në ndonjë klub të huaj.

“Kampionati përfundoi dhe do të vij për pushime në Kosovë. Kam nevojë të pushoj dhe nuk dua të mendoj diçka tjetër gjatë pushimeve”, përfundoi Januzi, i cili Vorsklës iu bashku në janar të vitit 2005.

Freskirinore.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

REKLAMOHU KËTU...