Beteja e BEDRIT – Luftë qiellore, planifikim në tokë

Afet BEADINI

Para se të flasim për këtë luftë duhet të përmendim se lufta ishte e patjetërsueshme për muslimanët që të mbrohen dhe të ruajnë pasurinë e tyre, e jo se Pejgamberi a.s. e donte luftën. Pejgamberi a.s. ishte një njeri që më së shumti e urrente luftën, por, ai na mësoi neve se në raste kur të sulmohemi ne e kemi për obligim që të mbrohemi. Pejgamberi a.s. ishte paqedashës, dhe gjithmonë është përpjekur të zhdukë çdo mosmarrëveshje që mund të shkaktonte gjakderdhje. Muslimanët kur shkuan në Medinë tërë pasurinë e kishin lënë në Mekë, për të siguruar lirinë e besimit dhe të mendimit e të jetojnë në paqe. Të gjithë atë pasuri të mbetur atje ua morën mushrikët e Mekës që ishin armiqtë e tyre. Prapë se prapë Kurejshët nuk i linin të qetë muslimanët edhe në Medine. Me gjithë që Pejgamberi a.s. nuk e donte luftën, diçka duhej bërë për t’u treguar idhujtarëve se ai që nuk lihet i qetë, është i zoti të mbrojë lirinë e vet. Kur’ani i shenjtë nuk predikon luftë, por thotë: “Luftoni në urdhër të Zotit kur t’ju luftojnë. Mos e filloni ju luftën, se Zoti nuk i do ata që fillojnë luftë” Idhujtarët kanë filluar t’i luftojnë muslimanët në çdo mënyrë dhe muslimanët duhet të mbrojnë veten.

 

Afet BEADINI

Kjo betejë quhet edhe dita e Furkanit, dita ku u nda  e drejta nga e gabuara, ditë kur për herë të parë muslimanët luftuan me jo muslimanët. Provokimet e pandërprera të kurejshëve vazhdonin ngase ata bëheshin më të fuqishëm dhe me pasurinë e muslimanëve i luftonin ata. Ata pritshin momentin e parë që të hakmerren për këtë gjë. Kështu, një ditë muslimanët dëgjuan se Ebu Sufjani, njëri nga prijësit e kurejshëve po kthehej me një karvan të mallrave  me një mijë deve prej Sirie,  i cili kishte bërë tregti me pasurinë e muslimanëve, që e kishin lënë në Meke . Këtu duhet të përmendim se, kthimi i pasurisë së tyre të mbetur në Meke, nuk ishte arsyeja e vetme për ta sulmuar karvanin. Muslimanët nuk mendonin se ata thjesht duhet të mbesin të sigurt në Medinë; ata dëshironin ta përhapin porosinë e Islamit. Prandaj, menduan se mënyra e vetme dhe më e mirë për t’i detyruar kurejshët që ta kuptojnë këtë, është sulmi mbi atë që më së shumti e çmojnë – pra mbi karvanin. Muslimanët u tubuan dhe i thanë Pejgamberit a.s.: “O i dërguari i Zotit,  tash ka ardhur momenti i duhur  që t’i kthejnë prapë disa nga humbjet tona, të hakmerremi.“ Pejgamberi a.s. si gjithmonë pret lajmin prej Allahut, ai nuk mund të veprojë nga mendja e vetë. Disa gjëra konsultative mund t’i bisedojë me shokët, por për çështje të mëdha priste leje nga Allahu. Pejgamberi a.s. nuk u tha shokëve se do të shkojnë në luftë, por ju tha : “Do të dalim dhe do ta ndalim Karvanin  e Ebu Sufjanit”[1]. Ishte muaji Ramazan dhe muslimanët agjëronin. Sa veta dolën? Ata ishin vetëm treqind e pesë burra, shumica prej tyre ensarë, njerëz nga Medineja. Ata kishin me vete tre kuaj dhe shtatëdhjetë deve, mbi të cilat hipnin me ndërrime. Ata u nisën për në Bedër që ishte 150 km larg nga Medina. Ushtria  e mushrikëve kishte  700 deve, 200 kuaj dhe 950 ushtarë. Pra, kjo qartë ishte një dallim shumë i madh në mes këtyre dy ushtrive si në aspektin e burrave që merrnin pjesë në luftë, si dhe në aspektin e përgatitjes. Mushrikët në krahasim me muslimanët në çdo aspekt ishin 3 me një. Por muslimanët dolën që ta marrin karvanin e Ebu Sufjanit. Mirëpo, ndërkohë, Ebu Sufjani e kuptoi planin e muslimanëve dhe menjëherë u dërgoi porosi kurejshëve në Mekë, ku i vinte në dijeni për rrezikun që i kanosej karvanit dhe njëkohësisht u kërkoi edhe ndihmë. Por, ai ishte një njeri shumë i mençur, i cili  kur e dërgoi personin e vet i cili e kishte emrin Damdam të lajmëronte mushrikët tha: “Shko thuaj Ebu Xhehlit se muslimanët kanë dalë të na luftojnë neve”. Nuk i tha se kanë dalë të marrin pasurinë e karvanit tim. Kur të hysh në Mekë, t’i shkyejsh të gjitha teshat e trupit tënd. Pse? Sepse në atë kohë kur dikush sillte ndonjë lajm shumë alarmant,   lajmëtari duhej t’i shkyejë teshat. Kur lajmëtari i ka shkyer teshat njerëzit e kanë marrë vesh se lajmi është shumë serioz. Prandaj Ebu Xhehli i tha se kur të hyjë në Mekë t’i shkyejë teshat dhe t’ju thotë se Muhammedi i kanoset pasurisë së karvanit tuaj dhe ka dalë të na luftojë.

Muhammedi a.s. me muslimanët arritën në fushën e Bedrit, u vendosën në kampin e tyre, duke pritur lajme të reja për karvanin. Pastaj dëgjuan se kurejshët janë nisur nga Meka me një ushtri të fortë. Situata papritur ndryshoi. Ebu Sufjani kur merr vesh se muslimanët janë nisur pas karvanit të tij ai e ndëron rrugën dhe kalon përreth Detit të Kuq në anën e djathtë të Medinës, dhe shpëton karvanin e tyre. Pastaj i lajmëroi kurejshët duke u thënë se karvani ishte i sigurt dhe se do të niseshin për në Mekë. Mirëpo, udhëheqësit e kurejshëve ishin njerëz krenarë dhe kokëfortë. Ata refuzuan të kthehen sepse e kishin ndarë mendjen që, me shkatërrimin e muslimanëve t’u tregojnë të gjithëve se sa të fuqishëm janë.

Në këtë rast muslimanët nuk arrijnë ta marrin pasurinë e tyre. Në këtë rast Pejgamberi a.s. ju thotë muslimanëve: “Allahu më ka lajmëruar se do të bëjmë luftë.” Por muslimanët nuk kishin dalë  për të luftuar, ata kishin dalë që të marrin pasurinë e tyre. Një pjesë prej tyre ishin për gjithçka të gatshëm, por një pjesë prej tyre nuk ishin të gatshëm për luftë, sepse ata nuk kishin dalë për të luftuar. Pejgamberi i All-llahut tha : “Ne duhet t’i luftojmë ata sepse ata kanë ardhur të na luftojnë neve.” Me këtë rast u erdhi edhe kjo shpallje:

“Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje të luftojnë, për shkak se u është bërë padrejtë, e All-llahu ka fuqi për t’u ndihmuar atyre (muslimanëve). (El Haxhxh: 39)[2]

Një pjesë e muslimanëve nuk ishin të rehatshëm, jo se ata nuk donin që të japin shpirtin për All-llahun, por ata thjeshtë nuk kishin dalë për luftë, nuk kishin marrë hallallëk prej familjarëve të tyre, sepse nuk kishin dalë për të luftuar. Tanimë, ata nuk kishin të bënin vetëm me sulmin mbi karvanin, atyre u duhej të luftonin edhe me kurejshët. I Dërguari a.s., i tuboi njerëzit rreth tij që të bisedonin se ç’ duhej të bënin. Së pari Ebu Bekri e pastaj Omeri r.a. folën në emër të muslimanëve që kishin ardhur nga Meka. Ata thanë se do t’i zbatojnë urdhrat e të Dërguarit a.s. Mirëpo i Dërguari a.s. dëshiroi ta dëgjojë mendimin e ensarëve, sepse nuk donte t’i detyronte të bënin atë që nuk donin.

Njëri nga udhëheqësit e ensarëve, Sa’d ibën Mu’adhi, u ngrit dhe tha: “Ne të besojmë ty dhe të betohemi para të gjithëve se ajo që ti e solle ishte e vërteta. Ne ta kemi dhënë fjalën dhe pëlqimin tonë se të të dëgjojmë dhe do t’u bindemi urdhrave tuaja. Pra, nisu nga të duash, ne jemi me ty, madje edhe po të na udhëheqësh drejt e në det.” I Dërguari a.s. u inkurajua shumë nga këto fjalë dhe vendosi që të luftohet. Si pasojë e kësaj, të gjithë kurejshët erdhën ta mbrojnë karvanin. Ishin rreth njëmijë veta dhe kishin dyqind kuaj. U nisën edhe gratë, që me këngët e tyre të t’ju japin përkrahje burrave.

Alij Ibën Ebi Talha transmenton nga Ibën Abbasi r.a.[3] se një natë para luftës së Bedrit ndodhi një ngjarje shumë interesante. Shejtani i mallkuar  si çdo herë, edhe  në këtë natë futi një nxitje në mesin e muslimanëve, një vesvese në zemrat e muslimanëve duke ju thënë, se nëse ju vdisni nesër, do të shkoni  të pa larë te Zoti, të pa pastër, sepse ata kishin udhëtuat 150 km nëpër shkretëtirë dhe ishin të papastër e të pluhurosur. Pra, këtë gjë mund ta mendojë vetëm djalli i mallkuar. Pra në natën e Bedrit u hap në mesin e muslimanëve kjo nxitje e shejtanit se  nëse vdesin do të shkojnë të palarë te Zoti. All-llahu gjithmonë është me muslimanët. Kur nuk është All-llahu me besimtarët? Vetëm atëherë kur muslimanët nuk janë me All-llahun. Përndryshe All-llahu gjithmonë është me muslimanët.

Për këtë ngjarje All-llahu xh.sh thotë:

“Dhe kur Ai ju kaploi me një kotje (gjumë) që ishte siguri për ju nga ana e Tij, ju lëshoi shi nga qielli për t’ju pastruar me të, largoi prej jush të shtimet e shejtanit, e që të fuqizojë bindjen në zemrat tuaja dhe që t’ju përforcojë me të (me shi) këmbët tuaja.” (El-Enfalë:11)

 Nga ky ajet kuptojmë se All-llahu xh.sh këtë natë e bëri që muslimanët ta heqin këtë vesvese prej zemrave të tyre. Çka bëri? Bëri që muslimanët t’i kapë një gjumë i lehtë, sepse sikur të mos i zinte gjumi ata do të hynin nëpër shatorë dhe nuk do t’i lante shiu. Jo nuk i la All-llahu që të hyjnë nëpër shatorë, pra kjo është një nga urtësitë e Allahut, pasi që, Ai e dinte nxitjen që ishte përhapur në zemrat e tyre, prandaj posa ata  u ndalën të pushojnë të gjithë i zuri gjumi. Vetëm Pejgamberi a.s. nuk flinte, ai bënte dua[4]. Pse i zuri gjumi? Allahu xh.sh e bëri që ata t’i zë gjumi, që shiu t’i lajë dhe t’i pastrojë mirë ata, që ta plasje shejtanin e mallkuar, i cili i futi nxitjen në zemrat e tyre se si do të shkonin te Zoti të pa larë. Pra, ky shi, atë natë nuk ishte një shi i thjeshtë, por ishte një shi i cili nuk i pastroi vetëm trupat e tyre, por i pastroi edhe zemrat e tyre. Urtësia tjetër e këtij gjumi që ua dërgoi All-llahu xh.sh. natën e Bedrit ishte si siguri për të mbrojtur muslimanët nga frika e cila mund të paraqitej në mesin e tyre, ngase numri i armiqve të tyre ishte shumë i madh, ndërsa ata ishin pak. Ibni Kethiri në tefsirin e tij na tregon se kështu ndodhi me muslimanët edhe në natën e Uhudit. [5]Kur u doli gjumi në mëngjes më asnjë musliman nuk mendonte se nuk ka ardhur për të luftuar, por ata më ishin të përgatitur për të luftuar.

Të premten në mëngjes, më shtatëmbëdhjetë të Ramazanit, viti 2 i Hixhretit (17 mars 623 e.r.)[6], dy ushtritë u nisën dhe iu afruan njëra- tjetrës. Në Bedër kishte një luginë me burime nga ana e Medinës dhe në këtë vend u vendosën muslimanët me propozim të Habbab ibnul Mundhirit[7], duke lënë luginën dhe burimet prapa tyre. Ndërkohë, kurejshët u vendosën në anën tjetër të luginës. Muslimanët groposën një rezervuar, e mbushën me ujë nga njëri prej burimeve dhe e rrethuan. Më pas i thanë të gjitha burimet e tjera. Kështu, ata kishin ujë me bollëk për vete, kurse mekasve u duhej të kalonin luginën dhe të luftonin me muslimanët me qëllim që të furnizohen me ujë. Kur Pejgamberi a.s. e pa ushtrinë e madhe të kurejshëve që me flamujt dhe zhurmën e daulleve po zbriste nga kodra në luginë, filloi të lutet për ndihmën, të cilën All-llahu ia kishte premtuar. Këto ishin disa nga fjalët e tij:

” 0 All-llah, ja se ku vijnë kurejshët plot fodullëk e krenari, që Ty të kundërshtuan, ndërsa të Dërguarin Tënd e quajtën gënjeshtar. 0 All-llah, në qoftë se ky grup i vogël (muslimanësh) sot shkatërrohet, atëherë në tokë nuk do të mbesë askush që të të adhurojë Ty”[8].”Në këtë rast i erdhi Xhibrili a.s. i cili tha: “O Muhammed, merr një grusht me dhe dhe gjuaji mushrikët në fytyrat e tyre”. Muhammedi a.s. mori një grusht dhe i gjuajti në fytyrat e mushrikëve. Dheu që e gjuajti goditi çdo mushrikë në gojë, sy dhe hundë.[9]

©2009 FRESKIRINORE | Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

“Përkujtoni, kur kërkuat ndihmë prej Zotit tuaj, e Ai ju është përgjigjur: -Unë do t’ju ndihmoj me një mijë engjëj që vijnë një pas një (grup pas grupi). Allahu nuk e bëri atë (ndihmën) për tjetër, vetëm që t’ju gëzojë (t’u japë myzhde) dhe për t’i forcuar (qetësuar) me të zemrat tuaja, pse ndihma në realitet është vetëm prej All-llahut. All-llahu është mbizotërues dhe i urtë.”(El Enfalë: 9-10)

Beteja në fillim filloi ashtu siç e kishin zakon arabët që përpara betejës të nxjerrin njerëz në dy luftim edhe atë  tre njerëz të rëndësishëm të kurejshëve bënë një hap përpara dhe kërkuan dyluftim. Pejgamberi a.s. nxori Aliun, Hamzanë dhe Ubejd ibën Harithin që të luftojnë me ta. Menjëherë pas kësaj, Hamza dhe Aliu i vranë kundërshtarët e tyre. Sa i përket Ubejdit, ai e kishte plagosur kundërshtarin e tij, por ishte plagosur edhe vetë. Dy shokët e tij e vranë mekasin e plagosur dhe e bartën Ubejdin në vend të sigurt, te radhët e muslimanëve. Pas kësaj dy ushtritë u vërsulën mbi njëra-tjetrën, ndaj lufta u përhap në të gjitha anët. Qielli u mbush me shigjeta. Ushtria muslimane e mbrojti tokën e vet përballë ushtrisë së madhe të kurejshëve, dhe, edhe pse muslimanët ishin me të paktë në numër, ata arritën një fitore të madhe, duke e shkatërruar kështu ushtrinë e mekasve dhe duke vrarë shumë prej prijësve të tyre. Ndër ta ishin edhe Ebu Xhehli dhe Umejjeh ibën Halefi[10], i cili u vra nga robi i vet i mëparshëm Bilali. Kur e panë se gati të gjithë udhëheqësit e tyre u vranë, pjesa tjetër e kurejshëve u tërhoq. I Dërguari a.s. çoi fjalë në Medinë që t’u tregojnë për fitoren. Pastaj i mblodhi plaçkat e luftës dhe i ndau ndërmjet muslimanëve në mënyrë të barabartë. Këtë luftë nuk e pëlqeu shejtani i mallkuar, për të cilin Pejgamberi a.s. ka thënë:

 “Asnjëherë nuk e kam parë më të dëshpëruar shejtanin, se sa në ditën e Bedrit dhe në ditën e Arafatit”.

Pse? Sepse në këtë betejë shejtani i mallkuar pa tre mijë melekë të cilët u dolën në ndihmë muslimanëve, dhe ata nuk ishin melekë si melekët tjerë, për këto melekë ishin si forca speciale të All-llahut, pasi që All-llahu xh.sh në Kur’anin Famëlartë i quajti Musaviminë – të ushtruar mirë, të ushtruar special për këtë luftë. Për këtë ngjarje All-llahu xh.sh. na tregon në Kuran:

“All-llahu u ndihmoi juve në Bedër kur ju ishit pak në numër, e për të qenë mirënjohës, keni frikë nga Zoti. Kur ti u thoshe besimtarëve: “A nuk është mjaft për ju që Zoti juaj t’ju vazhdojë ndihmën me tre mijë engjëjt e zbritur”? Po, nëse jeni të qëndrueshëm e të matur, e ata (armiqtë) t’ju vinë tash në këtë moment, Zoti juaj ua vazhdon juve ndihmën me pesë mijë prej engjëjve të ushtruar (për luftë) ose të shënuar. /Ali Imran 123-125/

“Ju nuk i mbytët (në të vërtetë) ata, por Allahu (me ndihmën që ua dha) i mbyti ata, dhe ti nuk i gjuajte[11](në të vërtetë) kur i gjuajte ata, por Allahu (të ndihmoi) i gjuajti, e (bëre këtë) për t’i shpërblyer besimtarët me një dhunti të mirë nga ana e Tij. Allahu dëgjon dhe di gjithçka.” (El-Enfalë:17)

Po ashtu shejtani është i dëshpëruar në ditën e Arafatit kur ti shkon në haxhxh. Pse? Sepse shejtani i mallkuar habitet dhe thotë se si mund që All-llahu të gjithë këtyre njerëzve që kanë ardhur me shumë gjunahe, t’ua falë gjynahet e tyre.

Disa nga mekasit u zunë robër, ndërsa i Dërguari a.s. urdhëroi që ata të trajtohen mirë. Tregohet se në këtë luftë u zunë robër 70 mushrikë. Se çka ndodhi me robërit e Bedrit, më pëlqejnë shumë vargjet që janë të shkruara në Mevludin në gjuhën shqipe për këtë ngjarje, dhe besoj se për këtë ngjarje nuk mund të gjejë fjalë dhe shprehje më të mira, se sa fjalët që janë thurur në këto vargje të mevludit për trajtimin e robërve të Bedri.[12]

 

Robët e Bedrit po bërtasin: mjerë për ne!

Vdekja na pret rrugëdalje tjetër s` ka për ne.

 

Tubim bëhet, propozime të shumta ka

Dikush varrje, dikush gjakun do me marrë

 

Dashamiri i diturisë vendim dha

Të vobektit të lëshohen pa dhënë gja

 

I arsimuari dhjetë muslimanë ka për të mësu’

Për këtë dhuratë lirinë ka për ta fitu.

 

Theve prangat e robërisë, o Mustafa!

Çele dyert e diturisë o nuru arshil-lah!

 

S`deshe injorantë të kesh në rreshtat tu

Na e mësove lumturinë dhe xhennetin me fitu’.

 

Gjithë ummetit trashigimin ua ke ndarë

Mëso dijen prej djepi e deri në varr

 

Andaj vëllazër mos medoni se është vonë

T` mësojmë Kur` anin nëse duam të përparojmë

 

Se Kur` ani të gjitha lëmitë i shpjegon

Zbritja e tij e ndriçoi jetën tonë

 

Muhamedi për dituri ummetin urdhëron

Gjithë ummeti salevat me gjithë zemër i çojnë.

 

Nga këto vargje kuptojmë se çfarë vlere i jep Muhammedi a.s. diturisë. Ai në vend të robërisë i dha përparësi diturisë, sepse ai nuk deshi që të ketë injorantë në mesin e tij, prandaj edhe urdhëroi që çdo rob i zënë, për lirinë e tij, t’u mësojë 10 muslimanëve shkrim- leximin. Muhammedi a.s. për diturinë ka folur në më shumë se njëqind hadithe por në vijim do të përmendim disa prej tyre:

Nga Ebu Hurejreja r.a.[13]. transmetohet se ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e All-llahut s.a.v.s. duke thënë: “Bota është e mallkuar dhe çdo gjë e saj është e mallkuar, përveç përmendja e All-llahut dhe asaj që shpie nga Ai dhe çka pason pas Tij, dhe njeriut të ditur dhe atij që mëson.” (Tirmidhiu, i cili thotë se ky është hadith hasen)[14]

Nga Ebu Hurejreja r.a. transmetohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s. ka thënë: “Kush niset në rrugë që të kërkojë dituri, All-llahu do t’ia lehtësojë rrugën për në Xhennet.” (Transmeton Muslimi).[15]

Pas mbarimit të luftës Pejgamberi a.s. çdo muslimani i dha nga një rob të luftës nën përkujdesjen e tyre, me kërkesë që ndaj tyre të sillen mirë. Ata që nuk kishin tesha, i veshën muslimanët. Robërit uleshin bashkërisht me muslimanët në tavolinë për të ngrënë, ndërsa kishte raste kur muslimanët robërve ju jepnin bukë ndërsa për vete i linin thërrmijat e bukës, pasi që këtë porosi të Pejgamberit a.s. e kishin marrë me shumë seriozitet[16] All-llahu xh.sh në Kur’an thotë:

“Ata janë që për hir të Tij u japin ushqim të varfërve, jetimëve dhe të zënëve robër. Ne po ju ushqejmë vetëm për hir të All-llahut dhe prej jush nuk kërkojmë ndonjë shpërblim e as falënderim.”[17]

Pejgamberi a.s. në shumë hadithe të tij ka urdhëruar që të sillemi mirë me robërit, bile kjo ka qenë edhe njëra ndër porositë e tij të fundit :

”Kujdesuni për namazin  dhe për ata që janë nën kujdesin tuaj.”[18]

Në këtë betejë muslimanët dalin fitimtarë. Ata fituan me ndihmën e All-llahut xh.sh., të cilën ndihmë e merituan  , sepse ata as që ishin të përgatitur për luftë, e as që ishin në numër të mjaftuar, as që kishin ushqim të mjaftueshëm, po bile   edhe një pjesë prej tyre nuk ishin në luftë.

Nga kjo betejë duhet të marrim disa këshilla.

Ndër porositë esenciale të luftës së Bedrit është  fakti se nuk është e rëndësishme kundër kujt lufton, por e rëndësishme është se sa je i pajisur me iman për ta përballuar armikun. Nëse mbështetesh në ndonjë forcë tjetër, pos All-llahut xh.sh. do të dështosh. Nëse i shohim  ngjarjet që kanë ndodhur në kohën e fundit me muslimanët e Bosnjës  do të shohim se nëse mbështetësh në Kombet e Bashkuara, ata do të reagojnë pas tre muajsh, respektivisht  pas masakrës në Srebrenicë. Ushtarët holandez ishin asistentë të vrasjes së muslimanëve dhe pas 10 vitesh do të kërkojnë falje për këtë ngjarje. Mos prit ata të reagojnë sepse ata kur do të reagojnë, reagimi i tyre është vetëm për të informuar se sa vetë janë vrarë. Ata mund ta ndalonin masakrën, aty ishin pse nuk e ndaluan?! Puna që e bënin ata ishte vetëm se t’i bartin të plagosurit me helikopter nëpër spitalet e Sarajevës, e jo të ndalin vrasjen e tyre. Prandaj, në këtë luftë Pejgamberi a.s. nuk priti ndihmë prej dikujt tjetër, por për çdo nevojë, problem apo vështirësi kërkoi ndihmë  prej All-llahut xh.sh., prej  Atij që ta dha jetën, të dha shëndetin, të dha pasurinë dhe të gjitha të mirat tjera të panumërta. Mësimet tjera që duhet t’i marrim nga kjo ngjarje janë: e vërteta do të triumfojë, kurse gënjeshtra do të humbë; sinqeriteti është kusht shumë i rëndësishëm në veprimtari të ndryshme; këshillimi me njëri tjetrin është i patjetërsueshëm; një popull që ka harruar  të kaluarën, nuk e njeh të ardhmen e vetë. Lutja sjell fitore, kërko ndihmë nga All-llahu, mbështetu tek All-llahu sepse ai është i fuqishëm për çdo gjë.

Befasia më e bukur dhe ngjarja më e urtë është ardhja e Bajramit të parë musliman në Islam. Ky është Ramazan Bajrami, i cili ka ardhur në muajin Shevval të vitit 2 H., menjëherë pas fitores së vërtetë dhe të madhe në Bedër. Nuk ka mundur të jetë festë më e madhe se ky Bajram, i cili është shpallur me dispozitën e All-llahut xh.sh. që të kurorëzojë suksesin dhe fitoren.

“Dhe kujtojeni (kohën) kur ishit pak në numër, ju konsi­deronin të dobët dhe kishit frikë se mos t’ju përlajnë në Tokë; e All-llahu ju strehoi (në Medinë) dhe ju përforcoi me ndihmën e Tij dhe ju furnizoi me ushqim të pastër që t’i bëheni mirënjohës.” (8, 26).



[1] MUHAMED Hamidullah, Muhamed a.s– I-Sarajevo 1983 fq,195

[2] Transmenton Ahmedi se Ibën Abasi ka thënë: ky ajet kuranor është ajeti i parë që flet për luftën.Tefsir ibn Kesir – Sarajevo 2002 fq 874

[3] Tefsir ibn Kesir – Sarajevo 2002 fq 512

[4] Tefsir ibn Kesir – Sarajevo-2002 fq 512

[5] Tefsir ibn Kesir – Sarajevo 2002 fq 511

[6] Tefsir ibn Kesir – Sarajevo 2002 fq 226

[7] Tefsir ibn Kesir – Sarajevo 2002 fq 512

[8] MUHAMED Hamidullah, Muhamed a.s– I-Sarajevo 1983 fq,197

[9] Tefsir ibn Kesir – Sarajevo 2002 fq 514

[10] MUHAMED Hamidullah, Muhamed a.s– I-Sarajevo 1983 fq,197

[11] Ibën Kethiri këtë ajet kur’anor: dhe ti nuk i gjuajte (në të vërtetë) kur i gjuajte ata, (El-Enfalë:17)e shpjegon: All-llahu ishte Ai që i gjuajti me dhe fytyrat e tyre e jo ti. Ali Ibën Ebi Talha transmenton nga Ibën Abbasi r.a. se në luftën e Bedrit Muhammedi pasi  bëri një lutje, i erdhi Xhibrili a.s. i cili tha: O Muhammed  merr një grusht me dhe dhe gjuaji mushrikët në fytyrat e tyre. Muhammedi a.s. mori një grusht dhe i gjuajti në fytyrat e mushrikëve.Dheu që e gjuajti e goditi çdo mushrikë në gojë, sy dhe hundë. Disa dijetarë thuan se njëjtë kështu ka vepruar Pejgamberi a.s. edhe në Ditën e Hunejnit- Tefsir ibn Kesir – Sarajevo 2002 fq 514

[12] Farudin Osmani, Mevludi – Shoqata Ilmije BIM- Shkup

[13] Imam Neveviu,Rijadus-Salihin KBS, Prishtinë, 2004, Nr,325 fq,392

[14] Imam Neveviu,Rijadus-Salihin KBS, Prishtinë, 2004, Nr,325 fq, 1389

[15] Po aty, e njëjta faqe.

[16] MUHAMED Hamidullah, Muhamed a.s– I-Sarajevo 1983 fq, 197

[17] Kur’an 76:8-9

[18] Tefir Ibn Kethir, Sarajevo 2002, fq, 1456

 

Autor: Afet BEADINI

Pershtati: K.M.

Publikoi: SH.S

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Close