2:12 pm - Wednesday January 17, 2018

Mashtrimi, nuk është standard i Islamit

Mehas Alija

Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.

***

“O ju njerëz, s’ka dyshim se premtimi i All-llahut është i vërtetë, pra të mos u mashtrojë juve jeta e kësaj bote dhe të mos u mashtrojë juve ndaj All-llahut ai i mashtruari (shejtani).” (El-Fatir, 5)

Të nderuar vëllezër e motra,

Mashtrimi është një fenomen mjaft i rrezikshëm në shoqëri. Ai tani te shumë njerëz është bërë element i rëndësishëm në marrëdhëniet ndërnjerëzore, politike, idiologjike, apo edhe në fusha të tjera.

Ne sot jemi dëshmitarë të mashtrimeve të ndryshme në botë. Mashtrohemi se kush e sundon botën; mashtrohemi në luftë e në paqe; mashtrohemi në drejtësi; mashtrohemi në familje; mashtroheni në fe. Ajo që tronditi botën këto ditë tregon qartë se te njerëzimi, liria, sinqeriteti, çiltërsia, besimi, drejtësia, etj., janë vlera të humbura dhe se ato janë zëvendësuar me dredhi, mashtrim, manipolim, keqpërdorim, e çfarë tjetër më keq.

Mashtrohemi se kush është vrasës, e kush viktimë, kush ka të drejtë e kush është fajtor; Mashtrohemi me figurën e Muhammedit a.s., duke bërë një portret të panjohur për ne, mashtrohemi se nuk ofendohemi dhe dredhohet e drejta për t’u shpreh lirshëm, ndërkohë që na mohohet e drejta për t’u ndjerë të lirë në fe. Vallë, ky mashtrim i kujt është? Standart i cilit qytetërim është?

Vëllezër të dashur, mashtrimi nuk ka kufi te njerëzit e pa fe. Ai që nuk i ka frikë Zotit, ai nuk di se ç’është mashtrimi. Nëse do të ishim pajtuar se njerëzimi sot vuan prej shumë halleve, atëherë, pa dyshim, se njëri nga shkaqet e kësaj gjendje është edhe jo korrektësia në marrëdhëniet ndërnjerëzore.

Feja jonë e bukur këtë lloj të vesit e ka cilësuar si fatalë, si në këtë botë, ashtu edhe në botën tjetër. Ja, shikoni pra, se si pejgamberi ynë i dashur, Muhammedi a.s., me pak fjalë e ka treguar fytyrën e vërtetë të mashtrimit. Ai thotë:  “Amaneti sjell rizk, e mashtrimi sjell mjerim dhe varfëri”. 

Në hadithin tjetër Pejgamberi a.s., thotë: “Nuk është prej neve ai që na tradhton (mashtron)”.(Muslimi dhe Tirmidhiu).

Kurse në një hadith tjetër: “Kush na drejton armën nuk është prej nesh dhe kush na mashtron nuk është prej nesh”. (Muslimi)

Xhemat i respektuar, bota sot ka nevojë për drejtësinë e Islamit dhe mësimin e Muhammedit a.s. Por ka nevojë edhe për kujdesin dhe maturinë tonë.

Njerëzimi ka nevojë për një sistem që pengon të ndodhin belatë dhe fatkeqësitë. Sot, ka nevojë të madhe, ashtu si shprehet edhe Allahu në ajetin që citova në fillim, që dikush të na përkujtojë Zotin dhe të na ruaj nga mashtrimi i kësaj jete dhe nga mashtrimi i djallit të mallkuar.

Për fund, të dashur vëllezër e motra, dëshiroj t’ju porosisë: Kujdes nga ajo që na servohet, qoftë kjo produkt ushqimor, apo produkt mendor, politik, fetar e intelektual. Mashtrimet janë gjithandej. Mjafton, për këtë kohë tonën, që ne të mos bëhemi pjesë e tyre.

Do ta përfundoj këtë hutbe me një thënie të urtë shqiptare, ku thotë: “Atë që tradhton e mashtron, as varri nuk e donë”.

(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, më 16.01.2015, nga imami i xhamisë, Hfz. Mehas Alija)

(Islampress)

#SHPËRNDAJE POSTIMIN TA LEXOJNË EDHE TË TJERËT!

Filed in: Hudbe, Postime t'reja

No comments yet.

Leave a Reply