Falënderimi i takon Allahut xh.sh., salatet, selamet, bekimet i takojnë krijesës më të përkryer pejgamberit të fundit të Allahut Muhamedit a.s..

I nderuari xhemat,

I Madhi Allah në Kur’anin Fisnik ka urdhëruar:

“Pa dyshim, kush e pastron nefsin (nga të këqijat), ka shpëtuar, kurse kush e zhyt atë në të këqija, ka humbur!” (Shems, 9-10)

Pastrimi i nefstit para së gjithash bëhet duke filluar nga mohimi (kufri), injoranca, ndjenjat e këqija, bindjet e gabuara, morali i keq, respektivisht pastrim nga të gjitha llojet e gabimeve të besimit (itikadit), moralit (ahlakut) dhe praktikës (adhurimit) që bien në kundërshtim me sheriatin islam. Si rrjedhojë, pas pastrimit dhe mbrojtjes nga të këqijat, njeriu duhet të furnizohet me frymë shpirtërore e cila njeriun do ta bart, do ta edukojë dhe do ta stolis me besim, takva, dituri, urtësi ndjenja të mira dhe shprehi të bukura

Kur nefsi ndiqet pa masë, bëhet shkak për një fatkeqësi të përjetshme, kurse kur edukohet dhe nënshtrohet, bëhet një pretekst përfitimi që e lartëson njeriun në një pozitë mbi melekët!

Në edukimin e shpirtit rol të rëndësishëm luan edhe, këndimi i Kur’anit i cili është më e drejta dhe më e bukura e fjalëve dëgjimi me veshin e zemrës i këshillave dhe porosive të tij dhe zbatimi i urdhrave të tij, janë preteksti më i madh për përmirësimin e nefsit. Në një hadith të të Dërguarit të Allahut thuhet: “Gjëja nga e cila frikësohem më shumë për ummetin tim, është se mos bëjnë sipas dëshirave të nefsit”.

Njeriu i cili e rregullon jetën nën orientimin e Kur’anit, shpëton nga e keqja e nefsit dhe trazimet e djallit dhe jeton duke kërkuar vetëm pëlqimin e Zotit si rrjedhojë e kësaj, zemra i bëhet e merituara e shfaqjeve hyjnore. Për njeriun që arrin në këtë gjendje, hapet një dritare shpirtërore për të parë përtej kushteve të kësaj bote dhe gjithësia shndërrohet në një libër madhështor. Atëherë, asnjë besimtar nuk duhet të rrijë indiferent ndaj urdhrave dhe ndalimeve hyjnore që përmbahen në Kur’an, nuk duhet ta hedhë në rrezik lumturinë dhe shpëtimin e tij të përjetshëm!

O Zot na bëj prej atyre që kujdesen për nefsin e vet, dhe largohen nga veprat e këqija.

O Zot na bëj posedues të moralit të lartë, të virtytshëm ne pamje, të sinqertë në fjalë

dhe të besueshëm në fillim tek Ti dhe pastaj tek ata që na rrethojnë.