2:12 pm - Wednesday January 17, 2018

“Zgjohu o Omer, është koha e namazit!”

Xhemat i nderuar

Hutben që e kam përgatitur për këtë ditë xhumaje, së pari ia kushtoj vetes, familjes sime, pastaj juve dhe të gjithë atyre që do ta lexojnë. Hutbeja e kësaj xhumaje do të bëjë fjalë përsëri për namazin, vlerën e tij dhe për ndikimin që ka ai në jetën e besimtarit apo besimtares.

Pas shehadetit se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut xh.sh. dhe se Muhammedi a.s., është i dërguari i Allahut dhe rob i Tij, nuk ka ndonjë punë tjetër më të mirë, me të vlefshme dhe me më prioritet se sa falja e namazit. Namazi është njëra prej shtyllave të Islamit. Njëri prej farzeve të Islamit, për mos kryerjen e të cilit nuk ka arsye, përveç atyre që janë të pakta dhe që vetë Allahu i ka caktuar. Kurse te obligimet e tjera ka kushte dhe nëse ato plotësohen, atëherë mund të kryhen, sikur që është zeqati, haxhi dhe agjërimi.

Kur është në pyetje namazi, për lënien e tij nuk ka arsyetim. Ai i cili nuk mund ta falë në këmbë, e falë atë duke qenë ulur, e ai që nuk mund as ulur ta falë, e falë atë duke qenë shtrirë, dhe kjo vazhdon kështu deri sa njeriu të ketë vetëdije dhe mund ta lëviz qoftë edhe një gisht.

Se sa i rëndësishëm është namazi shihet qartë edhe në suren En-Nisa, ku Allahu xh.sh. ka mësuar muslimanët që, edhe në luftë kur të jenë, ta falin namazin në një formë dhe mënyrë të caktuar. Madje, sikur thotë Kur’ani, edhe gjatë zhvillimit të bejtës, muslimanët do ta falin namazin kështu: Së pari njëri grup do ta falë një reqatë, kurse grupi tjetër do të luftojë, pastaj grupi i parë kthehet në frontë, për t’i dhënë mundësi grupit tjetër, dhe kështu, reqatë pas reqati e falin namazin deri në fund.  (Shih sure En-Nisa, ajeti 102).

Hz. Omeri u ther me thikë gjersa ai ishte imam dhe ua falte namazin e sabahut muslimanëve, kështu që nga humbja e madhe e gjakut, nuk pati mundësi t’ua falë reqatin e dytë xhematit. Pasi që e kishin dërguar në shtëpinë e tij, me t’u vetëdijesuar, e dini se ç’pyeti fillimisht? Ai pyeti: A e fala namazin? Njerëzit i thanë: Të ka ngelur edhe një reqatë. Ai u ngrit për ta falur namazin, mirëpo përsëri e humbi vetëdijen. Pas disa tentativave dhe dështimeve për ta plotësuar namazin, më në fund arrin që ta kryejë atë.

Në një transmetim tjetër thuhet se edhe pas shumë thirrjeve për ta zgjuar hz. Omerin, nuk kishin arritur ta vetëdijesojnë, përveçse atëherë kur dikush nga të pranishmit e kishte thirrur: Hajjales-salah, ja Omer – Zgjohu o Omer, është koha e namazit”, atëherë ai kishte thirrur: “Ja erdha, erdha, menjëherë.”

Vëllezër dhe motra të nderuara

A mund që dikush pas këtyre shembujve të gjej arsye dhe të thotë se nuk kam kohë për namaz, se jam i zënë, se jam i sëmurë, se kam punën, kam familjen, kam fëmijët, se kam shumë telashe dhe probleme? Nëse themi se nuk kemi kohë, le të kujtojmë sahabet, të cilët edhe në flakën e luftës, të udhëhequr nga Muhammedi a.s., gjenin kohë për t’u falur, gjenin kohë për Allahun, edhe pse në çdo moment ishin të kërcënuar nga shpata; ndërsa ai që thotë se jam i sëmurë, le ta kujtojë hz. Omerin r.a., i cili u ther me thikë të helmuar, ku si pasojë organet e brendshme të organizmit i dolën përjashta, kështu që, pas disa tentativave, arriti që ta plotësojë edhe reqatin e fundit të namazit në fund të jetës së tij.

Për dikë ndoshta këta shembuj janë të pabesueshme, mirëpo dallimi i vetëm midis neve dhe të parëve tanë është se ata vërtetë e kishin kuptuar se nuk ka jetë dhe Xhennet pa namaz, ndërkohë që disa muslimanë sot çështjen e namazit e shohin si çështje të dorës së dytë apo të tretë dhe thonë se do të falemi ateherë kur të kemi kohë apo kur të plakemi, ose atëherë kur nuk do të kenë diçka më të rëndësishme për të bërë. Kafeja, çaji, qejfet, të gjithë mund të presin, por namazi nuk pret. Për namazin, duhet të gjejmë kohë patjetër.

Subhanallah. Sa ka prej muslimanëve sot që nuk falin rregullisht pesë namazet ditore? Sa muslimanë ka që falin vetëm namazin e bajramit, e sa të tjerë ka që falin vetëm namazin e xhumasë, e ka të tjerë që asnjëherë nuk falen, vetëm se atëherë kur xhemati, pasi të vdesin, ua falin namazin e xhenazes. Të paktë kanë ngelë ata që falen vazhdimisht, e shumë më pak prej atyre që namazet mundohen t’i falin në xhami, me xhemat. E shini, pra, vëllezër ku kemi arritur?

Kur Allahu x.sh. do t’i pyes banorët e Xhehennemit se pse janë duke u dënuar në zjarrin e tij, do të përgjigjen: “Ne nuk ishim prej atyre faleshin namaz, dhe as prej atyre që ushqenin të varfrit. Ne futeshim në biseda të kota me llafazanët dhe mohonim Ditën e Llogarisë, deri sa na erdhi vdekja.” (Muddethir, 43-46).

Shihni pra, arsyja e parë që do ta thonë banorët e xhehennemit është: “Ne nuk ishim prej namazlinjve.”

Muhammedi a.s., në një hadith thotë: “Ndërmjet njeriut, idhujtarisë dhe qufrit (pabesimit) është lënja e namazit.”

Ajetin të cilin e cituam në fillim, ku Allahu xh.sh. thotë: “dhe fale namazin, sepse vërtetë namazi të ruan nga veprat e liga dhe të shëmtuara, ndërsa përmendja e Allahut është gjëja më e madhe. Allahu di gjithçka që ju bëni.” (Ankebut, 45), dijetari dhe sahabiu i shquar Ibn Mes’udi r.a. thotë: “Cilindo që namazi i tij nuk e nxit për të bërë vepra të mira dhe nuk e largon nga veprat e këqija, namazi i tillë vetëm se bëhet sebet që ai të largohet edhe më shumë nga Allahu xh.sh.

Kush dëshiron të kuptojë saktësinë e namazit të vet dhe se a është i pranuar ai te Allahu, le t’i shikojë veprat e tjera të tij. Nëse janë të mira, edhe namazi i tij është i mirë, e nëse dëshmon e kundërta, atëherë urgjentisht le ta ndryshojë sjelljen e tij me namazin. Namazi është të qëndrosh me dinjitet para Allahut xh.sh., prandaj dhe ai na kujton pesë herë në ditë daljen përpara Allahut xh.sh. në Ditën e Gjykimit. Besimtari i cili pesë herë në ditë, me faljen e namazeve, e kujton këtë gjykim, atëherë me siguri se sjelljet e tij nuk mund të jenë të ulëta, me sharje e ofendime, por përkundrazi.

Namazi është shumë i dobishëm dhe pozitiv edhe në këtë botë. Ai i cili vazhdimisht dhe me rregulla e falë namazin, me siguri se ka me qenë një person me stabilitet psikik, i ruajtur mirë nga depresioni, skizofrenia dhe nga situata të tjera stresuese. Hukmi që namazi të falet në kohën e caktuar e mëson njeriun që ai të ketë kujdes në organizimin e kohës së tij, e mëson atë që në jetë të jetë i saktë dhe preciz. Besimtari i cili di t’ia jep hakun namazit, ai nuk vonohet në terminin e caktuar, pasi që kjo nuk është shprehi e tij, ai nuk vonohet në orën e mësimit, pasi që namazi e ka mësuar se disa gjëra në jetë nuk duhet të lëshohen nga koha e caktuar, dhe se çdo gjë ka më shumë vlerë, kur ajo kryhet në kohën e vet. Ashtu sikur që kemi kalendarin që na tregon kohët e namazit, besimtarët duhet të kenë kalendarin e tyre ndaj obligimeve të tjera të jetës.

Allahu i Madhëruar thotë: “O ju të besës islame, kërkoni ndihmë dhe mbështetje në durim dhe namaz. Me të vërtetë Allahu është më ata që bëjnë sabër.” (Bekare, 153).

Kurse në një hadith kudsi thuhet: “Vendet më të mira në këtë botë janë xhamitë, kurse njerëzit më të mirë janë ata të cilët të parët hyjnë në to dhe kur dalin, dalin të fundit.”

Allahu na udhëzoftë në rrugën e Tij të drejtë dhe na forcoftë në të. Amin!

 

(Hutbeja e xhumasë, 13.05.2016, Xhamia El-Hidaje, nga imami hfz. Mehas Alija)/FRESKIRINORE

Burimi: Islampress
Përshtati : Freskirinore.com

#SHPËRNDAJE POSTIMIN TA LEXOJNË EDHE TË TJERËT!

Filed in: Hudbe, Postime t'reja

No comments yet.

Leave a Reply