12:06 am - Friday April 28, 2017

Nga Rovena TUJANI-KLINAKU: Mëkati nuk ka gjini

Shkelësit e kurorës (rasti i tradhtisë bashkëshortore) janë pa diskutim prej atyre që bëjnë veprën më të keqe dhe më të dëmshme për shoqërinë dhe familjen. Madje, sipas mendimit tim, kjo vepër duhet të gjykuar si vepër penale dhe shkelësit duhet të japin  llogari edhe përpara gjykatës. Në një rast të ndodhur disa ditë më parë tregohet qartë mentaliteti dhe forma e gjykimit të shoqërisë sonë. Një person, për arsye xhelozie (të faktuara si tradhti), vret bashkëshorten. E gjithë shoqëria, në rastin e varrimit, shkoi për “të pame” vetëm tek fqinji-mashkulli, ndërkohë që të ndjerën, femrën, e varrosën vetëm familjarët e afërm. Vrasësi në këtë rast u duartrokit nga shoqëria, sepse ai ka ruajtur nderin dhe dinjitetin e familjes. Por sa burra në këtë të pame, e që e kanë duartrokitur këtë burrë të ndjerë, bisedat e tyre për tradhti i shohin si diçka normale? Madje shumë pre tyre flasin edhe me krenari. E gjithë kjo sikur gjynahu për burrin është krenari, e për femrën turp. Tani, pyetja ime është, nëse ne si shoqëri duartrokasim këtë formë gjykimi, ose, më mirë, vetëgjykimi, a duhet t’i nxisim dhe të gjitha femrat e tradhtuara t’i vrasin partnerët e tyre?

Shteti ligjor thotë që përpara ligjit të gjithë jemi të barabartë. Konventat ndërkombëtare të drejtësisë thonë që përpara ligjit jemi të barabartë. Madje revolucioni më i madh njerëzor në drejtësi, e që buron nga drejtësia hyjnore, është barazia dhe drejtësia midis gjinive. Nëse Zoti me gjykimin e Tij suprem do të na gjykojë pa dallim gjinor, nëse gjykatat e ndershme dhe transparente do na gjykojnë pa dallim gjinor, atëherë përse shoqëria jonë mëkatet i ndan sipas gjinisë së mëkatbërësit?

Sa herë që përdorim standard të dyfishtë gjykimi, duhet të dimë se jo vetëm nuk po e luftojmë të keqen, por po e mbështesim atë, po e justifikojmë. Dhe dalëngadalë arrihet aty që e gjithë shoqëria është bashkëfajtore e krimeve të njëpasnjëshme që kryhen kryesisht nga gjinia mashkullore.

Sa herë që drejton gishtin ofendues tek një femër, reflekto dhe kujtohu se ajo mund të ishte nëna, motra, bashkëshortja, vajza juaj. Femrës nuk i duhet gjykimi dhe paragjykimi i shoqërisë; asaj i duhet mbështetja dhe edukimi i saj.

Filed in: Familja, Opinion

No comments yet.

Leave a Reply