7:24 am - Sunday October 22, 2017

Intervistë me Hafiz Musain: Ramazani është muaji i Kur’anit

Intervistoi: Ismail Bardhi

Disa vite me radhë kam prezantuar nga një shkrim si hyrje për muajin e Ramazanit. Këtë vit vendosa ta zhvilloj një bisedë të shkurtër me Hafiz Musa Sylejmani – Yüksel, “tash” një hafiz ose hafiz i fortë, që mund të radhitet ndër hafizët më të fortë të botës, i cili është nga trojet tona. Këtë bisedë e zhvillova me qëllim që këtë traditë profetike dhe fenomen botëror ta prezantoj si hyrje për muajin e Kur’anit – Ramazanin. Siç e dimë, muaji Ramazan është muaj kur zbret Kur’ani, kur ripërtërihet në jetën dhe mendjen e besimtarit, me qëllim të mëshirës së pashtershme të Zotit xh.sh. Nuk duhet harruar se më të shquarit në mesin e ummetit janë bartësit e Kur’anit. Po ashtu edhe muaji Ramazan është ndër muajt bartës të Kuranit. Në këtë muaj ka filluar dhe ka mbaruar zbritja e Kur’anit, por sipas kohës së Zotit, e jo sipas kohës sonë, që do të thotë se në këtë muaj Kur’ani zbret pandërprerë. Ky muaj duhet të konsiderohet ndër muajt kur edhe hafizët e tokës kanë mundësi ta përforcojnë dhe ripërtërijnë Fjalën e Zotit.

Bisedën me hafiz Musain e zhvillova në Stamboll, në zyrën e një esnafi nga Tetova, Ademit, me ç’rast përballë kishim disa xhami dhe Kapali Çarshinë. Kur shpreha dëshirën për t’u takuar me të, disa shokë më thanë se nuk dinin fare për të, e disa të tjerë as që e njihnin, ndër të cilët ishte edhe Ademi. E ftuam dhe ai pranoi. Gjatë bisedës vërejta se ai në çdo kohë pushimi drejtpërsëdrejti merrej me përsëritjen e fjalëve të Zotit. Në vijim bisedën e zhvilluar po e paraqes në formë interviste.

I.B.: I dashuri hafiz Musa, unë kam dëgjuar për ju që nga viti 1971, po atë vit kur kam dalë hafiz, edhe pse më duhet të them se nuk jam hafiz i fortë. Dhe, kur me disa hafizë të tjerë, ndër të cilët edhe i ndjeri hfz. Idriz ef. i Shkupit, erdhëm në fshatin tuaj Ashaë Gyreler (Aşağı Güreler / Konjarë e Poshtme) dhe lexuam hatme me rastin e vdekjes së dikujt, atë vit ju përgatiteshit për t’u shpërngulur në Turqi. Por, më interesante është se ndër hafizët e asaj kohe, që ishin në numër shumë të vogël, çdokush për ju fliste se hafiz Musa është hafiz në kuptimin e plotë të fjalës. Më lejoni t’ju lus të më tregoni diçka për jetën tuaj?

H.M.: Quhem Musa Sylejman. Këtë mbiemër e kam pasur në Gyreler, kurse këtu në Stamboll e kam Jyksel (Yüksel). Linda në vitin 1932 nga babai Sylejman, bujk, dhe nëna Myradie. Në fshat nuk kishte njerëz të ditur. Aty e fillova shkollën fillore në gjuhën turke dhe po aty fillova t’i marr edhe mësimet e para në alfabetin arab nga Selim efendiu, kurse hifzin e kam ndjekur tek Ramadan efendiu, hoxha i fshatit, dhe kjo zgjati dy vjet. Fshati ynë kishte mbi 200 shtëpi dhe të gjithë flisnim turqisht. Isha shtatëvjeçar kur fillova mësimin e Kur’anit dhe në moshën nëntëvjeçare u bëra hafiz para komisionit për hifz, ku anëtar ishte Hamid efefendiu, imam i Konjarës. Lexoja nga gjashtë xhuze për çdo ditë dhe pastaj fillova në mënyrë shumë serioze që çdo ditë ta përsëris dhe përforcoj Kur’anin, ashtu që në moshën time shtatëmbëdhjetë vjeçare fillova të dal imam i namazit të sabahut, ku për çdo rekat lexoja nga 10 faqe, që do të thotë nga një xhuz për çdo namaz. Kështu vazhdova me vite të tëra. Kam qenë edhe në Sarajevë pesë vite me radhë, ku kam lexuar Kur’an gjatë muajit Ramazan.

I.B.: Si ndodhi që asokohe të shkoni në Sarajevë kur dihet që vendi ynë ishte ndër rajonet më të pazhvilluara në dimensionin arsimor, kulturor e fetar? Faktikisht, nuk ka pasur edhe shumë hafizë. A thua vallë ishit të anashkaluar nga muslimanët e Shkupit me rrethinë apo kishte ndonjë arsye tjetër?

H.M.: Keni të drejtë, por jo për arsye se nuk kishte hafizë. Hifzi gëzonte respekt të veçantë edhe pse, siç thashë, nuk kishte shumë hafizë te ne, por në krahasim me vendet e tjera Shkupi me rrethinën mund të mburrej me numrin e tyre. Por, atje shkuam duke iu falënderuar po ashtu një hafizi shumë të fortë, hafiz Ismail Alievskit, i cili në fakt e organizoi udhëtimin tim me disa shokë të tjerë, si hafiz Samiu, hafiz Zekirijai. Shkuam në Sarajevë, sepse atje numri i hafizëve nuk ishte në nivelin e duhur dhe nuk i plotësonte nevojat e muslimanëve të atjeshëm. Lidhur me qëndrimin tonë atje është interesante të përmendet se në Sarajevë në xhami ishin më shumë të pranishme gratë se burrat. Nuk e di se si është sot atje, sepse nuk kam të dhëna, por flas për periudhën para vitit 1971. Kjo ka qenë arsyeja, kurse këtu në Shkup dhe rrethinë kishte hafizë dhe në ato xhami që ishin të hapura lexohej Kur’ani.

I.B.: I dashuri hafiz, do të dëshiroja të m’i përmendni emrat e disa hafizëve të asaj kohe dhe të më tregoni diçka rreth tyre.

H.M.: Sinqerisht kur flas për vendin nga jam shpërngulur shpesh herë më merr malli dhe, si duket, vitet që kalojnë e shtojnë edhe më shumë këtë mall. Në pyetjen tuaj po përjetoj një fotografi të fshatit dhe të qytetit të Shkupit ku kishte plot vështirësi, frikë nga sistemi, por edhe dashuri shumë të madhe ndaj fesë. Aty vërehej metafizika e fortë e garave të Kur’anit dhe hafizëve, por me një kulturë në nivel. Meqë më pyetët, po i përmend disa emra. Hafizët e fortë asokohe ishin: hafiz Hasan efendiu dhe hafiz Abdurrahim efendiu, që të dy të verbër; hafiz Kamil efendiu, që ndër ne njihej si hafiz andej Urës; hafiz Sadullah efendiu, hafiz Shaban efendiu, hafiz Mustafa efendiu, hafiz Sami efendiu, hafiz Ismail Alievski efendiu, hafiz Zekirija efendiu. Këta ishin hafizët e Kur’anit tek ne. Faktikisht, këta ishin edhe rrapi (çinari) i këtij profesioni.

I.B.: Si duket pas shpërnguljes disi nuk keni pasur kontakt të madh me Shkupin dhe rrethinën e tij, sepse ka pasur edhe disa hafizë të tjerë, si p.sh. Hafiz Idriz ef., i cili i ka falur namazet me hatme. A mund të më thoni diçka për atë se çfarë ideje apo njohurie keni pasur për hifzin në vendlindje pas kohës së shpërnguljes suaj.

H.M.: Keni të drejtë, por besoj se e keni parasysh se koha kur jam shpërngulur unë nuk mund të krahasohet me kohën e tashme. Largimi ynë nga vendlindja u bë me dhe pa dëshirë, nuk e di si erdhi dhe si lindi ideja që muslimanët të shpërngulen prej atyre viseve. Sidoqoftë, kjo është një temë tjetër, por këtë e them se vështirësitë e mëdha bënë që ne të shkëputemi shumë fuqishëm fizikisht nga vendlindja. Është fakt se nga vitet 1969-1971 në Shkup dolën disa hafizë, një numër i vogël, si p.sh. hafiz Sadudini dhe hafiz Abdurrahimi, që ishin në moshën fëmijërore. Për hafiz Sadudinin kam dëgjuar se është hafiz me plotëkuptimin e fjalës. Pastaj kanë dalë edhe disa hafizë të tjerë, si hafiz Jashari, hafiz Abdulbakiu, hafiz Mitati dhe disa të tjerë që unë nuk i mbaj në mend, por sa i përket hafiz Idriz efendiut, keni të drejtë, më kujtohet dhe e kam dashur. Ai ishte edhe hoxhë, pra jo vetëm hafiz.

I.B.: Më lejoni t’ua përshkruaj shkurtimisht gjendjen e hifzit që e kam arritur unë. Për kohën për të cilën flitni ju keni plotësisht të drejtë sepse me të vërtetë hifzi kalonte mbi një seriozitet më të madh dhe nën një kujdes të veçantë në Shkup dhe rrethinën e tij. Por, kjo fushë disi dita-ditës po zbehet tek ne. Më sipër thatë se në Sarajevë, pra në Bosnjë, në kohën tuaj nuk ka pasur shumë hafizë, që është e vërtetë. Por, tani ka shumë hafizë atje dhe atë shumë të mirë, kurse te ne sot ka shumë hafizë, por disa prej tyre e kanë harruar Kur’anin e disa janë duke e harruar Kur’anin – Zoti na ruajttë. Mua më kujtohet se, derisa isha nxënës i shkollës së mesme në Prishtinë, si medrese e vetme asokohe në vendin tonë, ishte bërë hprehi të thuhej se hafizët nuk dinë asgjë, pos të mbajnë në mend. Kjo shprehi e keqe faktikisht edhe te disa prezantues, mësues të fesë, u absorbua në brendësi, gjë që reflekton në mënyrë negative tek ne për gjendjen e hifzit. Çka mendoni rreth kësaj?

H.M.: Shikoni, kjo është një fotografi shumë e frikshme për ne. Nuk guxon besimi i fortë të mos e luftojë një gjendje të tillë, edhe pse në kohën kur unë kam ardhur në Stamboll, gjendja e hifzit këtu nuk ka qenë e mirë. Por, unë kam dëshirë ta mbaj mend vetëm atë periudhën e mirë të kohës sime nga vendi juaj, sepse atë që e lashë atje nuk e gjeta këtu. Atje tek ne me të vërtetë kishte një tmerr nga komunizmi i atëhershëm, por në të njëjtën kohë kishte edhe një dashuri të madhe ndaj fesë, ndaj tubimeve të mira, siç i quanim ne, mexhliseve, syneteve, vizitave, ndërsa miqësitë familjare ishin shumë të mira për ta ruajtur dhe për ta mbrojtur traditën e fesë islame dhe peshën e Kur’anit Famëmadh. Kudo që shkonim, ishte e domosdoshme të lexohej Kur’an. Si duket kjo bëri që Shkupi dhe rrethi i tij të konsiderohen si “mbetje të Perandorisë Osmane”, sepse brenda familjes nuk ekzistonte frika nga nacionalizmi ose garat në nacionalizëm, respektivisht, nga superioriteti profan. Lirisht mund të them se edhe për Stambollin ne mund të bëheshim model për diçka që shumë besimtarë të këtij Stambolli qëmoti e kishin humbur dhe e kujtonin me nostalgji të madhe. Kur erdhëm ne në këtë vend, nuk e gjetëm të zhvilluar qetësinë e fesë dhe dashurinë e fesë ashtu siç prisnim. Këtu kishte një mospërputhje të madhe me të kaluarën e këtij vendi. Këtu mbretëronte një kohë pa një sintezë të mirë.

Por, është i tmerrshëm përshkrimi i hafizëve që u është bërë nga disa hoxhallarë, siç thatë më lart, sepse hifzi është diçka tjetër, interpretuesi/hoxha ose alimi i fesë është krejtësisht diçka tjetër. Edhe njëri edhe tjetri duhen respektuar dhe assesi nuk duhet të lejojnë të hakaretizohen. Është turp i madh t’i vishet një fotografi e tillë hafizit. Unë sot, në këtë moshë, e kundërshtoj një gjë të tillë dhe i lus të jenë të kujdesshëm ata që flasin ashtu. Fundja, hifzi është fotografia profetike e Pejgamberit a.s.

I.B.: Jemi në prag të muajit Ramazan. Si do ta përshkruani kohën e Ramazanit?

H.M.: I falënderohem Allahut xh.sh. që e ka zbukuruar jetën tonë në formën më të mirë, siç thotë në suren et-Tin “fi ahsenit-takuim”. Muaji Ramazan është muaji i Kur’anit, mundësi e madhe që qetësia të ndërgjegjësohet dhe të plotësohet me fjalët e Zotit. Hafizët në këtë kohë, në këtë muaj, kanë rastin e madh që ta kontrollojnë vetveten, ta plotësojnë vetveten dhe ta korrigjojnë vetveten duke e lexuar Kur’anin, me qëllim që ta përforcojnë memorien dhe ta kenë të plotë. Faktikisht, ta mbushin fjalën e hifzit me hifz. Më lejoni t’ju them diçka: unë para se të vij në Stamboll edhe shërbimin ushtarak e kam kryer në vendlindje. Për arsye se nuk kisha shumë siklete të mëdha edhe vështirësitë e kohës nuk i përjetoja shumë, sepse fuqia ushtarake nuk mund të futej në mendje, lufta ime e vetme ishte mbajtja mend e Kur’anit. Por, meqë nuk kisha të drejtë të mbaj Kur’an me vete, para se të nisesha në ushtri i pata shkruar ajetet muteshabih, kurse pjesën tjetër ku nuk dyshoja e përsërisja pandërprerë. Pse ne sot të mos e kthejmë kohën e Ramazanit si kohën e shërbimit ushtarak, jo në atë formën e keqe, por në formën e asaj që edhe për brenda edhe nga jashtë do ta mbrojë Kur’anin dhe hafizin do ta lirojë nga gabimet e harresës së Kur’anit.

Ramazani është muaji i Kur’anit, xhamitë nuk ka nevojë të ngarkohen vetëm me vaze të tepruara, por do të ishte mirë që Kur’ani të përsëritet dhe namazet të plotësohen me hatme. Është kënaqësi e madhe të dëgjohet Fjala e Zotit. Unë si hafiz nuk e kam zërin e bukur, por shpeshherë edhe në atë kohë vija në xhaminë e Sulltan Muratit në Shkup dhe e dëgjoja leximin e Kur’anit ditëve të xhumasë nga hafizët.

I.B.: Ju faleminderit shumë, ju dëshiroj shëndet dhe ju lutem, duke lexuar Kur’an, mos harroni që në atë brendësi të leximit ta keni edhe lutjen për vatanin tonë dhe ummetin tonë, sepse kohërat po vështirësohen dita-ditës dhe njeriu është i hutuar dhe i mashtruar nga çdo gjë, ndaj edhe teprica e fesë është duke e ngarkuar cilësinë e duhur; jeta pa cilësi dhe pa dashuri është shumë e vështirë. Allahu ju ruajttë! / freskirinore

#SHPËRNDAJE POSTIMIN TA LEXOJNË EDHE TË TJERËT!

Filed in: Islamistike, Postime t'reja, Ramazani

No comments yet.

Leave a Reply