4:13 am - Thursday May 25, 2017

Pse zgjoheni të lodhur? Ja arsyet…

Kur nuk mund të flini, jeni të vetëdijshëm për këtë gjë. Megjithatë, çfarë ndodh derisa flini? Pse zgjoheni me ndjenjën e lodhjes? Ekzistojnë disa arsye për shkak të të cilave koha të cilën e kaloni në gjumë nuk ju rivitalizon në atë masë siç do të duhej.

Flini keq dhe zgjoheni me shije të pakëndshme në gojë
Kundërmimi i mëngjesit mund të jetë sinjal i refluksit të lukthit. Hulumtimet e fundit kanë treguar që 25 për qind të njerëzve të cilët deklarojnë që flenë keq, në fakt kanë refluks të padiagnostikuar të stomakut. Trupi pjesërisht ju zgjon nga gjumi, madje edhe kur nuk keni asnjë simptomë. Rezultat i këtij “refluksi të qetë” është gjumi jo i njëtrajtshëm dhe shija e keqe në gojë.

Për ta zgjidhur këtë problem mos hani të paktën dy orë para gjumit. Në orët e mbrëmjes shmangni ushqimet e tharta si dhe alkoolin, çokollatat, salcat e rënda, ushqimet e yndyrshme dhe ushqimin e mëlmesuar. Disa mjekë rekomandojnë përtypjen e çamçakëzit para gjumit për të nxitur prodhimin e pështymës.

Ilaçet e caktuara, si aspirina, janë të rënda për stomakun, prandaj mos i konsumoni para gjumit. Refluksi i lukthit mund të shfaqet për shkak të trashësisë, ndërsa humbja e kilogramëve do të bënte mrekulli.

Shpesh zgjoheni gjatë natës, sepse duheni të shkoni në tualet
Nikturia është emërtimi profesional për zgjimin në mes të natës për të shkuar në banjë. Vlerësohet që madje 65 për qind e personave gjatë natës kanë nevojën për urinim. Fatmirësisht trupi ynë në mënyrë natyrale rregullon nevojën për urinim gjatë gjumit kështu që mund të flemë rreth 8 orë. Megjithatë, me plakjen e personit bie niveli i hormonit antidiuretik, i cili është përgjegjës për kontrollimin e urinimit.

Disa njerëz pas përdorimit të banjës në mes natës flenë përsëri shumë më vështirë dhe janë në gjendje të qëndrojnë të shtrirë me orë, për ç’arsye trupi nuk mund të pushojë në mënyrë kualitative.

Për ta zgjidhur këtë problem mos pini asnjë lëng të paktën tri orë para se te shkoni në shtrat. Kjo po ashtu përfshin ushqimin i cili përmban shumë lëngje, siç janë supat dhe pemët. Reduktoni konsumimin e kafes dhe çajit, sepse acidet nga kafja dhe çaji mund të irritojnë fshikëzën. Mos pini alkool sepse irriton fshikëzën e urinës dhe vepron si diuretik.

Përdorimi i tualetit le të jetë gjëja e fundit që e bëni para se të shkoni në shtrat. Po ashtu kontrolloni nëse urinimi juaj është i vështirësuar dhe nëse është gjithsesi shkoni te mjeku. Urinimi i shpeshtuar mund të jetë simptomë e diabetit, prandaj nëse nuk jeni testuar për diabet, shkoni te mjeku.

Nofulla juaj ju kërcet ose ju dhemb, ndërsa dhëmbët tuaj janë të dëmtuar
Kërcëllitja e dhëmbëve profesionalisht quhet bruksizëm dhe ky është aktivitet i nënvetëdijshëm. Ekspertët vlerësojnë që vetëm 5 për qind e njerëzve kërcëllojnë me dhëmbë, dhe këtë gjë madje as që e dinë. Kryesisht partnerët janë ata që e vënë re këtë gjë. Shtrëngimi i nofullës është po ashtu një lloj i bruksizmit, përveç që dhëmbët shtrëngohen fort, për dallim nga kërcëllima gjatë së cilës nofulla lëviz nga njëra anë në tjetrën, duke prodhuar tinguj.

Bruksizmi lodh muskujt e nofullës. Derisa bruksizmi është intensiv i tërë trupi është i lodhur, në vend që të pushojë.

Që të liroheni nga bruksizmi, gjithsesi shkoni te stomatologu, i cili mund të gjejë shkaqet thelbësore, siç është kafshimi i pakoordinuar. Nëse shtrëngimi i nofullës është problemi juaj i vetëm, ka pajisje të caktuara stomatologjike për të lehtësuar problemin.

Ekspertët sugjerojnë që të ndërpritni përtypjen e çamçakëzëve gjatë ditës, sepse nevoja për përtypjen mund t’ju vazhdojë edhe gjatë natës. Disa njerëz kanë pasur lehtësim nga kërcitja e dhëmbëve pas injektimit të botoksit në muskujt e nofullës.

Gjumi i paqetë
Forma e tillë e çrregullimit manifestohet në lëvizjen e shpeshtë të gjymtyrëve – duar apo këmbë, ndërsa ekspertët shpesh e quajnë sindroma e këmbëve të paqeta, për të cilën arsye trupi nuk është në gjendje të relaksohet komplet.

Mjekët nuk e dinë se çka saktësisht i shkakton ato çrregullime, por mendojnë që janë të lidhura drejtpërdrejt me mungesën e REM, fazës së thellë dhe qetësuese të gjumit. Parehatia parandalon zhytjen në gjumë të thellë, ndërsa lëvizja e shpeshtë me gjymtyrë mund t’ju zgjojë nga gjumi i thellë.

Për ta zgjidhur këtë problem më së miri do të ishte të këshilloheni me mjekun, i cili do të kërkojë shkakun themelor. Shkaqet mund të jenë të ndryshme, duke përfshirë diabetin, artritin, aneminë, sëmundjet e gjëndrës tiroide ose problemet me veshka. Mjekun tuaj duheni ta njoftoni për të gjitha ilaçet që i merrni, sepse disa lloje të ilaçeve mund të shkaktojnë sindromën e këmbëve të paqeta.

Po ashtu mund të provoni me ndryshimin e shprehive ushqyese për të fituar sasinë e nevojshme të hekurit dhe vitaminës B, veçanërisht të acidit folik, sepse për shkak të mungesës së tij mund të vijë deri te sindroma e këmbëve të paqeta. Hani mish të kuq dhe perime të gjelbra, të cilat janë burim i shkëlqyeshëm i materieve ushqyese.

Zgjoheni me gojë të thatë dhe me erë të pakëndshme
Era në gojë dhe gërhitja mund të përkeqësojnë gjumin. Nëse keni partner kërkoni nga ai që të përcjellë se a merrni frymë me gojë apo gërhisni. Frymëmarrja në gojë dhe gërhitja mund të reduktojnë kualitetin e gjumit sepse organizmi nuk merr oksigjen të mjaftueshëm, për ç’arsye nuk mund të relaksohet sa duhet. Gërhitja e fortë mund të tregojë për probleme më serioze gjatë gjumit.

Ushtroni frymëmarrjen përmes hundës. Eksperimentoni me pozitat në të cilat flini. Shumica e njerëzve marrin frymë me gojë ose gërhasin kur flenë në shpinë. Shmangni konsumimin e alkoolit në orët e vonshme të mbrëmjes. Alkooli relakson muskujt e fytit, çka shkakton gërhitjen. Disa medikamente të caktuara për qetësim po ashtu mund të shkaktojnë relaksimin e fytit.

Trashja është një nga shkaktarët e shpeshtë të gërhitjes. Humbja e kilogramëve mund të eliminojë gërhitjen, ndërsa për ju do të nënkuptojë gjumë më kualitativ.

Flini qetë, por zgjoheni me fyt të pezmatuar ose me dhimbje në shpinë
Shkaku mund të jetë apnea e cila definohet si rregullim i gjumit në të cilin vjen deri te ndërprerja e frymëmarrjes në intervale prej dhjetë sekondash apo më shumë. Apnea mbyllë fytin dhe ndalon furnizimin me ajër, për ç’arsye ju nuk mund të merrni sasi të mjaftueshme të oksigjenit. Kjo shkakton gjumë joproduktiv dhe me ngërçe. Trashja është shkaku kryesor i apneas, sepse trashja shkakton shfaqjen e indit të butë shtesë në zonën e fytit.

Shkoni te otorinolaringologu i cili do të kontrollojë hundën, gojën dhe fytin dhe të përcaktojë se çfarë e shkakton ndërprerjen e frymëmarrjes dhe si të zgjidhet problemi. Zgjidhja e cila deri tani është treguar si më e pranueshmja nga ana e të sëmurëve është aplikimi i pajisjes me presion të vazhdueshëm pozitiv – pajisja CPAP (Continuous Positive Airway Pressure). Pajisja është si maskë për fytyrë, ndërsa e mban rrugën e frymëmarrjes vazhdimisht të hapur.

Gjithsesi shkoni te mjeku, sepse pas aplikimit të terapisë do të flini më qetë dhe do të zgjoheni më të pushuar. Vetëm pas disa netëve do t’ju përmirësohen funksionet kogniteve dhe koncentrimi, do të normalizohet tensioni i gjakut dhe ndoshta do të humbni edhe në peshë.

Flini normalisht, ndërsa ndiheni të lodhur tërë kohën gjatë ditës
Me siguri bëhet fjalë për ritmin tuaj të ditës. Modelet e parregullta të gjumit siç është qëndrimi jashtë deri në orët e vona të natës, përdorimi i pajisjeve elektronike ose sasia e madhe e dritës në dhomën e gjumit, për ç’arsye trupi nuk mund të mësohet me faktin që është koha për të fjetur.

Hapësira e errët aktivizon në trup prodhimin e melatoninës, e cila i thotë trurit që është koha për gjumë. Përkundër kësaj, kur sytë regjistrojnë dritën përjashtohet prodhimi i melatoninës dhe trupit i dërgohen sinjale që është koha që të zgjoheni. Madje edhe sasia e vogël e dritës (llamba, pajiset elektronike) mund të largojnë gjumin nga sytë tuaj.

Tentoni të përcaktoni orar të rregullt të gjumit. Ekspertët rekomandojnë që të flini prej orës 10 në mbrëmje deri 6 në mëngjes ose prej 11 deri ora 7. Nuk keni nevojë që domosdo t’i përshtateni këtij orari, por do të ishte mirë që orari juaj të mos shkojë shumë larg përtej këtyre kornizave. Kur ta zotëroni orarin tuaj të rregullt të gjumit, në mëngjes do të jeni shumë më të pushuar dhe çdo natë në vazhdim do të flini më lehtë.

Nëse është e mundshme fikni të gjithë burimet e dritës të paktën një orë para gjumit. Nëse pëlqeni të lexoni para gjumit, provoni që burimin e dritës ta vendosni ashtu që të mos shkojë direkt në sy. Çdo burim i dritës mund të pengojë gjumin.

Filed in: Gjëra interesante, Postime t'reja, Shëndeti

No comments yet.

Leave a Reply