Ballina Dita e Xhuma-Project “E çfarë të ndodh, nëse njerëzit të shajnë, ndërkohë që tek All-llahu...

“E çfarë të ndodh, nëse njerëzit të shajnë, ndërkohë që tek All-llahu je i lavdëruar?

25
0
SHPËRNDAJE

Të gjitha falënderimet e plota dhe madhështia absolute i takojnë vetëm All-llahut, Zotit të vetëm të botëve, i Cili e udhëzoi njeriun në më të mirën e mënyrave, nëpërmjet shpalljeve të Tij hyjnore. Thotë në Kur’anin Famëlartë: “Është e vërtetë se ky Kur’an udhëzon për atë rrugë që është më se e vërteta, e besimtarët që bëjnë vepra të mira i përgëzon se ata pa dyshim do të kenë shpërblim të madh.”[1]

Salavatet dhe përshëndetjet më të përzemërta, ia dërgojmë sot në këtë ditë dhe në çdo ditë të jetës tonë, zotërisë së bijve të Ademit, Hz. Muhammedit (a.s), që u dërgua me moralin më të lartë, udhëzim dhe shembulltyrë për krejt kërkuesit e udhëzimit. Për këtë, Zoti i gjithësisë i drejtohet duke i thënë: “Vërtetë, ti je në një shkallë të lartë të moralit!”[2]

Të nderuar dhe të dashur besimtarë,

Dita-ditës, jeta e njerëzve po mbushet me halle, dëshpërim, stres e ankthe pa fund, që burojnë nga mungesa e sigurisë, dobësimi i ekonomisë, përhapja në masë e mashtrimit, gënjeshtrës, imoralitetit, shthurrjes, thashethemnajës, humbjes së kohës, angazhimit të personit me atë që nuk e di dhe marrja përsipër e të gjitha gjërave, deri në fé, ku dikush është i interesuar që rinia e jonë të mos ketë edukatë, të mos njohë kufij, të mos respektojë më të diturin e më të rriturin, të mos frenohet para disiplinës etj.

Përditë e më shumë, nëpërmjet medias, po na imponohen raste të islamofobisë dhe nxitjes së urrejtjes fetare dhe krahinore, si rasti flagrant i thirrjeve raciste dhe osmanofobe (thuaj islamofobe), që quan deri në atë veprim të degraduar të prishjes së një pllake historike në një prej kalave të vendit tonë, në qytetin ku xhamia Selimije e prishur dhe e shndërruar nga të kuqtë, nuk u kthye më kurrë në identitetin e saj legjitim!?

Është dëshpëruese të mendosh se akoma sot, në vitin 2015, vendi ynë, me gjithë këto mirësi dhe begati të panumërta që i ka dhënë Zoti, të vuajë e të rreshtohet në listën e vendeve pa shpresë, pa dritë, pa jetë!

Para dy netësh, teksa kthehesha nga Stambolli, në momentin e zbritjes në aeroportin e Rinasit, një turist i huaj, që po bashkëbisedonte me një pasagjer bri meje, i drejtohet dhe i thotë: “Shqipëria është Kuba e Evropës!”…

Nga statistikat e shumta, që kalojmë nëpër duar, dëshmohet se tek ne po rritet numri i divorceve, po shtohet numri i aksidenteve me shkak dehjen, po rritet numri i kumarhaneve, po shtohet numri i konsumuesve të alkoolit dhe mishit të pakontrolluar, sidomos atij të derrit. Ka kohë që dëgjojmë për shtimin e përdoruesve të drogave të ndryshme, mbrëmjeve të përziera me muzikë e pije alkoolike, aborteve të panumërta, degjenerimit…

Pyetja është e thjeshtë: Nga po e çojnë këtë vend dhe përse njerëzit tek ne po e lejojnë veten të rrëshqasin në greminat e dekadencës morale e shpirtërore, duke u larguar edhe më shumë nga Zoti, sesa në kohët e errësirës ateiste?!

Të dashur të pranishëm,

E kujtoj shumë mirë, si sot e rreth njëzet vite më parë, kur m’u kërkua të bëj një hytbe xhumaje në xhaminë e fshatit Bërdicë e Mesme. Isha shumë i ri, pa dije e kulturë të mjaftueshme për të kryer këtë detyrë. Asokohe, Myftinia Shkodër nuk kishte kuadro fetarë, nuk e kishte luksin të kishte edhe një sasi teologësh, që preferojnë të jenë dëgjues, para obligueshmërisë morale e fetare për të mbajtur të gjallë minberet e xhamive, ku hytbe mbajnë edhe njerëz që nuk e kanë formimin e duhur për të ngjitur shkallët e minbereve..?!

Iu drejtova Hoxhës tim, H. Vehbi S. Gavoçit, të cilit i kërkova ndihmë. Ai, rahmet pastë, buzëqeshi, më dha kurajo dhe pasi mori një defter të madh dhe një lapsë, nisi të shkruante, pa folur. Pas pak minutash, letra e bardhë ishte zbukuruar me shkrimin e Hoxhës. E ruaj edhe sot atë letër. Në të kishte shkruar një hadith, të cilin e përfundonte me shenjën “B”, dmth, Bukhari. (Ato ditë, nuk e dija se kush ishte Imam Bukhariu, as domethënien e asaj shenje).

Pasi ma dorëzoi, nisi ta lexonte bashkë me mua, që të ma mësonte dhe ta kisha të lehtë ta lexoja. Më tha: “Lexoje këtë hadith, do të mjaftojë!”.

Dhe nisëm të lexonim të dy: “Shtatë lloje njerëzish do të jenë nën hijen e Arshit të All-llahut, atë ditë kur nuk do të ketë hije, përveç hijes së Tij: Prijësi i drejtë. Një i ri që është rritur me frymën e adhurimit të All-llahut. Një burrë, zemra e të cilit është e lidhur me xhamitë. Dy burra, që janë dashtë për hatër të All-llahut; janë takuar e ndarë në këtë gjendje. Një burrë, që e fton një grua me pozitë e bukuri, ndërsa ai i përgjigjet: “Unë i frigohem All-llahut!”. Një burrë që jep një sadeka, të cilën e fsheh, sa e majta e tij të mos dijë ç’ka dhënë e djathta. Dhe, një burrë, që përmendë All-llahun në vetmi, derisa i mbushen sytë me lot”[3]

Subhanall-llah, sa madhështor është ky hadith! Sa mirësi dhe udhëzime përmban në thelbin e tij! Sa zgjidhje për problemet e të sotmes dhe garanci për të ardhmen, ofron!

Të dashurit e mi,

Ky është mesazhi i kësaj jave, që dua ta ndaj me ju. Ky është një mesazh që duhet t’ia mësojmë fëmijëve dhe rinisë tonë. Fillimisht, drejtësia në jetë.

Po lexoja mbi historinë e osmanëve në raport me trojet shqiptare. Gjeta edhe këtë ferman të datës 22 gusht 1595, ku thuhet se pasi [Sulltani informohet se dhjetë mijë kryengritës shqiptarë në krahinat e Dibrës dhe të Tetovës, nuk paguajnë detyrimet dhe qysh prej tre vjetësh kanë sulmuar autoritetet shtetërore… urdhëroi beun e Dukagjinit: “… Në rast se ata nuk i përgjigjen ftesës, të marshoni kundër tyre, të kapen rebelët dhe të ndëshkohen ashpër sipas sheriatit. Të ruheni që me pretekst, të mos dëmtoni, të mos persekutoni dhe të mos grabisni sendet e mallin e atyre njerëzve, që qëndrojnë në punë e veta”][4] Drejtësia!

Së dyti, edukimi i fëmijëve dhe rinisë me dashurinë për Zotin dhe besimin në Të. Mos të kemi ndrojte me marrë fëmijët me vete në xhami. Të edukohen se xhamia është vendi i tyre. Ta duan xhaminë, të rriten në besim, nëpërmjet moralit dhe cilësive të besimit. T’i lutemi All-llahut për fëmijët tanë, të rriten me besim e të forcohen në besim. Ky moment më kujton Aliun, të birin e Fudejl ibn Ijadit, që i thoshte të atit: “O babë, lutju Atij që më ka bërë dhuratë për ty në këtë botë, të më bëjë dhuratë për ty edhe në Ahiret!”[5]

Së treti, lidhja e zemrës me vendin e adhurimit. Mos hezitoni me ardhë në xhami edhe jashtë xhumasë. Shëtitni nëpër xhamitë e lagjeve. Faluni ngado. Merrni me vete edhe dikë në xhami. Mos t’i shkatërrojmë xhamitë tona me mosprezencën tonë. Se, çfarë kuptimi ka prezenca e xhamisë, kur t’i nuk hyn asnjë vakt në javë a muaj në të?

Së katërti, pjekuria në besim. Është bukur, kur sheh burra me thinja të bardha në xhami. Janë burim respekti dhe nderimi, janë burim mirësie për shoqërinë. Janë të pjekur në besim dhe model për më të rinjtë! Pjekuria, si ajo e Fudejl ibn Ijadit, që thoshte: “Nëse mundesh të mos njihesh fare, bëje! E çfarë të ndodh, nëse mbetesh i panjohur? E çfarë të ndodh, nëse nuk të lavdëron askush? E çfarë të ndodh, nëse njerëzit të shajnë, ndërkohë që tek All-llahu je i lavdëruar?”[6]

Së pesti, ndërtimi i marrëdhënieve shoqërore në mes vete, për hatër të Zotit dhe me qëllim fitimin e pëlqimit të Tij, jo hiles, interesit egoist, mashtrimit, gënjeshtrës, abuzimit!?

Na rastis shpesh, të zhgënjehemi nga njerëz që kërkojnë bashkëpunimin tonë dhe ndërmjetësojnë pamjen e tyre të jashtme. Vëllezër, muslimani nuk e shet fenë e tij, namazin e tij, mjekrën, tespihët, fjalët e bukura me terma fetarë, vetëm e vetëm për t’u dukur e për të përfituar abuzivisht!? Ky quhet mashtrim dhe muslimani nuk mashtron!

Së gjashti, ndershmëria dhe mos animi nga epshet dhe tundimet momentale të shejtanit, që mund të lënë brenga të pakorrigjueshme për tërë jetën! Lexoni historinë e Hz. Jusufit (as), të riut të pashëm, për të cilin, gratë e mahnitura thanë: “All-llahut i qofshim falë! Ky nuk është njeri, ky nuk është tjetër vetëm se ndonjë melek i lartë!”[7] Ndërsa ai, teksa ftohej për imoralitet i lutej Zotit duke thënë: [Ai (Jusufi) tha: “O Zoti im, burgu është më i dëshiruar për mua, se sa atë që ma ofrojnë ato dhe, nëse Ti nuk e largon prej meje dredhinë e tyre, unë mund të anoj nga ato e të bëhem injorant”][8] Injorancë!

Së shtati, bëmirësia dhe kontributi në shoqëri, pa qëllime dukjeje a egoizmi.

Disa ditë para Kurban Bajramit të sivjetëshm, një motër e nderuar, që jeton larg Shkodrës dhe Shqipërisë, e bija e një miku të shtrenjtë dhe një besimtari të vjetër shkodran, më shkruan dhe pyet nëse ka ndonjë mundësi që të na dërgojë një shumë prej 400 eurosh për të bërë një kurban, pasi në vendin ku ajo jeton, ligjet e vështirësojnë therrjen e kurbanit sipas traditave islame. Pasi e sqaroj për veprimin që duhet të bëjë, i them se në momentin e parë të marrjes së shumës, do të bëjmë publike edhe emrin tuaj dhe rastin në fjalë. Më thotë: “Mua më intereson të kryhet amaneti im, që jam e bindur se po e lë në duart më të sigurta, ndërsa për emrin, nuk dua të më përmendni, se po e bëj për hatër të Zotit”! E kuptoni? Kjo është dhënia me njërën dorë, sa mos ta dijë tjetra.

Dëgjova një ditë një person që tregohej me gisht për bamirësi të ndryshme, thoshte: “Meqë njerëzit nuk po na e dijnë, inshallah na e di Zoti!”

O zotëri, lëri njerëzit, “Bëje të mirën e hidhe në det, po se pa peshku e sheh Zoti vetë”, siç thotë fjala e urtë popullore!

Në fund, i lutem All-llahut të Madhëruar të na udhëzojë drejt më të mirës, të na falë gabimet e gjynahet dhe të na bëjë prej atyre që e dëgjojnë fjalën dhe veprojnë më të mirën e saj! Amin!

Imam Muhamed B. SytariMyfti i Zonës Shkodër

(Hytbe e mbajtur në xhaminë e Parrucës)
Shkodër, më 2 tetor 2015

———
[1] Kur’ani, El-Isra: 9.
[2] Kur’ani, El-Kalem: 4.
[3] Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi, nga Ebu Hurejra (r.a).
[4] Petrika Thëngjilli, “Ligji dhe drejtësia në fermanet”, në botimin me titull: “Nga perandoria osmane në Shqipëri, e shkruam historinë me tolerancë”, Tiranë, 2005, f. 18.
[5] Ibn Kudame El-Makdisi, “Er-rikkatu vel-bukau”, botimi i tretë, 2014, Damask, f. 357-358.
[6] Po aty, f. 356.
[7] Kur’ani, Jusuf: 31.
[8] Kur’ani, Jusuf: 33.
Freskirinore

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.