Ballina Hadithe Ehl’ul-hadithi dhe ehl’ul-fikhu (Nexhat Ibrahimi)

Ehl’ul-hadithi dhe ehl’ul-fikhu (Nexhat Ibrahimi)

52
0
SHPËRNDAJE

Ehl’ul-hadithi dhe ehl’ul-fikhu 

Asnjë nga juristët (fakihët) e respektueshëm muslimanë, në asnjë çast dhe në asnjë rrethanë nuk e konteston legjitimitetin e hadithit/sunetit si dëshmi valide në fe pas Kur’anit. Por dallimet lindin në qasje ndaj burimeve dhe në metodat për nxjerrjen e dispozitave. Dallohen kryesisht dy koncepte të të kuptuarit të sunetit: i pari, i cili kufizohet në perceptimin e fjalëpërfjalshëm të tekstit me sa më pak “implikime të arsyes”, i cili grup njihet me emrin ehl’ul-hadith dhe i dyti, i cili synon për gjetjen e kuptimit dhe urtësisë nga fjalët e theksuara duke i dhënë rol edhe arsyes, në mënyrë që tekstet t’i kuptojë dhe të gjejë zgjidhje analoge, i cili grup njihet me emrin ehl’ul-fikh.[11]
Këto dy qasje janë të vjetra sa edhe vetë suneti, kurse për bazë e marrin një ndodhi para betejës me fisin Benu Kurejdha në vitin e pestë hixhrij. Ndodhia ishte si vijon: Pejgamberi a.s. i urdhëroi një grupi shokësh që të shkojnë te fisi Benu Kurejdha dhe që askush mos të falë ikindinë (Buhariu) përkatësisht drekën (Muslimi). Kur hyri koha e namazit, as’habët u ndanë në dy grupe, në ata që e kuptuan fjalëpërfjalshëm porosinë e Muhammedit a.s. dhe nuk u falën deri sa arritën deri në vendin e përcaktuar nga Pejgamberi a.s. dhe në ata që e falën namazin, duke e arsyetuar se me këtë Pejgamberi a.s. ka dashur të thotë të nxitojnë. Me të kthyer, as’habët e pyetën Muhammedin a.s. për këtë që ndodhi, kurse ai i miratoi të dyja qëndrimet.[12]
Kjo praktikë vazhdoi edhe pas vdekjes së Muhammedit a.s., te as’habët, sikurse janë ata që e kanë përdorë arsyen (ra’jin) në raste të caktuara (Omeri r.a., Aliu r.a. Abdullah ibn Mes’udi etj) dhe ata që i kanë kuptuar gjerat fjalëpërfjalshëm (Abdullah ibn Umeri, Abdullah ibn Amr ibn Asi, Zubejri etj.).[13] Kjo gjendje do të vazhdojë edhe më tej, gjatë periudhës formative të fikhut, kelamit dhe shkencave të tjera, por edhe më vonë. Përfaqësuesi kryesor i doktrinës së ehl’ul-hadithit është Ahmed ibn Hanbeli (780-855), themeluesi i hanbelizmit. Kjo shkollë nuk arriti në shtojë numrin e vetë në asnjë kohë deri në kohën e Muhammed Abdulvehhabit, kur kjo shkollë u bë doktrinë zyrtare e Arabisë. Kjo lëvizje gjatë argumentimit të tyre thirren jashtëzakonisht shumë edhe në dijetarët Ibn Tejmije dhe Ibn Kajjim Xhevzije.
_________________
[11] Muhamed Jusic, Islamisticki pokreti, Zenica, 1426/2005, fq. 15.
[12] Shih Buhariun dhe Muslimin, sipas: Muhamed Jusic, po at, fq. 16.
[13] Abdulkerim Zejdan, El-Med’halu li diraset’ish-sheri’at’il-islamijjeh, Aleksandri, (-), fq. 106.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.