Ballina Tregime Hakmarrja sterile (TREGIM)

Hakmarrja sterile (TREGIM)

53
0
SHPËRNDAJE

Shkruan: Iljasa SALIHU

Kur ishim të vegjël, kishim frikë të kalonim përskaj Hijes së Lisave. Aty gjithmonë rrinin qentë, të cilët shoqëroheshin prej kudrave (kuçkat me qentë). Qentë ishin të tërbuar fare. Posa na nuhasnin, ia fillonin të lehurave të harlisura, që na fusnin ethët në barkë dhe menjëherë na gjuheshin si të ishin politikanë të korruptuar për të na kafshuar. Qanim me dënesë dhe vraponim më shpejtë se sa vraponim përgjatë lojërave. Një herë një shok timit, ia kishin shqyer pantallonat që tezja prej Gjermanisë ia kishte sjellë dhuratë me rastin e dasmës së synetit. Ne të tjerët me disa guralecë në duar mundoheshim t’i frikësonim qentë, por atyre syri si lëvizte fare; ishin qenë me kudra dhe nuk ishin dhelpra me pula.

Shoku ynë më shumë kishte qarë për çastet që e prisnin në shtëpi, se sa për çastet e llahtarshme që posa i kishte kaluar. Ai përgatitej për një rrahje të fortë nga ana e nënës së tij dhe për një qortim të frikshëm prej babait. Ashtu edhe kishte ndodhur! Duke e goditur njëkohësisht, i kishte thënë me një zë hakërrues, – të thash të mos shkosh andej, nuk po i dëgjon prindërit ore mistrec i keq, që tërësisht i ke ngjarë xhaxhait tënd. Uh sa keq që nuk i ngjave fare dajave tu. Kurrë më nuk do t’i bie andej, kurrë më, ju lutem më falni, – me një zë drithërues qe përgjigjur shoku ynë. Në gjithë këtë zallamahi, vetëm qeni nuk do të mallkohej fare dhe për dhimbjen e shkaktuar nga qeni, as që do të flitej.
Tanimë u rritëm! Mbase një plak na tha se ishim bërë burra, edhe pse nuk e besonim një gjë të tillë, ngase ishim mësuar të vlerësonim në këshillim me ndjenjat tona. Nuk ndiheshim burra, ndaj çdo argument rreth kësaj gjëje as kompliment nuk na dukej. Pasi që nuk ishim takuar moti kohë, së bashku me shokët e dikurshëm, vendosëm të kalonim kah Hija e Lisave. Dëshironim të hakmerreshim për shokun. Tani ndiheshim të fortë, mendonim se do t’i rrihnim qentë gjer sa të rigonte ndonjë pikë shiu. U nisëm! Syri pët nuk na bënte. Mendonim se do t’i shqyenim qentë dhe t’i thoshim se ju dukej mirë kur na vërsuleshin pamëshirshëm ore të pamëshirë, pse nuk lehni tani o qenë të zgjebosur.

Sakaq, pamë se qentë nuk ishin aty. Si të mpirë mbetëm kur i pamë se në po të njëjtin vend ishin disa policë. Njëri prej policëve që e kishte një fytyrë të ushtruar për trishtimin e fëmijëve, sidomos i atyre që nuk i merrte me kohë gjumi, duke e lëvizur gishtin tregues e thirri njërin prej nesh. Sa keq, qëlloi të jetë ai që dikur ishte shqyer prej një qeni. Nuk guxuam të merrnim guralecë as gurë në duar. Si të ishim në teatër e përcillnim skenën. Madje as nuk qeshnin dhe as nuk qanim. Nuk e di nëse fytyrat tona kishin marrë pamje serioze. Gjobitesh me 100 euro, shkaku se gomat e biçikletës i ke me baltë, edhe pse policit i shihej ajvari në njërin prej dhëmbëve të tij të palarë dhe lloçi në këpucë e në gomat e veturës i vezullonte prej rrezeve të diellit që shponte thellë pllangat e baltës. Nuk kishte faj polici. Kuvendi i kishte fajet, që nuk e kishte kundërshtuar ligjin për gjoba, duke qenë se ende rrugët ishin gjithandej me baltë. Nuk ia fali. E dënoi pamëshirshëm ai të cilit mëshira i kishte ikur azil, sepse kishte mësuar se ligji dhe mëshira duhet të jenë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Shoku ynë tashmë nuk qau fare, sepse posa kishte filluar të ndihej si burrë. Shqetësohej sërish! Babai i cili e mbante financiarisht mund ta qortonte sërish se përse kishte shkuar te Hija e Lisave, duke qenë se ai qysh para disa vjetësh i kishte thënë të mos i binte andej. Si t’ia tregonte të vërtetën; kishin shkuar t’i hakmerreshin qenve, sakaq ishte dënuar prej policëve, edhe atë, pikërisht ai të cilit dikur qentë ia kishin shqyer pantallonat e synetit. Kurse tani duket se policët ia shqyen edhe xhepin, të cilin posa ia kishte qepur xhixhi, që posa kishte ardhur prej mërgimi!/FRESKIRINORE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.