Ballina Jeta Histori e vërtetë: Ikja me kthim drejt Italisë e 20 mijë shqiptarëve

Histori e vërtetë: Ikja me kthim drejt Italisë e 20 mijë shqiptarëve

48
0
SHPËRNDAJE

Pas dy eksodeve historike, atij të ambasadave të korrikut `90 dhe  anijeve anijeve të marsit `91, do vinte i treti: 8 gusht 1991. Gdhiu ajo ditë me zakonshmërinë e të tjerave të asaj vape gushti, ku aty nga ora 9.00 rendi i gjërave u prish.

Pas 5 muajsh kthim në normalitet, portat e portit të Durrësit do hapeshin sërish, ku me mijra shqiptarë do dyndeshin drejt anijes ‘Vlora’, duke hipur aty me të gjithë format, ku me e dukshmja ishte ajo me litar, transmeton portali Tesheshi.com

Talenti për alpinizëm u shfaq si një stërmundim heroik për t`ja mbathur me çdo çmim matanë detit. Mediat botërore, do kishin shansin tjetër që të garonin për të realizuar fotot më spektakolare me ikanakë të marrosur drejt perëndimit.

Dhe pasi ishte mbushur dingas, anija ‘Vlora’ ndezi motorët aty nga ora 19.00 e mbrëmjes për të vijuar një udhëtim të pazakontë sa ekzistonte, drejt brigjeve italiane. Në bordin e saj mbante 20 mijë shqiptarë që  kapicë mbi njëri-tjetrin dhe me zorrët që u gërryenin nga uria, po shijonin ëndrrën e rendjes drejt perëndimit.

Ishte një udhëtim që zgjati gjatë gjithë natës, për të përfunduar të nesërmen paradite në brigjet e Barit.

Por nuk ishte e thënë që ata 20 mijë shqiptarë të priteshin si bashkëatdhetarët e tyre të marsit: t`u jepej ushqim e veshje atypëraty, si për t`u ndjerë të mirseardhur. Politika dhe shoqëria italiane u nda në dysh në qëndrimet e saj rreth asaj mase që po zbarkonte në brigjet e Barit, nëse duhej të mirëpritej apo duhej kthyer mbrapsht. Dhe çfarë ndodhi më pas, rezultoi të ishte një metodë që i detyroi të 20 mijë shqiptarët (më pak përjashtime), që të ktheheshin pas, shumica me rrugë ajrore.

Nga porti i Barit, ajo plojë njerëzore do transferohej në stadiumin e vjetër të qytetit, ku do merrte përmasat e një tragjedie, nga fakti se aty do shpërthenin dhe betejat me bandave të krijuara nga elementë kriminalë që kishin udhëtuar dhe ata si refugjatë, e po ashtu nga fakti i betejave për krodhen e bukës, që nisi t`u hidhej turmave me helikopterë nga sipër si ishin lukuni qensh.

Dhe pas dy ditësh në këtë gjendje, ku shqiptarët gati po hanin njëri-tjetrin brenda stadiumit, autoritetet hapën portat duke e shfryrë masën njerëzore që doli dhe u vendos në sheshin e madh para stadiumit. Edhe disa ditë aty, derisa nisi të shfaqej dëshira për t`u kthyer mbrapsht.

Në këto kushte, autoritetet italiane aktivizuan avionë civilë dhe ushtarakë, të cilët nga aeroportet më të afërta niseshin me shqiptarë ëndërrvrarë e të dëshpëruar drejt Shqipëri së urryer, të bërë të dashur sakaq.

Ishte kjo ndër ikjet më të mëdha të asaj periudhe, me të veçantën pra, se u shoqërua nga kthimi pas.

*Autori i shkrimit ishtë një ndër ata mijra shqiptarë që ikën dhe u kthyen.

® Mos i bëj vetëm ‘LIKE’ këtij postimi por SHPËRNDAJE pasi dikush mund të ketë nevojë ta lexoje sot!

|Ndalohet rreptësisht prodhimi i faqes pa kërkuar leje me shkrim| Të gjitha të drejtat e rezervuara © freskirinore.com

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.