Ballina Opinion HOXHA: Një konferencë, vakëfi, dhe morali i përmbysur shoqëror

HOXHA: Një konferencë, vakëfi, dhe morali i përmbysur shoqëror

38
0
SHPËRNDAJE

Për një sërë arsyesh m’u desh që ditë më parë të ndiqja punimet e një konference mbi institucionin e vakëfit. Një kujtesë e jashtëzakonshme historike, një trashëgimi për t’u mburrur.

Njerëz që kanë dhënë gjithçka për shoqërinë, që i kanë dhuruar tërë pasurinë shoqërisë, që me pasurinë e tyre u kanë dhënë formë qendrave të banuara, i kanë dhënë formë moralit shoqëror.

Pa pritur asgjë, pa marrë asgjë, veç fitimit të kënaqësisë së Zotit!

I tërë akti i tyre është gdhendur e shumta në një mur xhamie, me një emër të lënë ashtu… Në një çezmë a diçka tjetër…

Një periudhë e tërë e mbizotëruar nga një kontribut i tillë shoqëror, posaçërisht ajo osmane, ngjyrëhumbur me kalimin e kohës.

Vakëfi, një instrument i mahnitshëm, zbutës i kontrasteve shoqërore. Mirëbërësi e sinqertë, pa pritshmëri për të marrë diçka si shpërblim.

Krejt e kundërta e së sotmes. Kur njerëzit veç duan të marrin, të marrin, të marrin… Me çdo çmim, duke vjedhur, korruptuar, mashtruar, falsifikuar, duke vrarë… Pa pyetur për më të afërmin, vëllain, motrën… Pa u skuqur, pa patur turp të marrin atë që nuk u takon…

Njerëz që i lënë dyert e gjykatave duke qeshur, a thua se kanë lënë një kamp pushimi, familje të shkatërruara për një copë tokë, për një pronë. Virtyt, aftësi, është tani të marrësh sa më shumë, mundësisht diçka që nuk të përket. Një shoqëri që deri dje garonte në bamirësi, sot garon në hajdutëri.

Moral i kthyer përmbys i shoqërisë. Nga dhënia te marrja, nga synimi për të mirën e përgjithshme te ai për të mirën individuale, nga institucioni i vakëfit te përvetësimi i pafre i gjithçkaje. Nga vepra mirëbërëse te ajo keqbërëse.

Por dhe kur bamirësia zë vend, aty-këtu, ajo ka nisur të marrë trajtë mediatike. Një fenomen që e kthen gjithçka në lotari gjigande. Lum ai të cilit i bie bingoja! Bamirësi mediatike që të dy palët i shtrëngon të aktrojnë. Mirëbërësin për t’u treguar sa më filantrop, të pafatin për të përfituar ç’të mundet nga fati i ardhur në derë.

Bamirësi që nuk i shkon në rrënjë problemit, por që merret me pasojën, rrjedhojën e padrejtësisë shoqërore, të një shoqërie të mbajtur në themele të shtrembërta. Bamirësi e kthyer në spektakël: sa më i përvuajtur të shfaqet i pafati, aq më shumë dritë hidhet mbi mirëbërësin. Bamirësi e kthyer në rivalitet mes protagonistësh, në përplasje për më shumë famë. Bamirësi robinhudiste…

As heshtje, as pazëshmëri, as bamirësi e bërë larg syve të njerëzve. Siç duhet vërtet, siç urdhërohemi vërtet…

Periudha e errët osmane? Ç’shaka pa kripë!

Koha e sotme? Maskarallëk!

Nga Bujar M.Hoxha

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.