Ballina Hudbe HUTBET E XHUMASË DHE HATIBËT E SOTSHËM

HUTBET E XHUMASË DHE HATIBËT E SOTSHËM

26
0
SHPËRNDAJE

Jo që shpeshherë bëhet pjesë e debatit mes muslimanëve është pyetja se çfarë përfituam sot nga hytbeja e xhumasë. Por para kësaj është pyetja: Ku do ta falim sot xhumanë, te një hatib i cili ligjëron shkurt e shpejt apo diku ku së paku xhamia ka ambient të mirë, edhe pse hytbeja nuk është e mirë?

Pyetjet e tilla të japin të kuptosh se për shkak se përgatitja e hatibëve është shumë e dobët dhe e cekët nga ana akademike, kjo i bën muslimanët që t’u ikin ligjëratave boshe e të padobishme. Disa hatibë flasin gjatë, por nuk japin asnjë mesazh; disa ia qëllojnë temës së hytbes, por oratoria e tyre është në nivel të ulët; disa prej hytbeve janë tërësisht pa kurrfarë përmbajtjeje dhe e shtyjnë muslimanin të largohet nga xhumaja bindshëm e të thotë: “Po, hoxha foli për këtë temë!”

Disa prej tyre ligjëratat i kanë bosh nga fjalët e Allahut dhe të Pejgamberit të Tij. E tërë hytbeja është filozofi shterpë, e pakuptimtë, asnjë porosi nuk mbillet në kokën e atij që ka qenë i pranishëm në xhuma. Dhe më e keqja është se ai hatib mendon se ka qenë i përkryer apo se ndoshta nuk ka hatib si ai!

Ka të atillë që as profesionalisht nuk e meritojnë të jenë hatibë sepse së pari as leximin e ajeteve nuk e bëjnë sipas gramatikës dhe rregullave të texhvidit; ata në realitet as që e kuptojnë gjuhën e Kur’anit dhe të hadithit, andaj gabimet e tyre nëpër hytbe janë trashanike dhe kur i dëgjon gabimet të dhemb veshi ose të duket sikur dikush lëshon një zë rrëqethës në mes të një qetësie të madhe.

Disa prej tyre përmendin në gjuhën shqipe një hadith me një kuptim, kurse në arabisht lexojnë një hadith krejt tjetër!

Ka edhe të atillë që u duket vetja si në odën e burrave dhe thua ti se ai është kryeplaku i katundit, ku të gjithë heshtin kur ai flet. Ai harron se karakteristika e xhumasë është shumë ndryshe. Hytbeja e tij nuk duhet ta vërë në gjumë xhematin, por t’ia nxjerrë gjumin, që ata t’i bëjnë sytë katër kur ligjëron ai.

Disa hatibë nuk i kushtojnë rëndësi fare vetëdijes së xhematit që kanë para vetes; disa harrojnë se para tyre ka njerëz intelektualë me shkollim universitar, që ndoshta kanë lexuar libra për fe më shumë sesa vetë ata hatibë.

Disa prej tyre janë edhe tregues përrallash e shqiptues hadithesh e rrëfimesh të shpikura e të pabaza në fe, disa prej tyre fatkeqësisht i kemi dëgjuar edhe duke thënë fjalë kufri…. la ilahe il-lallah!

Ndodh që të ketë edhe prej atyre që janë më politikanë sesa vetë politikanët apo më gazetarë se gazetarët. Pra, realiteti i hatibëve të sotshëm në fakt është shumë dëshpërues e pak shpresëdhënës për përmirësimin e atyre që shkojnë në xhuma.

Pak hatibë të sotshëm ndikojnë me hytbet e tyre në shtimin e besimit të xhematit. Të paktë janë ata hatibë që i kanë bërë hytbet e tyre objekt diskutimesh mes muslimanëve deri në xhumanë e ardhshme; të paktë janë ata hatibë që e kanë shtyrë xhematin t’i incizojnë hytbet e tyre për të përfituar nga ato hytbe edhe në të ardhmen apo për t’ua transmetuar të tjerëve që nuk kanë qenë prezentë… të paktë… shumë të paktë.

Realiteti është, siç e lakova edhe në fillim, se xhemati çdo xhuma mendon ku ta falë atë dhe vazhdimisht mundohet t’i ndërrojë xhamitë me shpresë se do të ketë fat për të dëgjuar diku ndonjë hytbe të mirë e të dobishme.

Pse?

Ngase hatibët e tyre janë:

-dëshpërues

-monotonë

-pa mesazhe deri në javën tjetër

-pa këshilla mbresëlënëse e prekëse

-më shumë ofendues sesa qortues me të drejtë

-pa fjalë të Allahut dhe të Pejgamberit të Tij

-filozofë e përrallaxhi dhe jo njerëz të argumentit nga shpallja e kështu me radhë.

Këta nuk e kanë parasysh fare Traditën e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në ligjërim. Pejgamberi ynë sal-lAllahu alejhi ve sel-lem është shëmbëlltyra jonë edhe në këtë rast patjetër, pasi nuk ka kohë dhe vend kur ne nuk duhet ta marrim shëmbëlltyrën e tij si mostër. Allahu thotë: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.”[1]

Shumica e këtyre hatibëve e lexojnë këtë ajet nëpër hytbet e tyre, por e kundërshtojnë me formën e hytbes së tyre dhe mënyrën e ligjërimit, ndërsa për bidatet në to të mos flasim (shiko librin tonë “Bidatet e xhumasë”, botuar më 2005).

Tradita e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem në hytbet e tij ka qenë krejtësisht ndryshe. Hytbet e tij para së gjithash ishin:

1- të shkurtra por përmbledhëse, sepse edhe vetë ai ka thënë se prej pesë gjërave që Allahu e ka veçuar atë nga Pejgamberët e tjerë është se atij i është dhënë ligjërimi me fjalë përmbledhëse.

Nuk është arsyetim për hatibët se kjo ka qenë karakteristikë vetëm e të Dërguarit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, pasi ne jemi nga ummeti i tij dhe hatibi hytben e tij duhet ta bëjë përmbledhëse duke e ndarë në pika dhe me argumente sa më aluduese pa e tepruar me detajet;

2-plot me këshilla e përkujtime prekëse, mbresëlënëse e ndikuese, ushqim i besimit të muslimanëve. Transmetohet nga sahabi Irbad ibën Sarijeh, radijAllahu anhu, i cili ka rrëfyer se “i Dërguari i Allahut njëherë na këshilloi me një këshillë prej së cilës u drodhën zemrat dhe lotuan sytë…”[2]

3- frikësuese e kërcënuese, saqë sahabët e kanë cilësuar atë të frikshëm në hytbet e tij, sikur paralajmëronte për ndonjë ushtri që ishte nisur t’i sulmonte;

4- arsimim dhe shkollë, edukatë dhe mësim, urdhërim në të mirë dhe ndalim nga e keqja. Transmetohet nga Ummi Hisham bint Harithetu ibën Nu’man se ka thënë: “E kam mësuar (suren) “Kaf, vel-Kuranil-Mexhid” vetëm nga gjuha e Pejgamberit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, e lexonte atë në çdo xhuma në minber kur u ligjëronte njerëzve.”[3]

Transmetohet nga Xhabiri, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, se Sulejk ibën Gatafani kishte ardhur në xhami teksa Pejgamberi sal-lAllahu alejhi ve sel-lem kishte qenë duke ligjëruar (dhe ishte ulur pa i falur dy rekate). Atëherë ai i tha: “O Sulejk! Ngrihu dhe fali dy rekate dhe shpejto në to.” Pastaj tha: “Kur dikush prej jush vjen në ditën e xhumasë dhe imami ligjëron, le t’i falë dy rekate dhe të shpejtojë në to.”[4]

Këto ishin disa nga karakteristikat e hytbeve të Pejgamberit tonë, Muhamedit sal-lAllahu alejhi ve sel-lem, shëmbëlltyrës sonë, të cilat i kanë anashkaluar një numër i madh hatibësh, për fat të keq.

Kështu duhet të jenë hytbet e hatibëve, së paku të pajisura me njërën nga këto veçori. E kur të ndodhë kjo, ata do të jenë më progresivë dhe përmirësues të gjendjes shpirtërore të muslimanëve, me anë të së cilës u rregullohet jeta e kësaj bote dhe e ahiretit. Përndryshe xhemati do të vazhdojë të mendojë se si të ikë sa më shpejt nga hytbet monotone e shterpë nga dija dhe motivi kryesor që do t’i sjellë ata në xhuma do të jetë vetëm obligueshmëria e namazit të xhumasë, por jo hytbeja prekëse dhe mbresëlënëse e hatibit.

Mirëpo, ç’të bësh, të vërtetën ka thënë Pejgamberi ynë sal-lAllahu alejhi ve sel-lem kur thotë: “Kur i jepet pozita atij që nuk e meriton, prite kiametin.”[5]

Allahu azze ve xhel i përmirësoftë hatibët e xhamive tona, ua shtoftë dijen dhe pasimin e Traditës Pejgamberike në çdo sferë, edhe në mënyrën e ligjërimit nëpër hytbe, amin!

Allahu i dëgjon lutjet tona dhe u përgjigjet atyre!

Zejd HAZIRI

Gjilan / Kosovë

____________

[1] EL-Ahzab: 21

[2] Transmetoi Ebu Davudi, Tirmidhiu dhe të tjerët, hadith hasen.

[3] Trans Muslimi 873.

[4] Trans Muslimi 875

[5] Trans Buhariu 2

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.