Ballina Opinion Ligji i Koresë së Veriut

Ligji i Koresë së Veriut

34
0
SHPËRNDAJE
Muhedin Brava

Edhe një “fitore” shumë e madhe në “dobi” të shqiptarëve në Maqedoni. Kuvendi Republikës së Maqedonisë solli Ligjin për tregjet, me të cilin ligj do të mundësohet që në tregjet tona të mund të shitet gjithçka, prej gjilpërës deri në aeroplan.

Kim Jong Un, lideri dhe diktatori aktual i Koresë së Veriut, besimin e 25 milionë koreanëve e bleu vetëm me një lëvizje të thjeshtë: me hapjen e tregjeve gjithandej ku është e mundur.

Koreano-veriorët e mjerët tani nuk kanë kohë të mendojnë për vlerat e demokracisë, sepse ata, për ta siguruar kafshatën e bukës, duhet të punojnë ditë e natë, ditë e natë të blejnë e të shesin, kurse për punët e mëdha të shtetit, do të mendojë Partia Komuniste në krye me liderin Kim Jong Uni, i cili me urdhrin për hapjen e tregjeve të shumta deri diku arriti t’u bëjë ballë embargove të ndryshme në njërën anë dhe të vazhdojë të zhvillojë programin nuklear nga ana tjetër.

Të kthehemi në hapësirën tonë. Derisa të gjitha shtetet në tranzicion përpiqen të gjejnë modele të avancuara ekonomike për zhvillim dhe prosperitet, tek ne ndodh e kundërta: përcaktohemi për një model të Koresë së Veriut që do të na mundësojë të kënaqemi me 500 denarë që do të na mbesin si fitim në mbrëmje.

Tash e tutje në tregjet tona, krahas pemëve e perimeve, do të shitet edhe tekstili, edhe këpucë, edhe ari, edhe teknika e bardhë, edhe cigaret, edhe…edhe….thjesht gjithçka çka shitet, përfshi edhe kaosin.

Informacionet e fundit tregojnë se rreth 15 biznesmenë (partiak) shqiptarë kanë dorëzuar kërkesa për hapjen e tregjeve, sepse edhe me këto tregje do të menaxhojnë (e manipulojnë) të fuqishmit e partive tona, të cilët vazhdojnë të “vuajnë” për çështjen kombëtare. Dhe çfarë mund të ndodhë? Është e pritshme që të mbyllen shumë ndërmarrje tregtare, shumë markete e dyqane.

Hapja e tregjeve gjithandej do ta dëmtojë sidomos arsimimin e të rinjve tanë, të cilët do të joshen që të fitojnë lehtë dhe pa mund, pavarësisht se do të punojnë herë në acar e herë në ferr me diell mbi kokë dhe gjithsesi do të thonë: “kush i ka pa hajrin shkollës”.

Kurse pala tjetër, ajo maqedonase dhe pala jonë në pushtet (partia), do të “krenohen” me uljen e papunësisë, të cilën sërish do ta përdorin si atu për fitimin edhe të një mandati. Sepse, ata janë barinjtë tanë, kurse ata e dinë se grigja gjithmonë i shkon pas bariut, sepse po u nda prej tij, atëherë e pret ujku.

Fatkeqësisht, shqiptarët në Maqedoni tash e tutje do të identifikohen jo vetëm me Bit Pazarin, por edhe me shumë pazare tjerë. Kjo, mbase rrezikon të bëhet jo vetëm pjesë e profesionit tonë, por edhe e identitetit tonë.

Muhedin Brava

 

Populli ka thënë: “N’kofsh Bektesh, e merr vesh”. Në Korenë e Veriut ky projekt i Kim Jong Unit tash për tash po jep rezultate solide. Nëse atje pushteti është në duart e Partisë Komuniste që është vetëm një maskë e diktatorit Kim Jong, atëherë pas cilës maskë fshihen politikanët tanë që miratojnë një ligj që është thikë me shumë tehe. Shohim e bëjmë…

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.