SHPËRNDAJE

Falënderimi qoftë për Allahun e Madhërishëm, prej të cilit kërkojmë ndihmë, falje dhe udhëzim. Ndërsa bekimet e Allahut qofshin për Muhamedin a.s. për familjen e tij, për shokët e tij dhe për të gjithë ata që e ndjekin rrugën dhe mësimet e tij deri në amshim.

Vëllezër besimtarë;

Në hutben e sotme, me lejen e Allahut, do të flasim në temën: Mos i ndiqni gjurmat e shejtanit!

Allahu i Plotfuqishëm thotë:

“O njerëz! Ushqehuni me të gjitha ato që gjenden në Tokë, që janë të lejueshme dhe të mira dhe mos ndiqni gjurmët e djallit! Se ai është armik i përbetuar i juaji. Ai vetëm ju nxitë në të këqija dhe në vepra të turpshme dhe të flisni kundër Allahut ato gjëra që nuk i dini.” (el-Bekareh -168-169)

Vëllezër të dashur;

Sa prej nesh jemi që e quajmë veten musliman, kurse i hamë dhe i pijmë gjërat që janë haram?

Sa prej nesh jemi që e quajmë veten musliman, kurse nuk kujdesemi fare dhe i përdorim dhe i punojmë gjërat që janë haram?

Sa prej nesh jemi që e quajmë veten musliman, ndërsa edhe mishin e kurbanit e kemi bërë haram, sepse e kemi blerë nga paratë që i kemi fituar në bastore, apo të cilat i kemi fituar duke rishitur gjërat e vjedhura…? (Vëllezër, vjedhja dhe blerja e mallrave të vjedhura është e njëjtë).

Sa prej nesh jemi që e quajmë veten musliman, kurse pa birrë dhe pa pije të tjera alkoolike nuk mund ta kalojmë asnjë ditë? (I mallkuar është ai që pi alkool, ai që e shet, ai që e shërben… etj.).

Sa prej nesh jemi që e quajmë veten musliman, kurse prej Islamit e kemi vetëm emrin?

Vëllezër të respektuar;

Të jesh musliman do të thotë të largohemi nga mëkati dhe shfrenimi.

Të jesh musliman do të thotë të kujdesemi se çka hamë, çka pimë, çka veshim, me kend shoqërohemi, kujt i nënshtrohemi…

Të jesh musliman do të thotë të flasim për Allahun vetëm atë që e dimë. Është absurde të themi: „Allahu ka thënë këtë dhe këtë“, nëse kurrë në jetën tonë nuk e kemi hapur Kuranin apo tefsirin, që me të vërtetë të shohim se çka na thotë Allahu.

Njohja për Allahun fitohet nga studimi afatgjatë i shkencave islame, jo duke shkuar nga një kafene në tjetrën, apo sapo ta kemi mbaruar mësimin e shkronjave.
Prandaj, vëllezër të dashur, ju lutem që të përmbahemi nga fjalët: “Ka thënë Allahu … ka thënë Pejgamberi …”, sepse nëse gënjejmë për Allahun dhe Pejgamberin vetëm një fjalë, e te ne mund të ketë raste që nga injoranca apo nga diçka tjetër ta gënjejmë edhe krejt fjalinë, atëherë neve na përfshijnë këto fjalë të Allahut të Madhërishëm:
“Kush është zullumqar më i madh se ai që trillon gënjeshtra kundër Allahut ose mohon të vërtetën që i ka ardhur? Vallë, a nuk është xhehenemi vend për mohuesit?” (el-Ankebut, 68)

Kurse Pejgamberi savs ka thënë: „Kushdo që gënjen për mua qëllimisht (qëllimisht është kur e flasim atë që nuk e dimë), le ta përgatit vendin në zjarr.“

Vëllezër të dashur;

Një aspekt i shprehjes së gënjeshtrave ndaj Allahut të Plotfuqishëm është edhe gjykimi i njerëzve të tjerë.

Pejgamberi savs ka thënë: ‘Një njeri tha: „Pasha Allahun, Allahu nuk do t’ia falë filanit dhe fistekut! Atëherë Allahu tha: „Kush është ai që ngrihet mbi Mua, dhe thotë se Unë nuk do ta falë filanin dhe fistekun! Unë atyre ua fala, kurse veprat tuaja i anulova!“

Duhet ta dimë se kuptimi ynë për drejtësinë nuk është i njëjtë me drejtësinë e Allahut. Nëse dikënd ne e urrejmë apo ia kemi zili, kjo nuk do të thotë se atë Allahu duhet ta dënojë, përkundrazi, ndoshta kjo mund të jetë arsye që Allahu neve të na dënojë, ndërsa atë ta falë. Sepse një proverb thotë: «Mënyrat e Zotit janë të çuditshme!»

Një formë e injorancës për Allahun e Plotfuqishëm është ta fajësojmë Allahun për sprovat që na kanë goditur. Kam dëgjuar se një gruaja ishte në besim gjithë jetën e saj: falej, agjëronte, jepte lëmoshë… por pastaj Allahu e sprovoi me sëmundjen e fëmijës, dhe në vend se të kërkojë ndihmë nga Allahu, ajo e fajësoi Allahun për atë që e goditi, kështu ndërpreu namazin, agjërimin, thjesht u largua nga rruga e drejtë.

Vëllezër; Të kemi njohuri për Allahun e Plotfuqishëm, do të thotë, ta dimë se Allahu është me neve dhe për neve në të mirën dhe në të keqen.

Të kemi njohuri për Allahun e Plotfuqishëm, do të thotë, ta dimë se çdo gjë që ne kemi (pasuria, shëndeti, fëmijët …) të gjitha Ai na i ka dhënë gratis, falë, andaj si mund të zemërohemi kur të na i merr ato.

Të kemi njohuri për Allahun e Plotfuqishëm, do të thotë, të kemi mendim të mirë për Allahun, pavarësisht nga situata në të cilën gjendemi. Ndoshta ndonjëri prej nesh tani do të thotë se kjo është e lehtë të thuhet, por kur ndodh atëherë ajo është ndryshe, dhe keni të drejtë, prandaj i lutemi Allahut që të na ruajë nga ato sprova të cilat nuk mund t’i përballojmë, e sidomos të na ruajë nga sprova me fëmijët tanë.

Vëllezër të dashur;

Se është e mundur të përputhen fjalët dhe veprat, madje edhe në raste të këtilla, më së miri na tregon rasti i Pejgamberit tonë savs, i cili i ka varrosur tre djem dhe tri vajza, por përsëri ka mbetur në rrugën e drejtë, sepse ai e dinte se gjithçka që vjen, qoftë e mirë apo e keqe është me caktimin e Allahut.

Historia e ka regjistruar rastin e vdekjes së djalit të tij të fundit, Ibrahimit, ku thuhet: “Muhamedi e mori fëmijën duke iu dridhur duart dhe e vuri në prehrin e tij. Zemra po i ndahej nga tragjedia e re, kurse fytyra e pasqyronte dhembjen e brendshme. Duke iu zënë fryma nga pikëllimi tha: “O Ibrahim, para caktimit të Allahut ne jemi të pafuqishëm”, dhe pastaj heshti. Lotët i rridhnin nga sytë. Fëmija ngadalë po vdiste, ndërsa nëna dhe tezja e tij, të cilat po e shikonin, qanin me zë pandërprerë. Pejgamberi këtë nuk ua ndaloi. Kur Ibrahimi vdiq, shpresa e Muhamedit savs e cila për pak kohë ishte ngushëllim për të plotësisht u shua. Me lot në sy edhe një herë iu kthye fëmijës:
„O Ibrahim, sikur të mos ishte e vërteta e sigurtë se i fundit prej nesh bashkohet me të parin, do të vajtonim më edhe më shumë se që po bëjmë tani.“ Pas pak çasteve tha: „Sytë qajnë, dhe zemra pikëllohet, por ne nuk themi asgjë tjetër përveç asaj që i pëlqen Zotit tonë. Vërtetë, o Ibrahim, ne jemi të pikëlluar për shkuarjen tënde.“

Të vetëdijshëm për pikëllimin e Muhamedit savs, disa persona të urtë në mesin e muslimanëve u përpoqen t’ia përkujtojnë Pejgamberit sesi ai vetë i kishte urdhëruar që mos të lëshohen në vetë-keqardhje për shkak të humbjes së dhimbshme nga vdekja e dikujt. Kurse Muhamedi savs u përgjigj: ‘Unë nuk e ndalova pikëllimin, por ngritjen e zërit gjatë vajtimit. Ajo që po shihni në mua është pasojë e dashurisë dhe dhembshurisë në zemrën time ndaj fëmijës tim të humbur. Mos harroni se ata që nuk kanë mëshirë për të tjerët, as ndaj tyre nuk do të ketë mëshirë nga të tjerët.“ (…)

Në këtë mënyrë Pejgamberi savs, e ka menaxhuar pikëllimin. Dhe kjo është arsyeja pse aq shumë ne e admirojmë Pejgamberin savs dhe e ndjekim shembullin e tij në çdo segment të jetës.

– O Zot na i prano veprat tona të mira dhe na i fal mëkatet dhe gabimet!

– O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!

– Na bën prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!

– Na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë!

– O Zot, fali prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët te ne e përcjellën dritën e Islamit, kurse fëmijët tonë bëri prijës të Umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut!

Na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në xhenet në shoqëri me pejgamberë, me të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë! Amin. Përshtati: Miftar Ajdini

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.