Ballina Dita e Xhuma-Project Namazi i harruar…

Namazi i harruar…

15
0
SHPËRNDAJE

Mehas Alija

Të dashur xhemat, sot dua të flas rreth një teme që ka të bëjë me një namaz, namaz i cili, sot, mund të konsiderohet si i huaj midis nesh. Të flasësh sot për këtë namaz, është sikur, një njeriu që ka uri të thellë, t’i flasësh se sa e shijshme është ëmbëlsira pas ushqimit të mirë. Pra, në këtë kohë njerëzit kanë mungesa në namazet e detyrueshme, e të mos flasim për namazet nafile / vullnetare.

Jetojmë në një kohë të vështirë. Nga hallet e tepërta, na duket se koha është shkurtuar shumë. Dita sikur na është bërë një orë, kurse nata edhe më e shkurtër. Nga lodhja e ditës, nuk e ndiejmë as edhe natën. Detyrimet tona ndaj punës, shkollës dhe familjes tërheqin vëmendjen më të madhe tonën. Përveç kohëve të namazit, që na falin pak kohë pushimi, është vështirë të gjesh kohë tjetër për të menduar dhe pushuar. Një pjesë e madhe prej nesh, jetën e jetojnë duke u ngutur, e, ndonjëherë, duke mos parë se çfarë po lëmë anësh.

Mirëpo, ka një pjesë të natës kur më nuk punohet, njerëzit janë në gjumë, kurse qetësia është e vetmja që mbizotëron. Në këtë kohë, kur të gjithë rreth nesh flejnë, është Ai i cili, gjithmonë, është zgjuar dhe pret që ta thirrim. Në një hadith kudsij thuhet: “Allahu ynë zbret çdo natë në qiellin më të afërt të dynjasë kur ka mbetur një e treta e fundit e natës dhe thotë: A ka ndonjë që më lutet Mua, që Unë t’i përgjigjem atij? A ka ndonjë që më kërkon Mua diçka, që Unë t’ia siguroj atë atij? A ka ndonjë që kërkon faljen Time, që Unë ta fal atë?” (Buhari, Muslimi).

Tani mund ta paramendojmë se si do të ishte sikur ndonjë mbret ose udhëheqës do të vinte te dyert tona, duke na ofruar gjithçka që ne kemi nevojë dhe kërkojmë. A thua do të kishte njeri të mençur që nuk do ta kurdiste alarmin, për ta zgjuar në atë kohë të caktuar? Sikur të na thuhej se, pikërisht, një orë përpara se të lind dielli, te pragu i derës së shtëpisë, do të jenë 10 mijë franga (euro), a thua nuk do të zgjoheshim në këtë kohë? Cili njeri i mençur nuk do ta prishte gjumin në këtë moment për t’i marr paratë?

O vëllezër, Allahu, Zoti i Lartë, po na thotë, se në këtë kohë, në pjesën e fundit të natës, Ai përgatitet për të na dëgjuar neve dhe për të na i plotësuar nevojat tona. Paramendojeni këtë moment. Allahu është gati për t’i plotësuar kërkesat tona. Gjithashtu, Zoti i gjithësisë, ofron bashkëbisedim të veçantë me Të. Ai pret, që ne të flasim me Të, e shumë kush e ka harruar këtë kohë takimi me Zotin. Allahu na pyet se ç’dëshirojmë prej Tij, kurse Ai ka premtuar se ka për të na e dhënë gjithçka që kërkojmë. Kurse ne flejmë? Flejmë natën, flejmë edhe ditën. Jemi në një gjumë të thellë, sa s’mendojmë asgjë të re dhe lutjet tona janë bërë aq të vjetra, sa edhe vetë ne.

Dijeni se ka për të ardhë dita kur perdja e mashtrimit do të bie. Këtë e dëshmon vetë Kur’ani famëlartë: “(I thuhet) Ti ishe në një huti nga kjo (ditë) e Ne ta hoqëm perden tënde dhe tash ti sheh shumë mprehtë.” (Kaf, 22).

Atë ditë do ta shohim qartë realitetin. Atë ditë do të kuptojmë, njëherë e mirë, se vërtetë dy reqate namaz paskësh qenë më të vlefshëm se sa e gjithë bota dhe ç’ka midis qiejve dhe tokës. Do të kuptojmë për vlerën e ‘çekut’ që nuk e vlerësuam, e lënë në prag të secilës natë, atëherë kur ne bënim gjumë. Do të vijë ajo kohë, kur do të duam të kthehemi edhe njëherë në jetë, e t’i falim ata dy reqate, madje edhe sikur të humbnim gjithçka tjetër si kompensim. Do të vijë ajo kohë kur do të na bëjë të urrejmë tërë atë që na e mori zemrën dhe preokupoi mendjen, e do të duam shumë ta kemi atë takim me Zotin. Në këtë ditë, Allahu i Lartë, disave do t’ua kthejë shpinën, do t’i harrojë, mu ashtu siç ata dikur harruan Atë. Këtë e tregon Kur’an famëlartë, ku thotë: “Ai (që nuk besoi) do të thotë: “Zoti im, përse më ngrite të verbër, kur unë isha me sy? Ai (All-llahu) thotë: “Ashtu si i harrove ti argumentet Tona që t’i ofruam, ashtu je ti i harruar sot.” (Taha, 125-126). “Mos e ngrini zërin tash, se ju nuk keni ndihmën Tonë!” (Mu’minun, 65).

Le të mendojmë vetëm pak rreth kuptimit të këtyre ajeteve. Kjo, assesi, nuk i ngjan kthimit të shpinës së mikut të vjetër apo shokut të shkollës. Këtu kemi të bëjmë me Krijuesin tonë, Allahun xh.sh., Zotin e të gjithë botëve. As xhehennemi, as uji i vluar, as lëkura e përdjegur, nuk është dënim më i madh se të të harrojë Allahu xh.sh.

Ashtu sikurse nuk ka dënim më të rëndë nga sa përmendëm, po ashtu, nuk ka as shpërblim më të madh nga kjo që Pejgamberi a.s. e thotë: “Kur të hyjnë banorët e xhennetit në të, Allahu i Lartë do t’i pyes: A dëshironi t’ju jap edhe më shumë? Ata do të përgjigjen: A nuk na i bërë veprat të rënda në peshore, e fytyrat na i zbardhe, na dhurove xhennetin dhe na mbrojte prej zjarrit të Xhehennemit? Më pas, do të ngritet perdja dhe ata do të shohin Fytyrën e Allahut të Lartë, kështu që kjo do të jetë kënaqësia më e madhe dhuruar atyre, që është të shikuarit e Allahut, Zotin e gjithëmëshirshëm.” (Imam Muslimi).

Ata që e kërkojnë Allahun xh.sh. natën, e gjejnë Atë pranë tyre edhe ditën, madje edhe pa e kërkuar. Ata që e kërkojnë dritën e Allahut natën, do të kenë dritë në errësirën e varrit dhe mbi urrën e Siratit, nën të cilën është zjarri, kurse mbi të terri. Dije se namazi i natës është drita jote për shumë errësira.
Ne, gjatë jetës sonë, kemi pasur mundësi të provojmë gjëra nga më të ndryshmet, si udhëtimet, lojërat, ushqimet dhe pijet… Pse të mos provojmë edhe kënaqësinë e namazit të natës. Ai mund të na ofrojë shumë ma tepër kënaqësi, në krahasim me disa gjëra të tjera në jetë.

(Hutbeja e xhumasë, 21.10.2016, El-Hidaje, St. Gallen, Zvicër)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.