SHPËRNDAJE

Kurani famëlartë çdo sjellje morale/koncept për të cilin intelekti i përbashkët i njerëzimit e ka pranuar si të mirë, e lavdëron dhe çdo veprim moral, çdo koncept për të cilin intelekti i përbashkët i njerëzimit e ka pranuar si të keq, e qorton. Pra sjellja e moralshme pothuajse në çdo aspekt zënë vendin qendror në Kuranin famëlartë.

Shkruan Doc. Dr. Selver Xhemaili
Shkruan Doc. Dr. Selver Xhemaili

Allahu Madhëriplotë e ka krijuar njeriun në formën më të bukur, gjithçka në gjithësi e ka ofruar në shërbim të tij. Njeriun të cilin e ka caktuar si udhëheqës në tokë e ka pajisur me aftësi të larta të cilat nuk i janë dhënë asnjë krijese tjetër siç është përdorimi i mendjes, logjika, meditimi dhe vullneti i lirë. Nga njeriu të cilit i janë dhënë këto veçori vetëm ka kërkuar t’i bëjë robëri Atij. Nënshtrimi ndaj Allahut do të thotë, duke shfrytëzuar lirinë e zgjedhjes, pra në bazë të dëshirës së lirë, të respektosh vullnetin/urdhrat e Allahut. Ky fakt kërkon që njeriu të jetojë gjithnjë me vetëdijen e përgjegjësisë dhe falënderimit ndaj Allahut I Cili ia fali njeriut gjithçka që posedon. Në këtë kontekst, ndjenja e përgjegjësisë është stabilizator i moralit të adhuruesit. Studimet psikologjike vërtetojnë se ndjenja fetare dhe ndjenjat e përkushtimit, respektit dhe dashurisë ndaj Absolutit janë të lindura (fitrah). Si rrjedhojë, ortopraktika fetare nuk është vetëm kërkesë hyjnore, por edhe element struktural i qenies njerëzore.

Nga ana tjetër “Humbja e ndjenjave të përgjegjësisë ka ndikuar që dekadenca të dominojë mbi intelektin islam, dhe për këtë shkak periudhat e fundit historike të ummetit islam janë përplot destabilizime e trazira. Vetëm ndjenjat e përgjegjësisë mund ta nxjerrin muslimanin nga gjendja e mjerueshme momentale dhe ta udhëzojnë në rrugë të drejtë, që ta mbroj pozicionin e vet si mëkëmbës në tokë, të kontribuojë në qytetërimin njerëzorë dhe ta shfrytëzojë gjithësinë. Parimi i përgjegjësisë siguron korrektësinë e mendimit islam dhe të metodologjisë së intelektit islam. Muslimani do të përgjigjet drejtpërdrejt para Krijuesit për rolin e tij si mëkëmbës në tokë dhe si i autorizuar për t’i shfrytëzuar të mirat e saj me qëllim të mirë e përparim në shkencë, punë, e aplikim.[1]

Sipas Ibn Abbasit struktura e fesë përbëhet prej këtyre katër elementeve: 1. Ahlakut-Moralit, 2. Akaidit-Besimit, 3. İbadeteve-Adhurimeve, 4. Muamelateve-Veprimeve. Kjo renditje e Ibn Abbasit është diskutuar në mesin e dijetarëve, diskutimet kanë rrjedhë në atë drejtim saqë janë përqendruar rreth asaj, kush është në themel të fesë besimi apo morali? Në qoftë se kësaj pyetje do t’i përgjigjemi “besimi” atëherë kjo çështje do të na lind pyetje të reja. A është besimi garantues i sjelljeve morale të pronarit të vet.[2]

Në qoftë se kësaj pyetje i themi “po” atëherë na duhet të konkludojmë që të gjithë besimtarët janë të moralshëm ndërsa jobesimtarët janë të pamoralshëm. Mirëpo, çka do të bëjmë me ata që besojnë por që në fushën e moralit kanë ngelur në klasë? Ose, çfarë do të themi për ata që nuk posedojnë ndonjë besim të vërtetë por që kanë sjellje morale të mirëfilltë. Pyetjen mundë ta parashtrojmë edhe në këtë mënyrë? A është e pranueshme të jesh mysliman pa qenë njeri, pa pasur njerëzillëk? Nëse mundet një gjë e tillë atëherë çfarë muslimanllëku është ky? Pronari i Islamit-Allahu Madhëriplotë, a është i kënaqur me një muslimanllëk pa moral? Ideali i fesë a është ky? A e vërteton kurani një islam të këtillë?

Pra, nëse këto elemente që përbëjnë fenë do të duhej që patjetër t’i radhisim njëra pas tjetrës do të duhej që në katin themeltarë të vendojmë, jo besimin, por moralin. Këtë fakt kemi mundësi ta kuptojmë nga ajeti i dytë i sures Bekare. Dhalike’l-kitâbu lâ rajbe fîhi hudenli’l-muttakîn: “Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit”, Nga ky ajet pastër kuptohet që takvallëku (takva) që është një koncept moral është baza e udhëzimit (hidaje). Ndërsa, nga cili do këndvështrim ta shikojmë hidajeti është një koncept besimor. Të udhëzohesh do të thotë të pranosh besimin e caktuar në këtë rast, islamin. Ndërsa koncepti takva është një koncept i moralit. Cilin do kuptim që ta preferojmë në fund të fundit këto terme tregojnë se kemi të bëjmë me një termë etik. Disa studiues të thellë të këtyre çështjeve siç është Fazlur Rahman, Tashihiko Izutsu, Muhammed Esed etj. duke u zhytur në thellësi të analizave semantike të këtyre termeve e kanë përkapur kuptimin më të qëlluar të këtij koncepti dhe konkludojnë se kuptimi esencial i këtij termi është sjellje me vetëdije të përgjegjësisë. Pra sjellje morale. Në fakt parimet morale.

Ndaj kujt vetëdije të përgjegjësisë? Ndaj të gjitha qenieve, ndaj gjithë botës ekzistuese. Përgjegjësia më e madhe është vetëdija e përgjegjësisë që ndjehet ndaj Allahut madhëriplotë. Më së pari vetëdija e përgjegjësisë ndaj vetë ekzistencës së vet. Me që njeriu është kryevepra e Zotit, që është krijuar për një qëllim të caktuar, ai është detyruar të pyes, të hulumtoj dhe ta gjejë qëllimin e ekzistencës së vet. E kjo është përgjegjësia e njeriut ndaj vetes. Njeriu nëse arrin të zhvillojë vetëdijen e përgjegjësisë ndaj vetes do të arrijë në vetëdijen e përgjegjësisë ndaj Allahut xh.sh. pikërisht kjo është takvaja. Njeriu pasi të vendos këtë vetëdije, do të perceptojë përgjegjësinë edhe ndaj njerëzve tjerë, mjedisit dhe gjërave tjera. Në këtë kuptim adhurim/ibadet, do të thotë, që njeriu ta çojë në vend përgjegjësinë që ka ndaj botës së brendshme të tij. Rumiu këtë e shpreh në këtë mënyrë, “Nëse ti e do veten, duhet ta dashurosh edhe Krijuesin tënd; ndërkaq, kur të dashurohesh te Krijuesi, ti do duash edhe krijesat e Tij”. Kurani Fisnik këtë termë e ka përdorur pikërisht në këtë kuptim. Meqë, nëse njeriu do të veproj/lëviz me një moral të përgjegjësisë, ky moral duhet të ketë një mbështetje, një referencë. Dhe ky është Allahu Madhëriplotë. Përgjegjësia që ndjehet ndaj qenieve tjera, në esencë është një vazhdimësi e përgjegjësisë që është ndaj Allahu xh.sh. [3]

Njeriu, për gjithçka që posedon përfshirë edhe ekzistencën e tij, lind si borxhli ndaj Krijuesit të Lartëmadhërishëm. Në fakt, edhe termi din/fe dhe fetari që rrjedh nga termi dejn/borxh nuk është asgjë tjetër përveç se vetëdije e borxhllëkut. Rezultati i vetëdijesimit se je borxhli ndaj Zotit nuk do të thotë ta paguash këtë borxh. Meqë kjo nuk është e mundur. Në fakt edhe Ai nuk e pret këtë nga robërit/adhuruesit e Tij. Ajo që pret prej tyre është, “qëndrimi i sinqertë ndaj amanetit”. Ndërsa qëndrimi i sinqertë ndaj amanetit të imponon të veprosh/lëvizësh me vetëdije të përgjegjësisë.

Nëse do t’i qasemi pak më thellë kuptimit të ajetit të lartëpërmendur do të thotë, një njeri të pa udhëzuar, forca që e sjell në pragun e udhëzimit (hidajetit) është takvallëku i tij para kohës së udhëzimit dmth sjellja e tij me vetëdije të përgjegjësisë. Shikuar nga ky kontekst në themelin e strukturës së fesë qëndron morali. Meqë përgjegjësia morale është bazamenti i besimit. Njeriu në saje të kësaj përgjegjësie e kërkon dhe hulumton të vërtetën. Në fund të këtij kërkimi vjen imani. Të udhëzohesh do të thotë të besosh. Mirëpo këtu takvallëku nuk mbaron. Ngase takvaja është vetëdije e përgjegjësisë dhe ajo vazhdon edhe pasi të udhëzohet njeriu.

Sjellja morale nuk guxon të jetë e indeksuar në fuqi të ulëta, në interesa banale. Një sjellje morale e indeksuar në gjëra të tilla e zbeh vetë moralitetin e një veprimi. Një sjellje në qoftë se është vetëm sa për sy e faqe, moraliteti i saj është I diskutueshëm. Një person sjelljen që tregon ndaj atij që konsideron se është “I JONI” nëse nuk e tregon edhe ndaj tjetrit “QË S’ËSHTË I JONI’ edhe sjelljen ndaj atij të parit e ulë nga të qenët një veprim moral. Bie fjala, veprimi I nënës, e cila shpëton fëmijën e vet, që është duke u mbytur në një lumë, padyshim është veprimi mirë por nuk arrin veprimin e mirëfilltë etik, ngase ajo vepron nën shtytjen e instinktit, ndërkaq sikur ajo ta shpëtonte fëmijën e dikujt që e urren, ajo do të ngrihej përmbi sferën natyrore, ngase do vepronte në saje të një veprimi krejtësisht etik. Kësaj I thonë: e bëj veprimin etik, sepse në këtë mënyrë e realizoj njerëzinë time. Prandaj, njeriu mund të krenohet me atë që ka zgjedhur të bëjë e jo me atë që është, si tërësi e rrethanave që e përcaktojnë.[4]

Nisur nga ky fakt përfundimisht një sjellje a është e moralshme apo jo, e di vetëm Ai i cili mundë t’i lexojë qëllimet që janë edhe burimi i një sjellje të caktuar. Një sjellje/veprim për ta mbrojtur nga të qenët sa për sy e faqe ka vetëm një alternativë. Edhe ajo është ta lidhësh për një referencë transedentale/tejfizike. Edhe Ai është Allahu xh.sh. Meqë i vetmi është Allahu Madhëriplotë i cili pandërprerë mundë ta ndjek procesin e një veprimi nga të qenët ide e deri në realizimin e saj apo shndërrimin në vepër. “Ne e kemi krijuar njeriun dhe, Ne e dimë ç’i pëshpërit atij shpirti i vet. Ne jemi më pranë tij se damari i qafës së vet.”(Kâf 50:16) Parimi që do ta nxjerrë njeriun prej përmasës së “njeriut biologjik” (besher) dhe do ta bartë në gradën e “Ademit” është normale që të jetë me burim transcendental. Parimet etike paraqesin “litarin e fortë” të lëshuar nga qielli në tokë me qëllim të lartësimit të njeriut.[5]

Kurani famëlartë çdo sjellje morale/koncept për të cilin intelekti i përbashkët i njerëzimit e ka pranuar si të mirë, e lavdëron dhe çdo veprim moral, çdo koncept për të cilin intelekti i përbashkët i njerëzimit e ka pranuar si të keq, e qorton. Pra sjellja e moralshme pothuajse në çdo aspekt zë vendin qendror në Kuranin famëlartë. Qëllimi i Kuranit është ta moralizojë sjelljen e njeriut. Për çka do që të flasë Kurani në fund të fundit lidhet me çështjet morale. Për shembull Sureja Alek, pesë ajetet e para të kësaj sure bëjnë fjalë për moralin e dijes. Urdhëresa që të lexohet në emër të Zotit është garancion për moralitetin e dijes. Dija pa moral, pa rregulla etike, pa referencë te Zoti Madhëriplotë ka mundësi të shndërrohet në dëm për krijesat. Njerëzimi është duke përjetuar më shumë fatkeqësi nga veprimet e njeriut, se sa nga mosveprimi. Lotët e njerëzimit më tepër janë derdhur nga pasojat e përdorimit të keq të diturisë së njeriut, se sa nga pasiviteti i injorancës.[6]Luftërat shkatërrimtare, gjenocidet, armët bërthamore, biologjike, kimike etj. Nuk i kanë projektuar barinjtë e pa shkollë, por njerëz të dijshëm por pa ndjenjën e përgjegjësisë.

Prandaj, të nderuar vëllezër, duke përfunduar këtë kumtesë, le të jetë sjellja morale ajo që do të na prezantojë neve karshi Zotit dhe njerëzve të tjerë. Le të jetë morali ynë karta identifikuese për ne. Le të jenë zemrat tona pasqyrë që do të reflektojnë realitetin, hakikatin hyjnor po edhe atë njerëzor.

Ju faleminderit.

Ligjëratë e mbajtur në Kreuzlingen, Zvicër më 18.02.2018

[1] Abdulhamid Ahmed Ebu Sulejman, Kriza e të menduarit mysliman, Logos-A, Shkup, 2009, f. 46.
[2] www. Kuranihayat.com, Mustafa Islamoglu, “Ahlak dinin temelidir”
[3] www. Kuranihayat.com, Mustafa Islamoglu, “Ahlak dinin temelidir”
[4] Muhamedin Kullashi, Gjurmë dhe Pyetje, Asdreni, Shkup, 2007, f. 81-82.
[5] Ibrahim Kalin, Arsyeja dhe Virtyti, Logos-A, Shkup, 2015, f.131.
[6] Enes Kariç, Kloniranje-filozofska, etika i religiska razmatranja, hrestomatija, FIN, Sarajevo, 2005

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.