Ballina Jeta Nëse jo për Allahun, atëherë për kë tjetër?

Nëse jo për Allahun, atëherë për kë tjetër?

30
0
SHPËRNDAJE

Hfz. Mehas Alija


Besimtarë janë vetëm ata që i besuan All-llahut, të dërguarit e Tij, e mandej nuk dyshuan dhe u përpoqën për hir të All-llahut me pasurinë dhe me jetën e tyre. Të tillë janë ata të vërtetit.”  (Huxhurat, 15).

Falënderimi i takon Zotit të botëve, salavatet dhe selamet i takojnë të Dërguarit të Tij, familjes, shokëve dhe gjithë atyre që e pasojnë për të mirë deri në ditën e gjykimit.

I respektuari xhemat!

Hutbenë e kësaj xhumaje dua ta filloj me një rrefim të bukur që ndërlidhet me imamin e madh të medh’hebit hanbeli, Ahmed ibn Hanbeli, r.a. Në fakt, djali i Ahmed ibn Hanbelit, Abdullahu, tregon: “Shumë shpesh e kam dëgjuar babanë tim, se si, duke u lutur, thoshte: “Zoti i dashur, fale Ebu-l-Hejthemin. Zot i dashur, mëshiroje Ebu-l-Hejthemin!”  Një ditë e pyeta: “O baba, kush është Ebu-l-Hejthemi?” Ai m’u përgjigj: “Biri im, ky është një beduin, me të cilin jam takuar njëherë, por që nuk ia kam parë fytyrën. Natën në të cilën më burgosën, dikush nga të burgosurit më preku shpatullave dhe më pyeti se a jam unë Ahmed Ibn Hanbeli. Pasi që ia konfirmova, më tha: E di se kush jam unë? I thash: Jo, nuk e di! “Jam Ebu-l-Hejthemi , tha ai, duke vazhduar:  unë jam hajduti dhe kusari i njohur, jam alkooliku më i madh. Në dosjen time është shkruar se, në raste të ndryshme, si dhe për gabime dhe shkelje të ndryshme, jam rrahur dhe goditur rreth 18 mijë të rëna. Të gjithë këtë e kam duruar, edhe pse kam qenë në rrugë të Shajtanit. Po ti, Ahmed ibn Hanbel, a nuk do të durosh, kur ti je në rrugë të Allahut xh.sh.? Pasi që më lidhën dhe filluan të më rrahin, për secilën goditje që e ndjeja në shpinën time, i kujtoja fjalët dhe këshillën e Ebu-l-Hejthemit, andaj dhe i thosha vetes: Ahmed, bën durim dhe mbaje veten në rrugën e Allahut xh.sh.!”

Xhemat i dashur, nga ky rrëfim, dua t’i nxjerrim disa mësime:

  • Dije se rruga e Allahut është e sigurta, më e mira dhe ajo që të shpie te fitorja. Sado që rruga tjetër të të duket më e lehtë, më e lirë, ajo fundin e ka në dëshpërim dhe humnerë. Ec rrugës së Allahut me durim dhe përkushtim!
  • Dije, po ashtu, se harami mbetet haram, madje edhe nëse të gjithë njerëzit  do ta kryenin atë, kurse farzi do të mbetej farz, edhe sikur të gjithë njerëzit ta braktisnin atë. Prandaj, duro dhe ec rrugës së Allahut me durim dhe përkushtim!
  • Dije se ka njerëz që i durojnë rrugës së Shajtanit. Udhëtojnë dhe harxhojnë para në rrugën e tij, dhe këtë e bëjnë me shumë durim. Ndërsa ti dhe unë, le të zgjedhim rrugën e Allahut dhe të durojmë në këtë rrugëtim!

  • Dije, po ashtu, se vështirësia që gjendet te realizimi i veprës së mirë, ka për të kaluar, por për të do të mbetet shpërblimi. Nga ana tjetër, edhe kënaqësia që gjendet të harami, ka për të kaluar, mirëpo për të mbetet dënimi.

  • Dije se çdo humbje në këtë botë, nuk ndodh të përfundojë ndryshe, pos të të sjellë diç të re në jetën tënde, ndërkohë që humbja më e madhe për ty dhe për mua, vëlla dhe motër e nderuar, do të ishte, kur në atë Xhennet të madh, që është sa krejt qiejt dhe toka, të mos ketë asnjë vend për ne.

Vëlla dhe motër e nderuar!

Bëj durim në këto tre gjëra, të cilat, po që se do të mateshin me ar, do të peshonin më shumë:

  • Kush e ka punën mirë me Allahun xh.sh., Allahu do të bëjë që edhe njerëzit të sillen mirë me të;
  • Kush e pastron brendinë e tij, Allahu xh.sh. do t’ia pastrojë anën e jashtme të tij.

  • Kush do të kujdeset për Ahiretin e tij, Allahu xh.sh. do t’ia sigurojë edhe dunjanë edhe ahiretin.

  • Përcillet nga Sufjan ibn Abdullah, r.a. se e ka pyetur Muhammedin a.s.: “O i Dërguari i All-llahut! Më thuaj për Islamin atë, për çka nuk do të kem nevojë të pyes askënd përveç teje.” Kurse Muhammedi a.s. më tha: “Thuaj, e besoj All-llahun, pastaj vazhdo me ngulm (në këtë).” (Imam Muslimi)

    Allahu na e shtoftë forcën e durimit dhe të përkushtimit në rrugën e Tij! Amin.

    (Hutbeja e xhumasë, 05.05.2017, El-Hidaje)

    PËRGJIGJU

    Please enter your comment!
    Please enter your name here

    Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.