Ballina Jeta Porositë dhe aktualiteti i hixhretit (Viti i ri 1437)

Porositë dhe aktualiteti i hixhretit (Viti i ri 1437)

15
0
SHPËRNDAJE

Jusuf Zimeri

Meqë jemi në prag të një ngjarje të rëndësishme që unë mendoj se jo vetëm të karakterit islam, por të karakterit të përgjithshëm njerëzor, që është ngjarja e vitit të ri 1437 sipas Hixretit (i bie më 13.10.2015), atëherë do të bëjë përpjekje që përmes disa fjalëve të nxjerrë në pah, disa nga porositë e kësaj ngjarjeje.

Festimi dhe manifestimi i datave historike që shënojnë ngjarje të rëndësishme në historinë e njerëzimit, pa e kuptuar thelbin e mesazhit dhe porosive të asaj ngjarje, jo vetëm se do të ishte manifestim i pakuptimtë, steril por edhe humbje kohe. Ky eveniment në këtë formë, jo që nuk jep efektet e duhura, por jep kundër efekte në drejtim ekspozimit dhe megalomanisë individuale te individë dhe shoqëri të caktuara.

Të kuptuarit e hixhretit (emigrimit) vetëm si lëvizje fizike e njeriut nga një vend në vendin tjetër, për motive të ndryshme, është të kuptuarit më të thjesht që mund ta konceptojë çdo njeri i rëndomtë, por, të kuptuarit e hixhretit sipas konceptit islam shkencor është shumë më i thellë dhe më vital se kaq. Sipas konceptit islam, hixhreti nënkupton, fillimisht njohjen e të vërtetës dhe mishërimin me të, migrimin me të dhe, këmbëngulësinë për të qëndruar me të deri në momentin përfundimtar. Ky është koncepti i hixhretit (imigrimit) që e kuptuan Pejgamberët e Allahut xh.sh. dhe rruga që ata marshuan dhe i qëndruan besnik kësaj rruge. Pra ngjarjen e hixhretit, sipas konceptit islam duhet parë dhe kuptuar si një zgjim dhe lëvizje, për plotë energji pozitive, për të demonstruar gatishmërinë e sakrifikimit drejt të së vërtetës. Kjo ngjarje duhet regjistruar si një nxitje që buron nga ndjenja e thellë e besimit dhe dashurisë ndaj të vërtetës. Nxitje pa kompromis drejt ruajtjes dhe kultivimit të vlerave humane. Sipas botëkuptimit islam, emigrimi nuk nënkupton ikje nga beteja, por ecje në arenën e betejës, për të sfiduar të pavërtetën, pavlerën dhe tiraninë.

Hixhreti nuk nënkupton dorëzim dhe nënshtrim ndaj të keqes, por fillimin i sfidimit të së keqes. Hixhreti nuk nënkupton ikje dhe rehati fizike nga lodhjet dhe torturat e kësaj bote, por nënkupton ngritje të vetëdijes dhe, marrje të përgjegjësisë për ta luftuar të keqen dhe për të venduar rend e drejtësi. Pra, hixhreti sipas konceptit islam është transferim nga veprimtaria destruktive djallëzore në veprimtari të mirë, të begatshme, të bereqetshme e frytdhënëse për këtë dhe botën tjetër.

Hixhreti (imigrimi) i Muhamedit a.s.

“O Mekja ime e dashur, të dua shumë, sikur të mos më kishin nxjerrë idhujtarët, kurrë nuk do të isha larguar nga ti”.

Hixhreti i Pejgamberit a.s. prej Mekes së bekuar në Medinen e ndritshme, ishte një ngjarje e rëndë, e mbushur plotë me rreziqe dhe peripeci, jo vetëm për Muhamedin a.s. por edhe për myslimanët tjerë që përjetuan imigrimin me të. Kjo ngjarje me rëndësi të veçantë në historinë e islamit, përveç se dhuron porosi shumëdimensionale të qarta, në realitet pasqyron edhe gjendjen faktike jo vetëm të kohës së ngjarjes, por pasqyron edhe aktualitetin pragmatik të kohës që ne po jetojmë. Madhështia dhe rëndësia e hixhretit të Pejgamberit a.s. nënkuptohet nga vet fakti, se kjo ngjarje ka lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në jetën e tij. dhe të shokëve të tij, por edhe në formën e organizimit, zhvillimit, sistemimit dhe sistematizimit të obligimeve dhe të drejtave individuale dhe grupore në shoqërinë njerëzore. Aktualiteti i kësaj ngjarje reflektohet në mësimet se, si nuk duhet të solidarizohemi me të keqen për asnjë çmim, si duhet luftuar krimin, padrejtësinë dhe tiraninë me çdo mjet, deri sa të ekzistojë kjo botë.

Më duket se vlerën dhe mësimet e hixhretit pas Pejgamberit Aljehis-selam, më së mirë i kishte kuptuar Omer b. Hatabi, Halifi i dytë i muslimanëve i cili me shkathtësinë e tij të një burrë shteti, politikani, që para se të ishte strateg i luftës, ishte strateg i paqes, që me drejtësinë e tij, shembi shumë despotë e tiranë në rruzullin tokësorë. Omeri i motivuar nga porositë e hixhretit, krahas edhe shumë ngjarjeve tjera që kishin ndodhur në historinë e islamit, pikërisht zgjodhi që kjo ngjarje të shënojë një datë historike për muslimanët në këtë nënqiell, e që është viti i ri Islam.

Përmes emigrimit, Pejgamberi Aljehis-selam i mësoi botës njerëzore se si duhet lëvizur drejt çlirimit nga tirania, zullumi, padrejtësia dhe format tjera çnjerëzore që e kishin kapluar botën. Emigrimi i tij, nuk ishte thjesht një emigrimi që synonte ndonjë interes ekonomik, apo ndonjë kolltuk që do ti mundësojë të bëhet një mbret që do të sundojë, apo që të sigurojë ndonjë jetë me standarde më të larta jetësore në Jethrib, por ishte një emigrim ku ai kërkonte një hapësirë më të volitshme, nga ku do të vente themelet e një shoqërie të pastër, jo vetëm islame, por edhe njerëzore. Po të synonte Pejgamberi a.s. këto interesa mediokre dhe afat shkurte të kësaj bote, atëherë imigrimi i tij nuk do të kishte as nevojë, as arsye, e as racionalitet, sepse edhe postin e sunduesit, dhe pasurinë edhe dëfrimin ia afruan idhujtarët në këmbim të heshtjes ndaj zullumit dhe padrejtësisë, mirëpo, nga vetë fakti se ai të gjitha këto i refuzoi pa u hamendur fare, janë argumente se ai synonte jo përmirësimin e gjendjes së tij individuale apo familjare, por synonte që të jetë në shërbim të qenies njeri.

Me aktin e emigrimit nga Meka në Jethrib- Medinë, Pejgamberi a.s. botës njerëzore i dërgoi porosi shumë madhore. Ky emigrim jep mesazhin se njeriu nuk është fetar apo atdhetar apo siç kemi dëshirë ne ta quajmë patriot i mirë, thjesht vetëm me shkaku se qëndron në vendin e tij, e që më pas këtë patriotizëm apo atdhetarizëm ta shndërrojë në motiv që ai të jetë i privilegjuar në shoqërinë e tij. Atdhetarizmi apo patriotizmi fetar apo kombëtar, është zhgënjyes, nëse njeriu është i zhveshur nga ideali shpirtërorë dhe vlerat etike e njerëzore dhe, si i tillë është jo frytdhënës. Në anën tjetër atdhedashuria rezultatet e dukshme dhe të shëndosha i jep, vetëm atëherë kur njeriu me vete bartë idealin shpirtërorë, vlerat dhe moralin e lartë, pavarësisht se në cilin kënd të globit ndodhet.

Nga kjo nënkuptohet se njeriu i cili nuk është i gatshëm të heqë dorë nga dëfrimet e kësaj jete, nga besëtytnitë, nga idhujtaria, nga jo vlerat, nga amorali, nga urrejtja, mendjemadhësia dhe dashuria satanike, ai asnjëherë nuk është i gatshëm të kontribuoj për të mirën e njerëzisë. Pra Emigrimi i Pejgamberit a.s. na jep një mësim se njeriun mund ta zhveshësh nga të gjitha të mirat materiale të kësaj bote, por assesi nga vlerat shpirtërore që janë vlera të besimit. Emigrimi i Pejgamberit a.s. na jep porosinë, se besimtari islam i mobilizuar me besim dhe vlera morale nuk guxon të rri duarkryq në shoqërinë e zhytur në krim.

Ngjarja e hixhretit na jep mësime shumë të sakta se për të arritur diçka nuk mjafton vetëm dëshira dhe vullneti, por duhet bërë lëvizje dhe veprime konkrete për tu liruar nga fenomenet negative të shoqërisë. Në anën tjetër nga lëvizjet dhe hapat konkretë që i ka bërë Pejgamberi Aljehis-selam. pasi emigroi në Medinë, japin të kuptojnë se lëvizjet duhet të jenë të planifikuara, të analizuara dhe të harmonizuara edhe shkaqet praktike që i kërkon nevoja. Andaj ngjarja e hixhretit ishte një shkëndijë prej ku fillon rrezatimi i dritës, lirisë dhe sigurisë njerëzore. Ishte një mësim se, e keqja nuk mund të luftohet e as të evitohet me oportunizëm, e as në mënyrë individuale, por detyrimisht kërkon ngritjen e zërit me një organizim të sinqertë.

Nga mesazhet më vitale që jep ngjarja e hixhretit, e për të cilin vlen të sakrifikohet është organizimi institucional i jetës së islamit dhe të myslimanëve pa dallim kohe dhe vendi, ngase vetëm kjo formë e organizimit është garancë e progresit, stabilitetit, lirisë, paqes, dashurisë ndër njerëzore dhe drejtësisë, si dhe garancë e ruajtjes së pastërtisë së islamit dhe vlerave të përgjithshme të saja.

Se sakrifica e Muhamedit a.s. dhe e myslimanëve ishin të këtij karakteri dëshmon fakti se Pejgamberi a.s. me të arritur në Medine pa humbur kohë menjëherë ndërmori hapat e parë për themelimin e institucioneve të para. Institucioni i parë që do të ngritët ishte themelimi i xhamisë në fshatin Kuba. Xhamitë ishin qendra prej ku i dërguari i Allahut a.s. filloi formimin e gjeneratave nga të cilët do të ketë burra shteti, ushtarak të njohur në historinë e islamit, dijetar eminent, të cilët më vonë do të jenë bartës të islamit dhe paqes në të gjitha anët e rruzullit tokësorë.

Xhamia përveç se ishte vend për adhurim, ajo luante edhe rolin e kuvendit legjislativ, sepse me fillimin e formimit të institucioneve të para, dhe me vëllazërimin e myslimanëve, menjëherë u paraqit nevoja për themelimin e një akti normative i cili do të sistemojë obligimet dhe të drejtat e çdo anëtari të kësaj shoqërie. Ky akt normative u hartua dhe u miratua pikërisht në xhaminë e Pejgamberit a.s..

Marrë parasysh faktin se shoqëria Medinase atë kohë ishte shoqëri multikonfesionale, nuk u harrua as ky kriter në hartimin e këtij akti normativ, andaj, juristët të cilët më vonë analizuan këtë akt normativ me të drejtë konstatuan se, karta e Medines si akt më i lartë juridik, ishte e para e cila plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret e një kushtetute bashkëkohore.

Këtë e vërteton edhe një fakt tjetër, që kur bota bashkëkohore kishte filluar të merret me zgjidhjen e problemeve dhe sigurimin e të drejtave të minoritarëve përmes akteve normative, që edhe sot e kësaj dite paraqet një problem kyç në botën bashkëkohore, gjetën se këto probleme i dërguari i Allahut a.s. i kishte trajtuar shumë shekuj më parë, andaj edhe jo rastësisht se nëpër shumë konventa dhe akte tjera normative ndërkombëtare gjejmë se kushtetuta e pejgamberit a.s. e cila ishte miratuar në Xhaminë e pejgamberit a.s. ishte frymëzim për hartimin e akteve të tyre.

Në funksion të ruajtjes së rendit shoqërorë, pejgamberi a.s. shpeshherë jepte këshilla, e në mesin e tyre është edhe hadithi i cili në një formë sqaron edhe parimet mbi të cilat ndërtohet siguria dhe harmonia ndër njerëzore si dhe sqaron integrimin e myslimanëve në veprimtari konstruktive duke u larguar nga destruktiviteti i cili jo vetëm që shkakton çrregullime në shoqëri, por edhe devijon qenien njerëzore. Tërë këtë pejgamberi a.s. e ka sqaruar duke thënë: “Mysliman i vërtetë është ai, që myslimanët tjerë janë siguruar nga dora dhe gjuha e tij, kurse muhaxhir është ai që largohet nga veprimet që i ndaloi Allahu xh.sh.”.

Nëse hadithin e kundrojmë nga këndvështrimi juridik-legjislativ, po ashtu qartë vërejmë se i dërguari i Allahut a.s. përmes këtij hadithi me porosinë e tij për ruajtjen dorës dhe gjuhës promovon vlerat më të larta legjislative, që legjislativi bashkëkohore nuk i ka arritur edhe sot e kësaj dite, për arsye se legjislatura bashkëkohore është e mbështetur vetëm mbi vlerat materiale dhe tërësisht është e zhveshur nga vlerat shpirtërore.

Hadithi na jep të kuptojmë se, dora e besimtarit nuk guxon të jetë dorë krimineli që ushtron krime dhe padrejtësi ndaj të tjerëve. Ngjashëm edhe gjuha e tij e cila ka mundësi të shkaktoj dhe pasoj ofendime, sharje, shpifje, gënjeshtra etj, veprime këto nga të cilat shoqëria islame duhet të jetë e pastër. Pastaj i dërguari i Allahut a.s. sqaron dukshëm se kush dëshiron që të jetë pjesëmarrës në hixhretin e pejgamberit a.s., ka për obligim të përditshëm që të distancohet dhe të largohet nga veprimet e liga satanike, nga veprimet destruktive në ato konstruktive dhe frytdhënëse. Këto anomali kriminogjene bota e quajtur bashkëkohore sot po shtiret se po i lufton, por assesi të arrijë suksese, ngase problem kyç i botës së civilizuar akoma është lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, tregtisë me mishin e bardhë, lufta kundër padrejtësisë që i bëhet minoriteteve etj. etj.. Për të arritur efekt në këtë drejtim u miratuan qindra ligje si në karakterin ndërkombëtar ashtu edhe lokal, u shpenzuan mija e miliarda dollarë, por në realitet efektin që pati dhe ka ky hadith i shkurtë i pejgamberit a.s. akoma nuk u arrit. Arsyet për mos arritje të rezultateve të duhura janë të shumtë, por ai më kryesori është se krimin duhet ta luftojnë vetëm ata që janë të pastër prej tij.

Në anën tjetër, pejgamberi a.s. përmes këtij hadithi shpalos dhe themelon një realitet dhe institucion që bota bashkëkohore e njohi pas shumë shekujve, që është, institucioni i rehabilitimit të individit. Njeriu nuk është imun nga gabimet, sepse po të ishte imun nuk do të ishte njeri, por i devotshëm dhe i sinqertë konsiderohet ai i cili ka gabuar, porse në momentin e duhur tërhiqet nga gabimi duke e pranuar si gabim dhe sërish rehabilitohet në shoqëri, kurse shoqëria e pranon si anëtarë i barabartë. Kjo është shkalla më e lartë e rehabilitimit dhe zbatimi më i sinqertë i kuptimit të hixhretit.

Në vend të përfundimit

Nga imigrimi i Pejgamberit s.a.v.s. detyrimisht duhet të mësojmë se, mos organizimi institucional i myslimanëve, shpien drejt një mjegullie që i konvenon vetëm atij që mendon se, muslimanët gjithnjë duhet të jenë kafshatë e lehtë për ta. Andaj, një nga parimet esenciale e muslimanëve kudo që jetojnë është detyrimi i tyre që të formojnë institucione të forta, stabile dhe të qëndrueshme. Bile ky detyrim nuk përfundon vetëm me formimin e tyre, por vazhdon edhe me respektimin dhe ruajtjen e tyre.

image

Kur të themi respektimin e institucioneve kemi për qëllim edhe ruajtjen dhe mbrojtjen e institucioneve nga individë të caktuar të cilët, keqpërdorin institucionet për interesa grupore apo klanore, sepse nuk mund t’i bësh nder dhe respekt më të madh institucionit, se sa ta mbrosh nga tiranët, keqpërdoruesit dhe ata që nuk e meritojnë. Andaj shpresoj që ky vit i ri, të jetë një kthesë e vërtetë për besimtarët islam kudo që gjenden, ashtu siç ishte kthesë edhe gjeneratën e parë të myslimanëve.

(Autori është drejtor i Sektorit fetaro-arsimor pranë BFI-së)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.