SHPËRNDAJE

Zëvendësja e Sekretarit të Përgjithshëm “Lëvizja për të Drejtat e Njeriut dhe Drejtësi” (IHAK), avokatja Gulden Sonmez para nisjes së “Autokolonës Ndërkombëtare të Ndërgjegjes” nga Stambolli, deklaroi se lufta në Siri është pasqyra më e turpshme e situatës në të cilën ndodhet njerëzimit, kur është fjala për fëmijët dhe gratë viktima të konfliktit, raporton Anadolu Agency (AA).

Qëllimi i autokolonës, për të cilën foli Sonmez, është që të nxjerrë në pah problemet e grave siriane në burgjet e regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad dhe të kërkojnë lirimin e tyre të menjëhershëm.

Sonmez komentoi konfliktin në Siri, duke vënë në dukje në veçanti situatën në të cilën ndodhet popullsia e Gutës Lindore.

“Ndërsa nga njëra anë vazhdojnë konfliktet, ne shohim se çfarë ndodh në Gutë. Shohim trupat e fëmijëve. Në anën tjetër, ka gra të cilat u burgosën gjatë luftës dhe u përballën me tortura dhe përdhunime”, ka thënë Sonmez.

Ajo konsideron se bota nuk u kushton vëmendje të mjaftueshme grave në Siri dhe se mekanizmat ndërkombëtarë nuk u kushtojnë vëmendje të mjaftueshme kësaj çështjeje.

Kërkesa e tyre është lirimi i pakushtëzuar i grave siriane.

“Shpresojmë se do të marrim përgjigje. Gratë nga e gjithë bota mbështetën këtë organizim. Ne jemi të bindur se edhe burrat nga e gjithë bota i kanë dhënë mbështetje autokolonës së ndërgjegjes”, ka thënë Sonmez.

Ajo potencoi se mijëra gra ndodhen në burgjet siriane dhe se edhe depot dhe fabrikat përdoren si burgje.

Pilotja kombëtare e rally-t Burcu Cetinkaya tha se ishte një projekt ndërkombëtar që përfshin njerëz të besimeve dhe kombeve të ndryshme.

“Jemi mbledhur që të bëhemi zëri i grave që u janë nënshtruar torturave në burgjet e Sirisë, përdhunimit nga i cili nuk kanë mundur të shpëtojnë. Ky është një kontribut i vogël i yni”, tha ajo.

Ajo konsideron se çmimin më të lartë të luftërave e paguajnë gratë dhe fëmijët dhe se dhimbja përcillet nga brezi në brez.

Ramiza Gurdiç, një nga 200 pjesëmarrëset e autokolonës nga Bosnjë e Hercegovina, u tha sirianeve të jenë të forta dhe këmbëngulëse.

“Edhe ne e kemi përjetuar këtë, mua më duket edhe më keq se kaq”, tha Gurdiç.

Autokolona e ndërgjegjes do të kalojë nëpër disa qytete turke dhe pastaj do të arrijë në kufirin me Sirinë.

Është planifikuar që më 8 mars, në Ditën e Gruas në qytetin jugor të Turqisë, Hatay, përgjatë kufirit me Sirinë, të mbahet një konferencë për media.

Gratë nga 55 vende si dhe një numër i shoqatave dhe organizatave joqeveritare, përfshirë edhe Fondacionin humanitar IHH, organizatën e grave Kadem, IHAK, kanë mbështetur Autokolonën Ndërkombëtare të Ndërgjegjes.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.