Ballina Jeta TAVAFI

TAVAFI

14
0
SHPËRNDAJE

Tavafi është rrotullim, qarkullim ritual rreth Qabesë në Mekë, i cili përbëhet prej shtatë rrotullimeve. Shtatë rrotullime quhet një tavaf. Varësisht nga gjendja e haxhiut dhe koha kur bëhet tavafi, ai mund të jetë:
1) Farz – detyrim rigoroz (tavafu zijareh ose tavafi ifadeh. Sipas Ebu Hanifesë ai kryhet në ditën e tretë të bajramit, deri në perëndim të diellit. 2) Vaxhib – obligativ (tavafu sadr ose tavafu veda) 3) Sunet – i rekomanduar (tavafu kudum).[2

image

Tavafi kryhet në çdo kohë, me përjashtim gjatë kohëve të namazit, kur të gjithë falen drejtuar Qabesë. Për këtë arsye, tavafin nuk mund ta kryejmë i vetëm, por në grupe zakonisht të mëdha. Kjo bënë që vështirë t’i afrohemi Haxher’ul-esvedit (Gurit të Zi). Për arsye të pamundësisë së prekjes, dijetarët lejojnë që në vend të prekjes së Gurit të Zi, të drejtojmë dorën dhe shikimin me shenjë në drejtim të tij.[3]
Qabeja paraqet gjendjen e intimitetit të cilën njeriu përpiqet ta vendos me Praninë e Zotit (hadret) të manifestuar nëpërmjet trupit fizik dhe frymor të Qabesë. Mirëpo, kjo lidhje është vështirë të bëhet për arsye të përqendrimit të jashtëzakonshëm të njerëzve. Për këtë arsye, duhet përqendrim dhe soditje maksimale që të pajtohen shumësia, zhurma dhe dendësia e njerëzve me prehjen dhe qetësinë e brendshme, të nevojshme për vendosjen e gjendjes intime.
Edhe pse në shikim të parë tavafi dhe namazi dallojnë, këto dy institucione kanë ngjashmëritë e tyre. Tavafi nuk ka sexhde dhe gjatë tavafit mund të flasim. Por, shikuar me sy soditës e shpirtëror, edhe biseda gjatë tavafit e prish synimin e tavafit sikur që biseda e prish namazin. Prandaj, një numër teologësh dhe sufistësh urdhërojnë heshtjen gjatë tavafit. Nëse e pranojmë se “namazi është mi’raxhi i besimtarit”, atëherë tavafi është rasti më i mirë i njeriut që këtë ngjitje shpirtërore ta vazhdojë edhe mbi kufijtë e kufizueshmërisë kohore dhe hapësinore.
Kemi edhe ngjashmëri të tjera që vlen të theksohen. Një ndër rregullat e haxhiut është që gjatë tavafit ta zbulojë supin e djathtë, atë që është më larg Qabesë, kurse ta mbulojë supin e majtë, supin drejtpërdrejt përballë Qabesë. Por, edhe Qabeja ka mbulesën e saj (kisva), e cila gjatë ditëve të haxhit, pjesërisht zbulohet, kurse pjesa tjetër mbetet e mbuluar.
Nga doktrina besimore e dimë se njeriu e njeh Zotin nëpërmjet cilësive negative (selbije), por edhe nëpërmjet cilësive pozitive. Njeriu e vendos intimen e tij me Krijuesin së pari nëpërmjet pjesës së njohur, e pastaj nëpërmjet shikimit shpirtëror (besir) e dëshmojmë (shuhud). Në këtë mënyrë njeriu e vendos intimen e tij me Praninë e Zotit dhe ne këtë mënyrë u ngjason engjëjve të Zotit, të cilat rregullisht e vizitojnë Qabenë shpirtërore (Bejt’ul-ma’mur), sikur që njerëzit e vizitojnë Qabenë tokësore. Këtë do ta quanim pelegrinazh që kapërcen kufijtë ndërmjet temporales dhe të pakohës, materiales dhe shpirtërores. 
Në këtë mënyrë njeriu i njeh gjurmët e ekzistimit të Zotit dhe veprimin në të krijuarën, sidomos në vetvete dhe atë që e rrethon. Kjo gjendje kulmon me veshjen e bardhë të ihramit, i cili paraqet shenjën e dinjitetit. Kur haxhiu kthehet me dinjitet në fytyrë, kjo është shenjë se ai gjatë haxhit ka parë atë që është dashur ta shoh.
Në fund duhet të theksojmë edhe një element, dhënien e selamit Gurit të Zi, prehja me gjendjen vetjake, pranimin e kohës dhe hapësirës në ekzistimin vetjak të kësaj bote dhe fatit të dhënë, meqenëse të gjitha këto janë dhuratë mëshire të Zotit për njeriun konkret. Nëse do ta pranojmë Traditën se fati është i paracaktuar (i paraditur), vendimin përfundimtar e vendosi me Gurin e Zi. Prandaj edhe puthja, prekja, qoftë edhe shikimi nga larg i Gurit të Zi, ka për rrjedhojë që haxhiu për një çast para syve ta kalojë tërë jetën e kaluar të tij. Cilësitë e mira që e kanë përcjellë njeriun deri atëherë, me këtë rast do t’i bëhen përkrahje plotësuese në jetën e ardhshme, kurse cilësitë e këqija që nuk ka arritur t’i largojë nga vetja, pas kthimit nga haxhi, kur ato dëshirojnë të ngrenë krye, bëhen të goditura nga cilësitë e mira, tash pas kthimit nga haxhi shumë më cilësore.[4] 
Thënë ndryshe, simbolika dhe domethënia e këtij rituali është që të vendoset uniteti ndërmjet atij që bënë tavaf dhe asaj rreth së cilës bëhet tavafi. Me rastin e haxhit, haxhiu nuk identifikohet me Qabenë, por me qendrën e qenies së tij dhe me anë të simboleve të numrit të tavafëve të bërë, kurse kjo është java, e cila paraqet drejtimet në hapësirë, ai e bënë këtë në aspekt të synimeve përfundimtare apo fatit.[5]

Nexhat Ibrahimi

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.