Ballina Bota Turqia – BE-së: Bllokojmë marrëveshjen nëse s’ka liberalizim vizash

Turqia – BE-së: Bllokojmë marrëveshjen nëse s’ka liberalizim vizash

34
0
SHPËRNDAJE

Parlamenti i Turqisë do të bllokojë marrëveshjen e arritur me Bashkimin Europian sa i përket çështjes së emigrantëve, nëse turqit nuk do të mund të fitojnë të drejtën për të udhëtuar pa viza në vendet e “Schengen”-it.

Këtë paralajmërim e ka bërë presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan.

Bashkimi Europian, nga ana e vet ka bërë të ditur se Turqia duhet të përmbushë edhe disa kushte specifike, përfshi ndryshimin e ligjeve antiterror të vendit, diçka që Ankaraja ka refuzuar ta bëjë. Marrëveshja e arritur synon të ndalë fluksin masiv të emigrantëve dhe refugjatëve në Europë. Por, Erdogani ka shtuar gjithashtu se fondet e premtuara nga BE-ja ende nuk janë çliruar për vendin e tij.

Duke parë sinjalet deri më tani, ka shumë gjasa që synimi për t’u dhënë akses turqve në zonën europiane të lëvizjes së lirë deri në fund të këtij muaji nuk do të përmbushet.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila u takua me Erdoganin gjatë ditës së hënë, tha se mund të mos ketë kohë të mjaftueshme për ta përmbushur këtë objektiv.

Turqia ka paralajmëruar vazhdimisht se e gjithë marrëveshja do të binte poshtë, nëse kërkesat e saj nuk do të plotësoheshin. “Nëse kjo nuk ndodh, asnjë vendim dhe asnjë ligj në kornizën e marrëveshjes së ripranimit nuk do të dalë nga Parlamenti i Republikës së Turqisë”, tha Erdogan, në përmbyllje të Samitit Botëror Humanitar që u zhvillua në Stamboll.

Bazuar mbi marrëveshjen BE-Turqi, emigrantët që kanë mbërritur në mënyrë jolegjitime në Greqi që prej 20 marsit do të duhet të rikthehen në Turqi, nëse nuk duan të aplikojnë për azil, apo nëse kërkesat e tyre për azil do të refuzoheshin. Gjithashtu, për çdo emigrant sirian që do të rikthehej në Turqi, Bashkimi Europian do të merrte një tjetër sirian që ka bërë një kërkesë legjitime.

Një prej çështjeve më të diskutueshme për liberalizimin e vizave për turqit ka lidhje me legjislacionin tepër të zgjeruar antiterrorizëm të Turqisë. BE-ja dhe grupet e të drejtave të njeriut e kanë akuzuar Ankaranë se po e përdor këtë legjislacion për të intimiduar gazetarët dhe disidentët antierdogan. Por, qeveria e mohon këtë duke thënë se ligjet nevojiten për të luftuar militantët, ndaj dhe i ka bërë të ditur BE-së se nuk do t’i ndryshojë ato.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.